Pyetja:

A lejohet shitblerja me kapar (urbun)?

***

Përgjigjja:

Shejh Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Fjala më e saktë e dijetarëve është se lejohet shitblerja me kapar, nëse për këtë bien dakort të dyja palët, si shitësi ashtu dhe blerësi. (Pra, në qoftë se blerësi heq dorë nga malli, shitësit i lejohet që të mbaj kaparin).”

“Fetavua lit-tuxhar ue rrixhalul-eamel” faqe 49.

 

Komisioni i Përhershëm i Fetvave ka dalë me vendimin se:

Shitblerja me kapar është e lejuar. Pra, lejohet që blerësi t’i lërë shitësit një shumë parash, më të vogël se çmimi i plotë i mallit, me qëllim që ta bllokoj shitjen e atij malli (ta ketë të garantuar blerjen e tij më vonë).

Kapari i lënë, llogaritet si pjesë e çmimit dhe në momentin e marrjes së mallit, blerësi i paguan shitësit vetëm diferencën e mbetur të çmimit. Nëse blerësi ndërron mendje dhe heq dorë nga blerja e mallit, atëherë është e drejtë e shitësit që të mbaj kaparin.

Shitblerja me kapar është e lejuar, si në rastin kur caktohet afat kohor për pagesën e çmimit të plotë ashtu edhe në rastin kur nuk caktohet afat kohor. Shitësi ka të drejtë t’i kërkojë blerësit çmimin e plotë të mallit, sapo të jetë kryer akti i shitblerjes dhe blerësi të ketë marrë mallin në dorëzim.

Ndër argumentet e lejimit të shitblerjes me kapar është vepra e Umer ibnul Khatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Po ashtu, Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur nga të dy ata!) ishte i mendimit se shitblerja me kapar lejohet.

Imam Ahmed ibën Hanbeli ka thënë: “S’ka problem, lejohet!”

Said ibnul Musejebi dhe Ibën Sirini kanë thënë: “I lejohet blerësit të heqë dorë nga blerja, nëse nuk e do më mallin që synonte ta blinte, por duke i paguar shitësit diçka (si dëmshpërblim).

Sa i takon hadithit në të cilin transmetohet se Profeti ﷺ ka ndaluar nga shitblerja me kapar, e vërteta është se ai është ‘hadith i dobët’.

E ka vlerësuar si të tillë imam Ahmedi si dhe shumë dijetarë të tjerë, pra nuk vlen të argumentuarit me të.”

Fetvatë e Komisionit të Përhershëm, vëll. 13, faqe 133

Përktheu: E. Ajdini