Pyetja:

Cila është dispozita e mbylljes së syve gjatë faljes së namazit, lejohet ky veprim apo jo?

***

Përgjigjja:

Mbyllja e syve gjatë faljes së namazit është e urrejtur dhe e papëlqyer (mekru). Ky veprim bie ndesh me sunetin e Pejgamberit ﷺ. Mirëpo nëse ky veprim bëhet me arsye, atëherë mund edhe të lejohet. Nëse para atij që falet ndodhet ndonjë zbukurim në mur apo tepi (shtrojë) apo edhe ndonjë dritë e fortë në ndonjë moment, atëherë në të tilla raste e të tjera mund edhe të vijë deri tek lejimi i mbylljes së syve. Ajo që është me rëndësi, është që nëse mbyllja e syve bëhet për ndonjë arsye të pranueshme, në këtë rast nuk prish punë, ndërsa pa arsye të pranueshme, mbyllja e syve në namaz është mekru.

Ai i cili dëshiron shtjellim më të thuktë të kësaj mesele (çështje), atëherë le t’i kthehet librit të njohur të Ibën Kajimit, “Libri i Namazit”.

Shejh Ibn Uthejmin

Përktheu: Suad Shabani