Pyetja:
Një djalë punon në një spital sipas një kontrate të caktuar, por spitali e shkeli kontratën pasi ai e kreu shërbimin e kërkuar dhe nuk ia dha të drejtat materiale (paratë) që i takonin. Ai ka një koleg që punon në financën e spitalit (ai që bën pagesat, arkëtari), i cili ka mundësi t’ia japë paratë prej shitjes së ilaçeve, a është kjo gjë e lejuar?
***
Përgjigjja:
Jo. Sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Çoje në vend amanetin e atij që të ka besuar dhe mos e tradhto atë që ta ka tradhtuar”. Ky dëshiron të tradhtojë atë që e ka tradhtuar. Dhe kjo gjë nuk lejohet. Nëse kjo derë do të hapej krejtësisht do të lindnin dëme të mëdha dhe do të përshkallëzohej çështja në mënyrë të rrezikshme sipas epsheve dhe përfitimeve personale, në atë formë që nuk mund të sistemohet.
Së pari: “Muslimanët u përmbahen kushteve që vendosin mes tyre.” [1]
Së dyti Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Kushtet i presin (i ndajnë, qartësojnë) të drejtat.” [2] Ti ke të drejtë të kërkosh zbatimin e kushteve të kontratës, përndryshe nëse ata nuk i zbatojnë kushtet e kontratës ajo prishet. Nëse ndodh marrëveshje e mëvonshme mes teje dhe tyre dhe bini dakord (për një marrëveshje të re), atëherë në këtë rast dijetarët thonë: Dakordësimi i mëvonshëm është si kushti i mëparshëm.
Për shembull: Kompania kishte një politikë financiare të caktuar dhe supozonte fitime të caktuara, por pati humbje, është e natyrshme që kompania do të fillojë të hulumtojë mjete të kursimit, dhe të ndërmarrë masa, prej tyre: uljen e pagave të punonjësve të saj. Ajo e daklaron këtë gjë dhe ti (po themi) bie dakord. Pastaj ti i kthehesh kontratës së parë duke pretenduar atë që kishit rënë dakord fillimisht. Jo. (S’e ke këtë të drejtë). Sepse dakordësimi i mëvonshëm mes jush është sikur të kishit rënë dakord fillimisht, që në fillim të punës. Ose të lejohet të mos pranosh, dhe të thuash: ‘Unë dua ta prish kontratën.’ Kjo është e drejta jote. Por, që të biesh dakord, pastaj t’i kthehesh kontratës së parë, dhe të biesh dakord me kolegun tënd që të të shesë ilaçet dhe ti të marrësh ato fitime, kjo konsiderohet tradhti. Dhe Profeti ﷺ thotë: “Dhe mos e tradhto atë që të tradhton”.
Allahu e di më mirë.
Shejh Mesh’hur Hasen
———————————-
[1] Tirmidhiu
[2] Saktëson Albani