Pyetja:

Si është përkufizimi i besimit (imanit) tek Ehli Sunneti dhe a shtohet e pakësohet ai?

***

Përgjigjja:

 Imani tek Ehli Sunneti është: “Besimi me zemër, shqip­ti­mi me fjalë dhe të vepruarit me gjymtyrë”. Këtu shihet se për­mban tre gjëra:

  1. Besim me zemër.
  2. Shqiptim me gojë.
  3. Veprim me gjymtyrë.

Meqë është kështu, atëherë patjetër që ai shtohet apo pa­kë­so­het, për shkak se besimi me zemër dallon nga njëri te tjetri.

Nuk mund të barazohet besimi, i cili ka ndodhur me të dëgjuar me be­­si­min, i cili ka ndodhur duke e ndier me shqisa, si dhe besimi me laj­më­­ri­min e një njeriu dallon nga ai me lajmërimin e dy nje­rë­zve, e kështu me ra­dhë.

Për këtë edhe Ibrahimi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thë­në: “O Zot më trego se si i ngjall të vdekurit. Tha (Allahu): A nuk je duke besuar? Tha: Po, si jo, por dua ta di që të më qe­të­so­het zemra.” (Bekare 260)

Imani shtohet varësisht prej bindjes dhe qetësisë së zemrës. Kë­­­të nje­­riu e ndjen në veten e tij, ashtu që kur është në ndonjë vend ku ka kë­shi­lla dhe ku përmendet Xhenneti e Zjarri, në këtë rast i shtohet imani aq, saqë i du­ket se është duke e parë Xhen­ne­tin dhe Zjarrin, e kur është në të kotë dhe ësh­të larg këtyre ven­de­ve, atëherë i dobësohet bindja dhe i pa­kësohet ima­ni.

Po ashtu imani shtohet nga ana e shqiptimit. Dihet se ai që e për­­­mend All-llahun dhjetë herë nuk është sikurse ai që e përmend një­­qind herë, d.m.th., tek i dyti imani është shumë më i shtuar.

Po ashtu edhe imani i atij që i praktikon adhurimet në mënyrë të plotë është më i madh sesa imani i atij që i praktikon adhurimet me mangësi.

Si dhe nga ana e veprimit, kur një njeri bën ndonjë vepër me gjym­­tyrë më shumë se dikush tjetër, padyshim se e ka edhe imanin më të shtuar sesa tjetri.

Për shtimin dhe pakësimin e imanit kanë ardhur argumente në Kur’an dhe Sunnet. Allahu  thotë: “Dhe Ne s’ke­mi vënë tjetër veçse melekë si roje të Zjarrit dhe ne e kemi sje­llë num­rin e tyre të përcaktuar (19) vetëm si sprovë për mos­be­sim­­ta­rët, me qëllim që ithtarët e Librave të parë të arrijnë te një bin­d­je dhe që besimtarët të shtojnë besimin…” (Muddeththir, 31); po ash­tu ka thënë: “Dhe sa herë zbret ndonjë sure, disa prej ty­re (mu­nafikëve) thonë: ‘Cilit prej jush iu shtua besimi’? Sa u për­­ket atyre që besojnë, ajo ua ka shtuar besimin dhe ata ndjejnë kënaqësi. E sa u përket atyre, në zemrat e të cilëve ka sëmundje, ajo ua shton dyshimin edhe më tepër dhe vdesin duke qenë mos­­be­simtarë.”  (Teube 124-125).

Në një hadith të vërtetë i Dërguari i Allahut ﷺ, thotë: “O gra, nuk kam parë si puna juaj, me mangësi në mend­­je dhe në fe, burrit të mençur dhe të vendosuar ia merrni mend­­jen”[1]. Pra, ima­ni shtohet dhe pakësohet.

Por cilat janë shkaqet e shtimit të imanit?

Shkaku i parë: Njohja e Allahut me em­rat dhe ci­lësitë e tij.

Njeriu sa herë që e njeh All-llahun, subhanehu ue teala, në­për­­mjet emrave dhe cilësive të tij, padyshim se edhe imani i shto­het.

Për këtë shkak edhe dijetarët që i dijnë emrat dhe cilësitë e All-lla­hut më mirë se të tjerët, i sheh se edhe imani i tyre është më i for­të në kë­të aspekt.

Shkaku i dytë: Meditimi në argumentet kozmologjike dhe fe­ta­re. Çdoherë kur njeriu mediton për argumentet kozmologjike d.m.th., për krijesat, i shtohet besimi. Allahu ka thënë: “Në Tokë ka argumente për ata që kanë besim të pa­­lë­kundur. Bile edhe në veten tuaj ka. A nuk po e shihni?” (Dha­rijat 20-21).

Ajete për këtë çështje ka shumë, kam për qëllim ajete, të ci­lat tre­gojnë se njeriu me studimin dhe meditimin e tij për Gji­thë­sinë, arrin që ta shtojë besimin e tij.

Shkaku i tretë: Ibadetet (adhurimet) e shumta, kështu që sa he­­rë që njeriu i shton ibadetet, njëkohësisht i shtohet edhe ima­ni, qof­shin ato ibadete gojore apo përmes veprimit.

Përmendja e All-llahut e shton imanin në sasi dhe mënyrë ash­­tu siç e shton atë namazi, agjërimi dhe haxhi.

E shkaqet për pakësimin (dobësimin) e imanit, janë në të kun­­dër­tën:

Shkaku i parë: Mosdija për emrat dhe cilësitë e Allahut, sub­ha­­nehu ue teala, e cila patjetërsisht e dobëson imanin.

Për arsye se kur dituria për cilësitë dhe emrat e Allahut pa­kë­­so­het, pa­dyshim se edhe besimi në All-llahun pakësohet.

Shkaku i dytë: Mosmeditimi në argumentet kozmologjike dhe fe­­tare. Kjo gjë padyshim që e dobëson imanin, ose së paku e stag­non dhe nuk le­jon që të shtohet.

Shkaku i tretë: Mëkatet. Sepse mëkatet kanë ndikim të madh në ze­mër dhe në iman, për këtë edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Nuk është besimtar zinaxhiu (ai që bën marrëdhënie in­time në mënyrë të palejuar) në momentin kur bën zina…”. [2]

Shkaku i katërt: Lënia e adhurimeve. Me të vërtetë lënia e adhu­­ri­me­ve është shkak për dobësimin e imanit.

Por, nëse ai adhurim është i detyrueshëm (vaxhib) dhe e lë atë pa ar­sye, për këtë dobësim ky njeri qortohet dhe dënohet, e në­se ai adhurim nuk është vaxhib ose është vaxhib, por e lë me ar­sye, atë­he­rë për këtë do­bë­sim ai nuk qortohet.

Për këtë edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thë­në se gratë janë të mangëta në mendje dhe në fe duke e ar­sy­e­tu­ar këtë se kur gruaja është me menstruacione nuk falet dhe nuk agjë­ron, edhe pse ajo nuk qortohet për lënien e namazit dhe agjë­­ri­mit, përkundrazi ajo është e urdhëruar që të veprojë ashtu, por për shkak të lënies së këtyre ibadeteve i është thënë se është e mangët në fe.

Shejh Ibn Uthejmin

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

————————-

[1] Buhariu (304)

[2] Buhariu (6772) dhe Muslimi (57)