Pyetja:
Në disa forume, kinse të muslimanëve të fortë, shahen hoxhallarët e njohur, që janë pishtarë të sunetit në trojet tona. Si të sillemi me ta?
***
Përgjigjja:
Këshilla ime është të mos humbësh kohën duke lexuar përgjigje e kundra përgjigje nëpër faqet e internetit, në të cilat fliten e përfliten hoxhallarët, pavarësisht se kujt grupi i përkasin. Përpiqu që kohën ta harxhosh duke kërkuar dije të dobishme dhe punë të mira.
Në anën tjetër këshilloj ata që harxhojnë energjitë e tyre duke u përpjekur, kërkuar e gjurmuar për të gjetur gabime tek të tjerët, le t’i harxhojnë energjitë e tyre duke ftuar njerëzit në fe se këtu në trojet tona po vihet në pozita të vështira identiteti ynë si muslimanë.
Të vjen keq kur dëgjon tjetrin të thotë unë jam protestant apo dëshmitar i jehovait, ndërsa prindërit i kam pasur muslimanë, a nuk bie mbi ne njëfarë përgjegjësie që këta njerëz të cilët kanë patur nevojë për të besuar, të ishim ne ata që tu gjendeshim pranë e tu tregonim rrugën e drejtë? Mirëpo ne jemi angazhuar me njëri tjetrin e kështu pranë tyre janë gjendur të tjerë që i kanë drejtuar në rrugën e humbur. Apo të tjerë që ia kanë kthyer shpinën fesë.
Vetëm në Tiranë brenda qytetit para se të mbyllej feja ka patur me sa di unë mbi shtatëmbëdhjetë xhami, dhe sa ka qenë popullsia atëherë, sa xhami ka sot dhe sa është numri i popullsisë? Elbasani ka patur brenda qytetit tridhjetë xhami, me popullsinë e atëhershme, sa ka sot?
Ndërsa ne harxhojmë energjitë me njëri-tjetrin. Kjo nuk do të thotë që ne të heshtim ndaj së keqes, por ta kurojmë atë me metodat efikase të cilat rregullojnë dhe nuk prishin. Për njohjen e këtyre metodave duhet t’u referohemi dijetarëve të ehlus-sunetit që nga koha e sahabëve, tabiinëve, tabii-tabiinëve e më vonë të shejhul islam Ibën Tejmije, Ibën Kajimi, po kështu të dijetarëve të mëdhenj të cilët i arritëm të gjallë si shejh Albani, shejh Ibën Bazi, dhe shejh Ibën Uthejmini të cilët kanë qenë të mëkëmbur në dije, se si i kanë trajtuar ata problemet në kohën e tyre. Allahu e di më së miri.
Azem Bardhoshi