Pyetja:

Një imam në namazin e ikindisë harroi dhe fali tre rekate dhe pastaj dha selam. Ne i thamë qe ke falur tre rekate dhe të plotësojmë atë me një rekat tjetër dhe pastaj te bëjmë sehvi sexhde. Ai na tha: do ta falim nga e para se është prishur si namaz dhe ka argumente për këtë nga imami Ebu Hanife. Kështu ai fali 4 rekate te tjera. Ndërsa xhemati u nda në dy mendime: disa e ndoqën dhe disa falën vetëm një rekat.

***

Përgjigjja:

Mehhebi hanefi thotë: ai qe nuk e ka zakon të harrojë në namaz, nëse harron, e përsërit namazin. Ndërsa ai që harron shpesh, nuk e përsërit, por e plotëson mbi atë që ka harruar.
Ata në lidhje me këtë çështje argumentohen me një hadith dhe ja çfarë thotë për të imami Es-Serakhsij (dijetar i njohur hanefi i vdekur ne vitin 483 H).
Ai thotë: Nëse dikush harron në namaz dhe nuk e di se sa ka falur tre apo katër rekate dhe kjo është e para herë që gabon e përsërit namazin për shkak të hadithit të Ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti ﷺ ka thënë: “Nëse dikush harron në namazin e tij dhe nuk di se sa ka falur tre apo katër le ta përsërisë atë” sepse përsëritja i heq dyshimin ndërsa vazhdimi pas dyshimit e le në dyshim dhe të rezervohesh në adhurime për ti kryer ato në formën më të mirë është detyrë, ndërsa kur harresa ndodh shpesh, atëherë plotëson, sepse nëse do ta urdhërojmë për të përsëritur, ai do harrojë përsëri”. [1]
Ky është sqarimi që i bëjnë hanefitë, ndërsa fjalën e imamit tuaj (është prishur namazi) nuk e kam parë të përmendur te fjalët e dijetarit dhe mendoj se imami i juaj e ka thënë atë gabimisht.

Ajo që na intereson më tepër në lidhje me këtë çështje është argumenti i tyre dhe ja çfarë thotë në lidhje me të imam Ez-Zejlaiu (dijetar tjetër i njohur hanefi dhe që e njeh mirë fushën e hadithit i vdekur në vitin 762 H).  Ai thotë se hadithi është i panjohur, mirëpo pastaj sqaron se ai gjykim është i Ibn Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe i disa tabiinëve (Allahu i mëshiroftë). [2]

Kështu ky gjykim është gjykim i një sahabiu, ndërsa ajo që njihet nga Profeti ﷺ nuk e përmban këtë veprim, por përmban plotësimin: ose duke ndërtuar mbi atë që anon më shumë në lidhje me numrin e rekateve kur arrin të anosh nga njëri numër, ose duke ndërtuar mbi më të paktën kur nuk arrin të anosh nga asnjëri prej tyre. Ky është gjithashtu dhe mendimi i dijetarëve të medhhebeve te tjera veç hanefive.

Përfundim: Për mendimin tim imami duhet ta kishte plotësuar namazin mbi atë që ka harruar dhe jo ta përsëriste namazin, sepse mbi të gjitha ky është veprimi profetik. Ndërsa ju më mire ta kishit ndjekur atë edhe pse ai veprim është larg sunetit, sepse imami ndiqet edhe nëse gabon dhe gabimi i llogaritet atij dhe jo juve siç e ndoqi Ibn Mesudi, Uthmanin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), në një çështje tjetër që ka lidhje gjithashtu me namazin dhe Allahu e di më së miri.

Dr Abdullah Nabolli

—————————–

[1] El-Mebsut 1/219

[2] Nasb Er-Raje 2/173