Pyetja:

Pas vdekjes së Muhamedit ﷺ, disa thonë se ai nuk është varrosur pas 3 ditëve, pasi ka pasur përçarje dhe gjakderdhje për ta trashëguar halifatin në mes të disa fraksioneve. A është e vërtetë që ia kanë vra nipërit, Hasanin dhe Husejnin?

***

Përgjigjja:

Disa grupime dhe disa individë, kanë paraqitur dilema të këtilla dhe me këtë janë munduar të shkaktojnë konfuzion në mesin e muslimanëve për fillet e historisë islame pas vdekjes së Muhamedit ﷺ. Me fjalë tjera, këto vlerësime janë bërë që të futet huti për atë se kush në të vërtetë kanë qenë shokët e të Dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit ﷺ. Nëse analizohen mirë dilemat e këtilla, do të shihet se dikush është munduar që, përmes sulmimit të shokëve të tij, ta sulmojë edhe Islamin në përgjithësi. Kjo, ngase shokët e Muhamedit ﷺ kanë qenë ata që kanë thithur dituri drejtpërdrejt prej Muhamedit ﷺ, dhe nëse ata nuk janë edukuar si duhet, si mund të kihet besim në atë që e kanë përcjellur prej tij? Pra, ky është dyshimi që ata mundohen ta ngjallin për mësimet islame, përmes futjes së dyshimit në shokët e Muhamedit ﷺ.

Kjo dilemë është e pabazë dhe e papranuar, ngase bie ndesh me të vërtetat historike dhe me vetë frymën në të cilën i Dërguari i Allahut ﷺ i edukoi (sahabët) shokët e vet.

Muhamedi ﷺ pas vdekjes nuk ka ngelur i pavarrosur tre ditë, por ai ka vdekur ditën e Hënë paradite, dhe është varrosur ditën e martë në mbrëmje. Kështu flasin burimet relevante historike. Supozimet tjera duhet të sjellin dëshmi dhe burime që i vërtetojnë, e atë gjë nuk mund ta bëjnë, ngase e vërteta është kjo.

Pas vdekjes së Muhamedit ﷺ, nuk ka patur as gjakderdhje dhe as fraksione. Por, sahabët janë tubuar dhe kanë kuvenduar se kush do ta trashëgojë Muhamedin ﷺ në udhëheqjen e shtetit, ngase ai vdiq, e Islami vazhdon, misioni i tyre vazhdon dhe misioni i shtetit islam vazhdon. Kjo nuk mund të ndodhë pa udhëheqës. Nga vetëdija e lartë për vazhdimin e misionit dhe për detyrat që i presin, ata u tubuan të bisedojnë dhe të zgjedhin kalif, e jo për t’u përçarë. Vetë Muhamedi ﷺ sa kishte qenë gjallë, në një hadith kishte thënë: “Nëse jeni dy vetë në udhëtim, njëri le të bëhet emir (udhëheqës).“ Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka treguar rëndësinë që ka udhëheqësi-emiri. Nëse kjo duhet të bëhet edhe në udhëtim, kur janë dy vetë, atëherë çka mund të thuhet për shtetin islam?! A thua do të lehet shteti pa udhëheqës?! Jo, assesi, kjo nuk bën. Nisur nga kuptimi i drejtë i rolit të emirit-udhëheqësit, sahabët u tubuan menjëherë të zgjedhin emir-udhëheqës, se pa udhëheqës nuk bën asnjë moment. Kështu i kishte mësuar ata vetë Muhamedi ﷺ.

Poashtu, kjo tregon se ata e kanë besuar Allahun drejt, dhe e kanë besuar Muhamedin ﷺ se është pejgamber i Allahut që do të vdesë një ditë, por Islami vazhdon se Allahu i Madhërishëm nuk vdes. Për atë, vdekja e Pejgamberit ﷺ ka qenë rëndë për ta, në këtë nuk ka dyshim, por nuk ka patur karakter të paralizimit të jetës dhe veprimtarisë. Ata kur e panë se ka vdekur Pejgamberi ﷺ, e kuptuan se ai është njeri që nuk jeton përgjithmonë, ndërkaq misioni islam vazhdon. Për këtë, nxituan të zgjedhin udhëheqës,

e poashtu edhe të pritet për përgatitjen e kufomës së të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Gjatë zgjedhjes, nuk ka patur zënka, sharje, fyerje dhe kacafytje, por thjesht ka patur bisedë dhe dhënie mendimesh për atë se kush e meriton të zgjidhet. Kjo është krejt normale për njerëzit. Këtu nuk ka asgjë të keqe dhe të çuditshme, apo të dëmshme për Islamin. Pasi u dhanë disa propozime, në fund u vendos nga shumica absolute që për këtë funksion më meritor është Ebu Bekri r.a.. Me të vendosur këtë, pastaj, të gjithë e pranuan Ebu Bekrin r.a. për udhëheqës. Asnjë nuk kundërshtoi dhe nuk e kontestoi atë për kalif. Mendimet u dhanë para vendosjes, e kur u vendos, të gjithë ia dhanë dorën duke i shprehur lojalitet.

Vetë Ebu Bekri r.a. nuk deshi të bëhet, por e propozoi Omerin r.a., mirëpo, të gjithë ranë dakord se ai ishte më meritori për këtë punë, ngase Muhamedi ﷺ atë e la imam në vend të vetin kur u sëmur. Kjo ishte një sinjal se ai duhet tu prijë muslimanëve pas tij. Muslimanët e patën kuptuar drejtë këtë sinjal, për atë edhe këtë detyrë ia besuan Ebu Bekrit r.a.

Çështja tjetër që ka të bëjë me nipat e Pejgamberit ﷺ: Është e vërtetë se Husejni r.a. është vrarë. Por, atë nuk e kanë vrarë sahabët, dhe as ai që ka qenë shia, sepse atëherë nuk ka qenë kjo ndarje që është sot në këtë formë, dhe as që e kanë vrarë sunitët, siç pandehin disa. Atë e ka vrarë një komandant i papërgjegjshëm me emrin Ubejdullah ibn Zijad, i cili nga mendjemadhësia dhe ashpërsia ka ditur të dalë prej kontrollit të udhëheqësit suprem. Ai ka bërë gabim të madh dhe e kanë mallkuar të gjithë. Por, çka kanë lidhje shokët e Muhamedit ﷺ me vrasjen e Husejnit r.a. ?!

A mos duan të thonë se Husjenin r.a. e kanë vrarë sunitët?! Vërtet kjo është e palogjikshme. Muslimanët e qajnë Husejnin r.a., nipin e Pejgamberit ﷺ, ndërkaq xhahilët nga kjo vrasje bëjnë dredhi për t’i përçarë dhe akuzuar muslimanët. Allahu na ruajttë prej sherrit të lëngprishësve!

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

Radioislame