Pyetja:

Jam një motër myslimane, 19 vjeçare dhe jam martuar qe 1 vit dhe para 2 muajsh më ka ardhur burri në Gjermani. Unë, bashkë me burrin, banoj ende te baba im, për shkak të kushteve financiare. Tash kam mbetur shtatzënë dhe po kam problem me prindër sepse e punoj një zanat ku nuk bën të punosh shtatzënë, e më duhet ta lë punën. Ata po më thonë ta abortojë fëmijën për shkak të zanatit e burri ende nuk është në punë. Tash jam në javën e pestë të shtatzënisë (35 ditë të shtatzënisë) dhe ende nuk e di çka të bëj.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, derisa jeni e martuar dhe sigurisht se me lejen dhe vullnetin e prindit dhe familjes, është gjithçka normale që të mbeteni shtatzëne derisa jetoni me burrin, pavarësisht se në çfarë shtëpie, të babës apo të burrit.
Sa i përket abortimit të farës së fekonduar, nëse është fjala për fazën e parë të 40 ditëve, disa dijetarë e lejojnë tërësisht, por mendimi më i saktë të cilin e mbështesin edhe Komisioni i Përhershëm për Studime shkencore dhe Fetva si dhe është përzgjedhur në Enciklopedinë Kuvajtiane të së Drejtës Islame ku citojnë se aborti në atë rast do të lejohej me kushte, pra atëherë kur bëhet fjalë për ndonjë interes fetar, apo largim të ndonjë dëmi eventual. Kurse frika nga furnizimi i fëmijës, citojnë dijetarët, apo frika nga pamundësia për t’u marrë me edukimin e tyre, nuk janë masa të justifikueshme për ta lejuar abortin edhe në këtë fazë.
Kurse për fazat e tjera, nuk diskutohet se aborti është i ndaluar.

Në rastin tuaj, mendoj se nuk keni të drejtë të mendoni për abort, sepse gjithçka është në rregull dhe legjitime, kurse sa i përket punësimit tuaj, ai në esencë është i diskutueshëm se lejohet apo jo, e mos të flasim për rastin kur ju jeni ende në zanat dhe kërkohet edhe gjatë kohë deri sa ju të arrini gjendjen të punoni, dhe atëherë mund të lind dilema se lejohet të punoni apo jo. Çfarë nëse atëherë do t’ju thuhet se nuk ju lejohet të punoni dhe mbeteni edhe pa dhuratën e Allahut dhe po ashtu pa punë, ose do të punoni por me haram.

Le të punojë burri, le të aftësohet ai për kryerjen e punëve të veta, që ta sigurojë anën materiale për vete dhe për ju, kurse ju kryeni punët e tuaja të ndërtimit të familjes dhe edukimit të gjeneratave dhe mos i ngatërroni rolet e të kërkoni lejimin e gjërave të dyshimta!

Prindërit e tu le të binden se tash më të kanë martuar dhe çdo obligim bashkëshortor tashmë është mbi supet tua, ashtu siç është për nënën tuaj!

Mendoni realitetin tjetër se Allahu qysh në fillim të martesës po ju gëzon me dhuratë të madhe, për të cilët njerëz të tjerë vuajnë dhe shpenzojnë mjete të mëdha për ta arritur. Ndoshta vet ardhja e një fëmije në jetë në mesin tuaj, mund të jetë shkak që Allahu t’ua hapë dyert e furnizimit dhe të mirëqenies, andaj mos u mundoni që planet e juaja t’i konsideroni më të matura se caktimin e Allahut!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku