Pyetja:

Cilat janë llojet e veprave që bëhen për përfitime në dunja?

***

Përgjigjja:

Veprat që bëhen për dunja janë prej më të ndryshmeve. Imami i nderuar Muhamed Ibn Abdul-Vehabi, cek se të parët tanë të mirë kanë treguar për katër lloje veprash për dunja:

1) Vepra e mirë të cilën e bëjnë sot shumica e njerëzve për hir të Allahut, sikur dhënia e sadakasë, namazi, bamirësia ndaj njerëzve, kthimi i borxheve e të ngjashme nga veprat që i bën njeriu ose të cilat i bën sinqerisht për Allahun, mirëpo nuk dëshiron me të botën tjetër por dëshiron që Allahu me të t’ia ruajë pasurinë e tij, apo t’ia shtojë atë ose t’ia ruajë familjen e tij ose begatitë që i ka. Kështu që nuk ka për qëllim as xhenetin e as mbrojtjen nga zjarri i xhehenemit, këtij person i jepet shpërblim ajo çfarë e kërkon në këtë botë, ndërsa në botën tjetër nuk ka kurrfarë shpërblimi, kështu transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

2) Ky është më i rrezikshëm se i pari kur dikush e bën një vepër të mirë me nijet ta shohin të tjerët dhe nuk kërkon me të shpërblimin e botës tjetër, kështu potencohet nga Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë.

3) Ta bën një vepër të mirë me të cilën synon pasuri, p.sh. ta kryejë haxhin për dikë tjetër vetëm për të fituar para, e nuk e ka për qëllim me të fytyrën Allahun e as botën tjetër ose bën migrim për dunja ose lufton për plaçkë lufte ose kërkon dituri për të marrë pozitë. Ky njeri në asnjë mënyrë nuk e bën veprën e tij për fytyrë të Allahut ose e mëson Kuranin, prezanton në namazet në xhami vetëm nga shkaku se e ka punë, profesion një gjë e tillë ose ndonjë punë tjetër nga punët fetare me të cilën nuk ka për qëllim shpërblimin.

4) Ta kryejë një vepër për hir të Allahut me sinqeritet vetëm për Allahun, mirëpo e bën një vepër që e nxjerr nga islami. Kjo potencohet nga Enesi e të tjerë nga sahabët, (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). [1]

Andaj e lusim Allahun të na bëj të kujdesshëm në veprat tona për kë i bëjmë, pra, ta kontrollojmë vazhdimisht nijetin tonë, ta filtrojmë sinqeritetin tonë, që ai të jetë i pastër pa asnjë njollë, që  veprat tona t’i bëjmë vetëm për Allahun, të ruhemi që mos jenë nga ata që i bëjmë për dike tjetër, e si pasojë të na shkatërrohen veprat tona e pas saj të fitojmë hidhërimin e Allahut.

Agim Bekiri

—————————–

[1] “Fet’hul mexhid sherh kitabu-teuhid” fq. 444, “Tejsirul azizil hamid” fq. 536, “Kuvlu-sedid fi mekasidi teuhid” Sadit fq. 126