Pyetja:

I fal vetëm 3 kohë namaz dhe lexoj Kuran nganjëherë. Tani kam filluar punën si kamarier dhe po më pëlqen. A më lejohet të shërbej alkool për konsumatorët dhe a duhet ta braktis punën si shkak i shërbimit alkoolit?

***

Përgjigjja:

Çdo besimtar duhet të jetë i vetëdijshëm për obligimet e tij fetare dhe duhet ta kuptojë se Feja Islame, të cilën ai e ka zgjedhur, nuk është vetëm fjalë goje dhe filozofi, por është praktikë dhe punë konkrete, gjegjësisht kërkon prej besimtarit që besimin e vet ta dëshmojë me vepra. Nëse vepron, atëherë e dëshmon sinqeritetin e besimit dhe devotshmërinë e tij, përndryshe, deklarativisht të gjithë shprehen se besojnë. Kjo do të thotë se besimtari duhet të bëjë sa ma tepër punë të mira, qofshin këto punë të obligueshme, si pesë kohët e namazit dhe namazi i xhumasë, apo të preferuara, jo të obligueshme, siç janë: namazet nafile-vullnetare, lëmosha, etj. Poashtu, besimtari duhet t’i kushtojë kujdes edhe leximit të Kuranit, ngase për një shkronjë e Kuranit, ka dhjetë sevape, sipas një hadithi të transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Është shumë e mirë ajo që e bëni ju vëlla i dashur, pra që falni namaz dhe që lexoni Kuran. Por duhet ta keni parasysh se: Allahu i Madhërishëm na ka obliguar me pesë kohë namaz në ditë. Ashtu si e kemi obligim ta falim sabahun, akshamin dhe jacinë, e kemi obligim ta falim edhe drekën dhe ikindinë. Këto namaze janë të një rangu në obligueshmëri. Nëse rastësisht ndodh që drekën dhe ikindinë nuk mund ta falim për shkaqe të arsyeshme, duhet t’i bëjmë kaza, gjegjësisht ti falim kur do të na jepet rasti. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kush flen apo e harron një namaz, le ta falë kur t’i kujtohet.” Pra, nuk guxojmë ta lëmë asnjë namaz, e, nëse ndodh që të mos mund ta falim në kohë për shkaqe të arsyeshme, gjithsesi duhet ta falim pastaj.

Për atë se besimtari e ka obligim të falë pesë kohë namaz, flet edhe hadithi vijues. Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi ﷺ dërgoi Muadhin r.a. në Jemen dhe i tha: “Ftoi njerëzit të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut. Në qoftë se të binden për këtë, atëherë bëjua të qartë se Allahu i ka detyruar atyre faljen e namazit pesë herë në ditë. Dhe, në qoftë se të binden edhe për këtë, atëherë njoftoju se Allahu u ka bërë detyrim atyre të paguajnë detyrimin nga pasuria e tyre, e cila u merret të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre.“ [1]

Për atë, insha Allah, sa më shpejt fillon t’i falësh pesë kohët e namazit.

Nga ana tjetër, besimtari duhet ta ketë të qartë se ashtu si ka obligime në kuptim të veprimit, ka obligime edhe në kuptim të mosveprimit, gjegjësisht, Allahu i Madhërishëm disa gjëra na i ka obliguar t’i bëjmë, e disa tjera na i ka ndaluar t’i bëjmë. Besimtari duhet të jetë i vendosur si në kryerjen e farzeve, poashtu edhe në braktisjen e harameve.

Prej gjërave që Allahu i Madhërishëm i ka ndaluar është edhe alkooli. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?’’ (Maide: 9091)

Por, kur është në pyetje harami, ndalesa nuk i referohet vetëm objektit të haramit në kuptim të përdorimit direkt nga personi, por edhe disa gjërave tjera të lidhura për të. Kështu, edhe në rastin e alkoolit, ndalesa nuk ka të bëjë vetëm me pirjen, por edhe me disa gjëra tjera. Këtë më së miri e tregon hadithi vijues i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Transmentohet prej Ibën Omerit se I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Vera është mallkuar në dhjetë mënyra: Vera është mallkuar vetë si lëndë, është mallkuar ai që e pin, ai që e toçit, ai që e shet, ai që e blen, ai që e shtrydh, ai që kërkon t’i shtrydhet, ai që e mbart, ai të cilit i dërgohet dhe ai që e han fitimin nga vera.” [2]

Pra, pasi e pamë se i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili nuk ka folur me hamendje, por e ka kumtuar atë që ia ka shpallur Allahu i Madhërishëm, e ka mallkuar alkoolin në dhjetë mënyra, ku bën pjesë edhe shërbimi i tjerëve me alkool, atëherë për besimtarin nuk mbetet zgjidhje tjetër pos të largohet prej këtyre gjërave që lidhen me alkoolin, e në këtë rast, edhe prej shërbimit të tjerëve me alkool.

Së këtejmi, ju duhet të largoheni nga kjo punë dhe të kërkoni një punë tjetër, pasi këtë punë e ka ndaluar Allahu i Madhërishëm permes gjuhës së të Dërguarit të Tij të fundit. Besoj se mund të gjeni punë tjetër, e mos harroni se, nëse jeni të sinqertë në dëshirën për t’u larguar nga ajo që ka ndaluar Allahu, Ai do t’ju hapë rrugët dhe do të mundësojë të gjeni një punë tjetër. Ai i ka në dorë të gjitha gjërat, dhe furnizimi është në dorën e Tij. Na ngelet obligim që ta kërkojmë me hallall.

Allahu na forcoftë në rrugën e Islamit.

Bashkim Aliu

—————————–

[1] Buhariu

[2] Ebu Davudi dhe Ibën Maxhe