Pyetja:
Një mendimtar po thotë: emri i gruas nuk është i respektueshëm as në Islam, dhe as në fetë tjera. Kjo, ngase ne thirremi në emër të baballarëve, e nuk thirremi në emër të nënave. Emri i gruas shihet si auret-pjesë e turpshme. A nuk është kjo nënçmim për gruan dhe favorizim i burrit ndaj saj? Cili është komenti juaj për këto fjalë?
***
Përgjigjja:
I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, dhe paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ.
Emri i gruas është i respektueshëm si emri i burrit. Gruaja thirret në emër, ashtu sikur që thirret në emër edhe burri. Ndërkaq, ajo që ne thirremi në emër të baballarëve e nuk thirremi në emër të nënave, kjo është traditë e trashiguar te pjesa dërrmuese e popujve të botës, e jo vetëm te muslimanët. Poashtu, kjo nuk është diçka e shpikur tash, por kështu ka qenë gjatë gjithë historisë: njerëzit u janë atribuar baballarëve, familjes së baballarëve dhe fisit të baballarëve. Për këtë, njerëzve u thuhet: Bijë të Ademit. Këto shoqëri janë shoqëri të cilat u atribuohen baballarëve. Ka pak shoqëri ku njerëzit u atribuohen nënave.
Kjo duket shumë e logjikshme, ngase çdo herë burri ka qenë subjekti më i fuqishëm i cili punon dhe derdh djersë për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e familjes nga sulmet e tjerëve. Në Kuran qëndron se Allahu i Madhërishëm e ka paralajmëruar Ademin dhe gruan e tij prej shejtanit, e u ka thënë: ”O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xhenneti, dhe të vuash…” E pse në ajet është thënë: ”fe teshka” (të vuash), e nuk është thënë: ”feteshkaja” (të vuani ju dy)? Zamahsheriju dhe komentatorë tjerë të Kur’anit, kanë thënë: Është shprehur kështu, ngase mundi, lodhja dhe puna për të siguruar jetesën në këtë botë, në esencë, bien mbi shpinën e burrit.
Është evidente se gjinia mashkullore është më e fortë te gjallesat në përgjithësi, fjala vjen shihe:kaun dhe lopën, dashin dhe delen, gjelin dhe pulën, etj. Kjo është prej ligjeve të Zotit në natyrë, e jo se burrat i kanë dominuar gratë.
Por, kjo nuk e ul vlerën e gruas, ngase Allahu i Madhërishëm asaj i ka dhënë rol tjetër prej punës fizike dhe mbrojtjes, ia ka dhënë rolin e lindjes së fëmijës dhe edukimit të brezave. Vërtet, ky është një rol shumë i rëndë.
Më duhet të theksoj se ka disa burra që janë njohur me emrin e nënës, për ndonjë shkak, e kjo aspak nuk e ka ulur vlerën e tyre. Kështu, në historinë tonë e njohim: Muhamed ibn El-Hanefijje. Emri i tij i plotë është: Muhamed ibn Ali ibn Ebi Talib. Nëna e tij ka qenë prej fisit Beni Hanife. Poashtu, e kemi edhe Ismail ibn Ulejje (Ismaili djali i Ulejjes), një nga juristët e respektuar muslimanë, i është atribuar nënës.
Familja e Tejmijes, në mesin e të cilëve ka qenë edhe: Shejhu-l-Islam, Ahmed ibn Abdu-l-Halim ibn Abdusselam ibn Tejmijje. Të tre kanë qenë prej dijetarëve të mëdhej të umetit: gjyshi, babai dhe nipi. Të gjithë i janë atribuar Tejmijjes, e cila ka qenë nëna apo gjyshja e tyre.
Për sa i përket konsiderimit të emrit të gruas si auret-pjesë e turpshme, ndoshta këtë e rastisim te disa njerëz të thjeshtë apo të pacivilizuar, për fat të keq. Disa njerëz, kur duan ta përmendin gruan, thonë: Fëmijët apo familja, e jo gruaja. Bile, kam parë disa burra në vendet e gjirit arab që kur e përmendin gruan, thonë: Allahu të nderoftë (apo: më falni në shprehje), shprehje kjo që e thonë kur e përmendin gomarin dhe kafshë tjera të këtij lloji.
Por, kjo nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin, ngase ata këtë nuk e bëjnë nga devotshmëria dhe as me instruksione fetare. Kjo është prej shprehive të injorancës që nuk ka bazë në fe.
I Dërguari i Allahut ﷺ i ka përmendur gratë e veta me emra, apo me llagape: Aishe, Hafsa, Safije, Ummu Seleme, etj. Në këtë kontekst, në dy Sahihet është transmetuar se derisa i Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë në i’ëtikaf në xhami në Medine, ka shkuar gruaja e tij Safija ta viziton te dera e xhamisë. Derisa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte me të, e panë dy vetë nga medinasit-ensarët, dhe e shpejtuan ecjen. I Dërguari i Allahut ﷺ u tha: “Ngadalë, ju dy, kjo është Safija, bija e Hujejit.”
I Dërguari i Allahut ﷺ i thirrte gratë e veta me emra: Oj Aishe, oj Hafsa, etj. Poashtu, me emra i ka thirrur edhe hallën dhe bijën e vet, derisa ua tërhiqte vërejtjen Beni Hashimëve që të shpëtojnë prej xhehenemit. I Dërguari i Allahut ﷺ u thoshte: O Beni Hashim, shpëtonie veten tuaj prej zjarrit, se unë nuk mund t’ju ndihmojë kurgjë te Allahu; o Abas ibn Abdu-l-Muttalib, mixha i të Dërguarit të Allahut…; oj Safije, bija e Abdu-l-Muttalibit, halla e të Dërguarit të Allahut…; oj Fatime, bija e Muhamedit…; që të gjithë punoni, se unë nuk mund t’ju ndihmojë asgjë te Allahu.
Islami dallohet me atë se nuk e ka obliguar gruan që ta merr mbiemrin e burrit kur të martohet, e ta len mbiemrin e babait, siç është te perëndimorët, dhe siç e kanë imituar këtë disa vende muslimane. Por, gruaja fetarisht ka të drejtë ta mban emrin e saj, emrin e babait të saj dhe të familjes së saj, edhe pas martesës, njejtë sikur që e ka patur para martesës. Për këtë, për nënat e besimtarëve-gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ thuhet:Hadixheja bija e Huvejlidit, Seudeteja bija e Zum’as, Aisheja bija e Ebu Bekrit, Hafsa bija e Omerit, etj.
Kjo vlen edhe për femrat që hynë në grupin e sahabeve, si:Nusejbe bija e Ka’ëbit, Esma bija e Ebu Bekrit, etj. Poashtu, kjo vlëen edhe për të gjitha femrat tjera.
Allahu mundëson sukses.
Dr. Jusuf el-Kardavi
Përktheu: Bashkim Aliu