Pyetja:

Çfarë do të thotë të jesh i qëndrueshëm dhe parimor në fe?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Dijetarët e parë, e kanë definuar si:

“Përkujdesja për adhurimet, të dukshmet e të padukshmet, në të gjitha vendet e kohët, si dhe braktisja e harameve, të dukshme e të padukshme, në çdo vend dhe kohë”. Me fjalë tjera, Istikame d.m. th.: që njeriu t’i përmbahet fesë së Allahut kudo që të jetë e jo t’i nënshtrohet në një vend e në vendin tjetër ta kundërshtoj. Po kështu, nuk bën që një vit të jetë i devotshëm e vitin e ardhshëm të jetë shkatarraq.

Dijetarët kanë thënë se kuptimi i istikames është qëndrueshmëria në adhurim ndaj Allahut të Lartësuar dhe kanë shtuar se ajo është nga fjalët përmbledhëse të të Dërguarit ﷺ, rregulluese e çështjeve.

Pozita e Istikamesë tek Allahu i Madhëruar

Allahu ka sqaruar vlerën, shpërblimin dhe pozitën e lartë që ka tek Ai e ka thënë:

E, s’ka dyshim se ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej.” (Fussilet, 30)

Ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen.” (Ahkaf, 13)

Ka thënë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në kuptim të pjesës: “…dhe qëndruan besnikërisht…”,: Nuk bëjnë dredhi siç bën dhelpra. D.m.th.: nuk anuan kundër të vërtetës dhe nuk devijuan.

Nëse je prej të tillëve, atëherë mos u pikëllo për atë që kaloi prej jetës sate dhe mos ke frikë për ardhmërinë tënde ngase ti je nën kujdesin e Allahut.

Siç vërejtëm, Allahu në ajetet kur’anore të cekura më lartë, “frikën” e përmendi më parë se sa “pikëllimin” për arsye se njeriu zakonisht më shumë ndien frikë për të ardhmen se sa që pikëllohet për të kaluarën.

Kjo është pra pozita e tyre: Nuk ka frikë për atë që kaloi dhe as për atë që vjen. Ata janë përherë nën hijen e përgëzimeve; kanë Xhenetin, melaiket i përforcojnë, me një fjalë, të lumtur këtu e të lumtur në ahiret.

Istikameja nga Kurani dhe Suneti
Në Kuranin Famëlartë, Istikameja, respektivisht, kërkimi i saj, u përmend në katër kaptina. Më konkretisht u përmend për, zemrat të cilat qenë pastruar nga errësira e idhujtarisë. Allahu thotë: …pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij…” (Fussilet, 6)

Ti (Muhamed) përqëndrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar…” (Hud, 112)

E për këtë shkak (të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqendrohu..” (Shura, 15)

Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6)

Një njeri kishte ardhur tek Pejgamberi ﷺ dhe i kishte thënë: “O i dërguari i Allahut, ma thuaj një fjalë që pas teje të mos kam nevojë ta pyes askënd tjetër për të?” Pejgamberi, ﷺ i tha: “Thuaj: Besova në Allahun e pastaj përqendrohu (bëhu i fortë në këtë e mos u luhat)”.

Shpëtimi është në Qëndrushmerinë:

Lavdiploti thotë: “…Ky (liber që ka sjellë) është vetëm këshillë dhe një Kuran i qartë, për të paralajmëruar këdo që është gjallë.” (Ja-Sin: 6970)

Me këtë Ai ka bërë me dije se me Kuran do të fitojë dhe do të këtë dituri vetëm ai zemra e cilit është e gjallë, për çka flet edhe në një vend tjetër: “Në të gjitha këto, për atë që ka mandje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente.” (Kaf: 37)

Lavdiploti thotë edhe si vijon: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë!” (Enfal: 24)

Ata që nuk i përgjigjen të Dërguarit të Ti, Lavdiploti i krahason me të vdekurit. Ky është krahasim i mrekullueshëm; trupat e tyre janë vetëm varre të zemrës së tyre. Zemrat e tyre janë të vdekura dhe të varrosura në trupat e tyre.

Po ashtu, nuk janë kurrë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund tv bësh të dëgjojnë ata që janë në varrë?” (Fatir: 22)

Dikush e ka thënë për bukuri:

“Në pakujdesi, para vdekjes, vdesin të pakujdeshmit, trupat e tyre, para se të shkojnë në varrë, bëhen varrë.

Shpirtat në trupa vuajnë:
para ringjalljes për ta s’ka jetë.”

Për shkak të kësaj, Lavdiploti shpalljen, të cilën ua ka bërë të njohur të dërguarve, e ka quajtur ruh(shpirt), për shembull: “..Ai e dërgon Shpalljen me urdhërin e Tij tek ata, që ka zgjedhur prej robërve të Vet…” (Gafir: 15)

Këtë e ka bërë në dy vende në Kuran. Kështu, ka thënë edhe: “Dhe kështu, Në të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë…” (Shura: 52)

Arsye për këtë është se Shpallja është jetë për shpirt dhe zemrën . Përmes Shpalljes së Tij dhe veprimit në bazë të saj.

“Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar. Ne do ta bëjmë që të kalojë jetv të bukur dhe do ta shpërblejmë sipar veprave më të mira, që ka bërë”. (Nahl: 97)

Allahu Lavdiplot u ka caktuar jetë të mire në të dyja botët personave të tillë. Ngjashëm me këtë Lavdiploti ka thënë edhe: “(që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju jape të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo tv miri shpërblimin e merituar”. (Hud: 3)

“Ndërsa atyre që e kanë frikë Allahun, do t’u thuhet: “Cfarë ju ka shpallur Zoti juaj?’ – Ata do të thonë: ‘Mirësi!’ Ata që bëjnë vepra të mira në këtë botë do të kenë mirësi; në botën tjetër do të kenë edhe me të mira. Sa e mrekullueshme do të jetë shtëpia e atyre që i frikvsohen Allahut!”. (Nahl: 30)

“Ata që bëjnë mire në këtë jetë, do të kanë të mira, Toka e allahut është e gjerë”. (Zumer: 10)

Allahu tregon qartë se atë që bën mire do ta gëzojë më mirësinë e Tij në këtë dhe në botën tjetër.

Pengesat e Istikamesë

1. Dhënia pas epsheveNjeriu e sheh të vërtetën para vetes, qartas, por dhënia pas epsheve që e ka bërë rob e pengon atë. Zhveshja nga epshet është kusht për lirimin e zemrës nga robëria e epshit.

2. Shoqëria. Shumë të rinj, seriozisht, kanë menduar t’i kthehen rrugës së Allahut por shoqëria e keqe nuk i ka lënë…

3. Mosimagjinimi i rrezikut.

Myslimanët duhen të jenë të fortë në fe, të largohen prej mëkateve.

4. Keqkuptimi i “mesatarisë”.

“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur)…” (Bekare: 143)

Megjithatë, mesatarja sikur është keqkuptuar. Çfarë është ajo? Mesatari, me domethënie fetare, është praktika (tradita) e Pejgamberit, ﷺ dhe shokëve të tij. Atij që i ishte ndaluar ekstremiteti ishte Pejgamberi, ﷺ dhe atij që Allahu iu drejtua me mesatari ishte pikërisht Pejgamberi ﷺ

5. Keqkuptimi i modelit. Ndodhë që ndonjë njeri të gjejë ndonjë gabim tek disa muslimanë të mirë, dhe me këtë rast, ai nuk duhet të largohet prej tyre, ngase i pastër nga mëkatet e gabimet ka qenë vetëm Muhammedi, alejhi’s selam. Ajo që njeriu me këtë rast duhet ta bëjë është që në shpirtin e tij të mbjell edukatën e komunikimit, marrëveshjes, mirëkuptimit dhe nga çdo njeri të vjelë vetëm të mirat e tij.

6. Trysnia e ambientit. Ndodhë që njeriu të jetojë në një mes të paedukuar fetarisht dhe vazhdimisht të jetë nën trysni të tyre. E tallin, përbuzin dhe nënçmojnë atë dhe fenë e tij. Me këtë rast njeriu duhet ta dije se ky është ligj i Allahut te krijesat e Tij. Pejgamberët, alejhimu’s selam, ishin përherë nën trysni të tilla. Edhe me ata talleshin popujt e tyre…

7. Dobësia për vendimmarrje. Muslimani nuk duhet të jetë i tillë ngase “atë që e ndalon vepra nuk e shpejton gjenealogjia e tij”. D.t.th.: po nuk veprove mirë dhe mbete mbrapa në këtë aspekt, mos mendo se prejardhja jote familjare të shtyn tutje tek Allahu.

Si ta arrijmë Istikamenë?

1. Pendimi. Pendimi është zhveshja nga mëkatet dhe keqardhje për kryerjen e tyre. Ka thënë Allahu: “… Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. (Nur: 31)

Muhammedi ﷺ ka thënë:
“Vërtet më vie në zemrën time mendimi dhe dëshira ashtu që çdo ditë nga njëqind herë i lutem All-llahut për falje.” [1]

2. Vëzhgimi i Allahut. Muslimani duhet ta ketë nën vëzhgim të rreptë veten e tij përherë. Nuk mund të arrish Istikamenë po nuk ia pate frikën Allahut çdoherë. Sa bukur ka thënë poeti:

Nëse ndonjë ditë je vetmuar
mos thuaj u vetmova por thuaj kam vëzhgues
Mos mendo se Allahu ndonjë çast nuk vëzhgon
dhe se atë që e fsheh Allahu nuk e di

3. Llogaria. Muslimani çdo ditë duhet ta llogarisë veten për veprat e bëra… Allahu ka thënë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër…”. (Hashr: 18)

4. Rezistenca dhe ballafaqimi. Muslimani duhet ta kuptojë se armiku i tij më i madh është nefsi (ndjenja shtytëse për në keq) dhe mu për këtë me kohë duhet t’i shpallë nefsit luftë. Ka thënë Allahu: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” (Ankebut: 69)

Burimi: Radioislame

———-

[1] Muslimi