Pyetja:

Kam bërë aksident me makinë dhe e kam humbur vetëdijen, se më kishte dalur gjaku në kokë, por kur më ka ardhur vetëdija fjala e parë që kam thënë ishte “La ilahe il-lAllah”, a është shenjë e mirë kjo?

Pyetja tjetër: Babai më ka vdekur nga sulmi që kishte në tru. Ishte i shtrirë në spital pa vetëdije, por binte shehadet në ato ditë.

***

Përgjigjja:

Përmendja e Allahut në raste vështirësie është shenjë e mirë, sepse fatkeqësitë që e kthejnë njeriun te Zoti i tij, kthehen në mirësi. Pastaj njerëzit në rastet e vështirësive u drejtohen atyre prej të cilëve shpresojnë ndihmë dhe shmangin të keqen. Ndaj shumë njerëz kur bien në vështirësi i drejtohen varreve, teqeve, tyrbeve, të ashtu quajturat vende të mira, ose nuk i bie në mendje Zoti, po direkt kujton mjekun dhe tek ai i varr shpresat. Ndërsa besimtari i sinqertë në situata të tilla direkt kujton Allahun dhe vetëm prej Tij shpreson. Nuk ka dyshim se kjo është shenjë e mirë. Po kështu atë që përmendje për babanë tënd Allahu e mëshiroftë është shenjë e mirë për të. E lus Allahun që neve të na e marrë shpirtin duke thënë fjalën e dëshmisë!

Azem Bardhoshi