Pyetja:

Ç’është dispozita e agjërimit me vështirësi në udhëtim?

***

Përgjigjja:

Nëse në atë agjërim ndjen vështirësi jo të madhe, atëherë është mekruh (e urryer) ai agjërim, ngase kur i Dërguari i Allahut ﷺ, pa një njeri, të cilit i kishin bërë hije dhe të gjithë njerëzit ishin mbledhur përreth tij, tha: “Ç’është puna me këtë?” Thanë: “Është duke agjëruar.” Tha: “Nuk është mirësi agjërimi gjatë udhëtimit”. [1] Por, nëse ndjen vështirësi të madhe, atëherë e ka vaxhib ta prishë agjërimin, ngase kur Pejgamberi ﷺ, (në një udhëtim) i erdhën disa njerëz dhe iu ankuan se agjërimi është duke i lodhur, ai e prishi agjërimin. Pastaj e lajmëruan se disa vetë nuk e kanë prishur agjërimin, ai ﷺ tha: “Ata janë mëkatarë, ata janë mëkatarë”. [2]
Mirëpo, ai që nuk ndjen ndonjë vështirësi, më mirë është të agjërojë duke marrë si shembull Pejgamberin ﷺ i cili agjëronte. Ebu Derdaja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Ishim me Pejgamberin ﷺ, në udhëtim gjatë Ramazanit, në një nxehtësi të ashpër. Askush prej neve nuk agjëronte pos Pejgamberit ﷺ, dhe Abdullah ibën Revahas”.[3]

Përktheu: Omer Berisha

——————————

[1] Buhariu në kapitullin e Agjërimit (1946) dhe Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1115).

[2] Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1114).

[3] Buhariu në kapitullin e Agjërimit (1945) dhe Muslimi në kapitullin e Agjërimit (1122).