Pyetja:
Në literaturën e huaj që kam lexuar, imazhi i Pejgamberit të mëshirës, paraqitet si pushtues. A mund të hidhni dritë shkurtimisht rreth historisë islame në vite (ekspansionit islam) ose të më tregoni ndonjë libër historik ku mund të kuptojë rrjedhën historike të vërtetë të ngjarjeve e në veçanti luftën dhe shkakun e saj, në kohën e Aliut?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, dhe mbi gjithë ata që e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit.
Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e gjatë dhe nuk do t’i mjaftonin volume të tëra për shqyrtimin e saj, por me lejen e Allahut do të mundohemi të japim një përgjigje të shkurtër dhe përmbledhëse.
Nuk ka dyshim se Ai i Cili i ka krijuar krijesat i njeh më mirë ato dhe ka bërë dallim mes tyre. Allahu i ka krijuar njerëzit dhe ka zgjedhur ndër to të dërguar dhe ka bërë dallim mes tyre duke i ngritur disa prej tyre në shkallë më të lartë, më i miri prej tyre është i Dërguari dhe i dashuri ynë, Muhamedi, ﷺ. E zgjodhi atë që t’u transmetojë njerëzve Shpalljen e Tij.
Allahu e ka përshkuar atë me cilësitë më të mira dhe më të larta. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Dhe nga mëshira e Allahut ti (o Muhamed) u solle butë me ta. Po të kishe qenë i rreptë dhe me zemër të ashpër ata do të kishin hequr dorë prej teje…” (Al Imran, 159)
Dhe gjithashtu Allahu thotë në Kuran: “Dhe vërtet ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë karakteri (shpirtëror).” (El–Kalem, 4)
Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka qenë shumë i kujdesshëm që njerëzit të pranonin Islamin dhe pikëllohej kur i ftonte njerëzit në Islam dhe ata nuk e pranonin. Allahu i Madhëruar thotë: “Mbase ti (Muhamed) do të vrasësh veten nga pikëllimi duke u shkuar pas atyre (duke i ftuar e ata largohen prej teje)…” (El–Kehf, 6)
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Mbase ti (o Muhamed) do ta mbytje veten me pikëllim se ata nuk bëhen besimtarë.” (Shuara, 3)
Nuk është dërguar Profeti, ﷺ, vetëm se mëshirë për gjithë krijesat dhe mëshira e tij përshkroi njerëzit, kafshët dhe sendet.
Nga shembujt e mëshirës së tij, ﷺ, është që trungu i pemës ka qarë për të dhe guri e ka përshëndetur atë.
Qëllimi i të Dërguarit, ﷺ, ishte realizimi i amanetit dhe kryerja e detyrës. Ai e çoi në vend amanetin dhe e përmbushi detyrën në formën më të mirë, në mënyrë që njerëzit të shpëtonin në këtë botë nga skllavëria dhe robërimi ndaj njerëzve dhe të ishin vetëm rob të Zotit, ndërsa në botën tjetër të shpëtonin nga dënimi i zjarrit duke qenë në lumturinë e përhershme të xhenetit.
Atë e kanë lutur politeistët kurejshitë duke i thënë atij që të japin nëse do pasuri dhe vajzat më të mira të kurejshëve, por se nuk ishte ky qëllimi i tij, ai donte udhëzimin e njerëzve dhe nënshtrimin e tyre vetëm në Një Zot të vetëm dhe të Pashok.
Mentaliteti i jobesimtarëve nuk ndryshon në të gjitha kohërat, atëherë kur u dërgua i thanë: magjistar, falltar dhe i çmendur, siç është përmendur në Kuran, ndërsa sot i thonë pushtues apo e cilësojnë me diçka tjetër dhe nesër me diçka tjetër dhe kjo kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit, sepse do të ketë prej njerëzve që do të besojnë atë dhe do të ketë të tjerë që do ta përgënjeshtrojnë, ashtu si thotë Allahu në Kuran: “Dhe shumica e njerëzve nuk do të besojnë edhe pse ti je i kujdesshëm që ata të besojnë.” (Jusuf: 103)
Nuk ka dyshim se të gjitha këto përshkrime gjenden në literaturat e jobesimtarëve që shkruajnë kundër Islamit sidomos orientalistët.
Historia islame sikurse edhe shkencat e tjera të fesë nuk merren vetëm se nga bazat e sakta islame, dhe nga librat të cilët i kanë shkruar dijetarët islamë, megjithatë sido që të jetë duhet patur kujdes, sepse siç e dimë gjithmonë historisë i mvishen gjëra të pavërteta.
Është shumë e vështirë të përshkruajmë rrjedhjen e historisë islame qoftë edhe shkurtimisht, sepse ato duhen sqaruar qartë që të mos biem në dyshim. Unë nuk di ndonjë libër që është përkthyer shqip që është i zgjeruar në lidhje më historinë islame, ndërsa në gjuhën arabe librat janë të shumtë, ndër to:
1. “El-bidajetu uen- nihajetu” Ibn Kethir
2. “El-Kamil fij et-tarijh” Ibn Ethir
3. “Tarijh Dimeshk ” Ibn Asakir
4. “Tarijh Bagdad” etj.
Përsa i përket ngjarjeve të luftës dhe shkakun e saj në kohën e Aliut, radiAllahu anhu, themi se shteti islam u forcua në Medinë në kohën e Profetit, ﷺ, gjithashtu në kohën e katër hulefave të drejtë: Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit, Aliut, radijAllahu anhum, dhe Islami po përhapej anembanë botës, gjë e cila i mërziste shumë jobesimtarët, të cilët nuk po i bënin dot ballë ushtrive islame dhe armiqtë nuk po arrinin që t’i rrëzonin muslimanët me luftë, por menduan sesi t’i luftonin ata pa përdorur armën.
Kështu u fut në mesin e besimtarëve një hipokrit, i cili shfaqi Islamin dhe fshehu në brendësinë e tij urrejtjen ndaj Islamit dhe ky ishte Abdullah ibn Sebe me origjinë çifute. Dhe kështu arriti që të futej në rreshtin e muslimanëve dhe me këtë arriti qëllimin e tij: përçarjen e tyre që në kohën e Uthmanit, radiAllahu anhu, dhe u shfaq më qartë figura e tij në kohën e Aliut, radiAllahu anhu.
Për të hedhur dritë më mirë për luftën në kohën e Aliut, radiAllahu anhu, themi që Aliu ka luftuar me havarixhët, sepse Profeti, ﷺ, ka nxitur për luftimin e tyre dhe ka premtuar shpërblim për atë që i kundërvihet atyre, sikurse kanë ardhur në lidhje më këtë hadithe ë sakta.
Ndërsa lufta me Muaujen, radiAllahu anhu, i cili ishte kryetari i muslimanëve në Siri, shkaku i luftës më të ishte Abdullah ibn Sebe, i cili arriti të ndez luftën mes muslimanëve. Këtu shihet qartë roli që luan armiku për përçarjen e muslimanëve derisa të arrijnë në atë shkallë që të luftojnë njeri-tjetrin.
Qëndrimi ynë ndaj fitneve që kanë ndodhur mes muslimanëve (mes Aliut dhe Muaujes, radiAllahu anhuma) është sikurse kanë thënë dijetarët e Ehli Sunetit:
“Allahu na ka bërë neve që të mos jemi pjesëmarrës në këto ngjarje dhe lusim Allahun që të na i ruajë gjuhët tona që të mos flasim rreth tyre, por detyra jonë është që të mendojmë mirë dhe të flasim mirë për të gjithë ata. Ky është qëndrimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit në lidhje me këto ngjarje.”
Lusim Allahun sikurse ka ardhur në Kuran: “Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “Zoti ynë! Na fal ne dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në Besim dhe mos na fut në zemrat tona asnjë grimcë urrejtje ndaj atyre që kanë besuar, Zoti ynë! Vërtetë që Ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.” (Hashr, 10)
Allahu e di më së miri.
Hariz Allkoçi