Pyetja:

A i lejohet femrës muslimane të udhëtojë mbi 80 km pa kujdestar p.sh., prej Shkupi në Gostivar dhe të kthehem me shoqërues/kujdestar/mahrem?

***

Përgjigjja:

Mendimi më i saktë i dijetarëve, i cili është edhe mendimi i shumicës së tyre, është se udhëtim konsiderohet kur është 80 km afërsisht e më shumë. Në lidhje me udhëtimin Profeti ﷺ e ka këshilluar muslimanen duke i thënë: “Nuk i lejohet një gruaje që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të udhëtojë një natë e një ditë vetëm se me shoqërues/kujdestar/mahrem.” [1]

Dijetarët e kanë përcaktuar se ecja mesatare një natë dhe një ditë është afërsisht 80 km. Prandaj udhëtimi me këtë distancë nuk është i lejuar pa shoqërues/kujdestar/mahrem. Mahrem i femrës është babai, vëllau, axha, daja, burri, djali. Profeti ﷺ i ka bërë thirrje ndërgjegjjes së çdo gruaje besimtare që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, që të mos udhëtojë vetëm se me shoqërues duke nënkuptuar se ky veprim është i ndalur dhe mund të sjellë edhe gjynahe të tjera. sepse femra është e dobët dhe ka nevojë për një ndihmës gjatë udhëtimit. Bazuar në këtë që thamë më sipër, duhet që të gjesh një mënyrë, qoftë me një mahrem tjetër ose duke ia paguar rrugën shoqëruesit që të vijë dhe të të marrë nga Shkupi.

Së fundi, mbështetu Allahut dhe mundohu që t’u ruhesh kufijëve të Tij, sepse kështu do të jesh më e qetë në vetvete, më e afërt tek Allahu dhe më e sigurt nga fitnja. Allahu dhe i dërguari i Tij nuk e ndalojnë diçka vetëm se pas saj do të ketë një urtësi e cila ruan fenë dhe veten e muslimanit.  Allahu e di më së miri.

Irfan Tota

——————————

[1] Buhari dhe Muslimi