Pyetja:
A ju lejohet punëtorëve ta pranojnë bakshishin, pa lejen e drejtorit?
***
Përgjigjja:
Islami ndalon të gjitha format dhe të gjithë emrat e mundshëm të mitës. Trajtimi i mitës si “dhuratë” nuk e shndërron prej sferës së haramit në atë të hallallit.
Në një hadith thuhet:
“Kur e angazhojmë ndonjërin në ndonjë punë, kujdesemi edhe për furnizimin e tij, dhe çdo gjë që pranon pos kësaj, konsiderohet fitim ilegal.” [1]
Kur i është dhuruar Umer ibn Abdulazizit një dhuratë gjatë halifatit të tij, ai e ka refuzuar, dhe kur i është thënë se Pejgamberi ﷺ e ka pranuar dhuratën, ai ka reaguar: “Për të ka qenë dhuratë e për ne ryshfet!”
Pejgamberi ﷺ dërgoi një njeri për ta mbledhur zekatin e fisit Ezd dhe kur u kthye te Pejgamberi, mori diçka prej zekatit të mbledhur dhe tha: “Kjo është për ju, e kjo tjetra është dhuratë imja!” Në atë rast, Pejgamberi ﷺ u hidhërua dhe tha: “Nëse ke të drejtë, a do të të arrinin këto dhurata sikur të qëndroje në shtëpinë e babait tënd dhe të nënës tënde!”
Pastaj vazhdoi e tha:
“Ç’është me mua? E caktoj njërin prej jush e më thotë: Kjo është e juaja e kjo është dhuratë imja? Sikur të ishte në shtëpinë e babait të vet, a do të merrte dhuratë? Betohem në Atë që ka shpirtin tim në dorën e Vet, askush prej jush nuk mund të marrë diçka të padrejtë e t’i dalë Zotit me të Ditën e Kiametit. Le të mos dalë askush prej jush Ditën e Kijametit duke mbajtur deve që ulëron, lopë që pëllet ose dele që blegëron!” Pastaj i ngriti duart e u lut: “O Zot, a e transmetova mesazhin!” [2]
Imam Gazaliu thotë: “Në bazë të këtyre qortimeve, gjykatësi, guvernatori ose ndokush tjetër që është autoritar, duhet të imagjinojë se është në shtëpinë e babait dhe të nënës së vet. Në qoftë se mendon se do të pranojë dhuratë edhe pas braktisjes së punës, atëherë mund ta pranojë dhuratën e ofruar. Në qoftë se mendon se nuk mund ta pranojë në shtëpinë e prindërve të vet por i dhurohet vetëm për shkak të postit, atëherë nuk duhet ta pranojë. Nëse e ka vështirë të vendosë, si p.sh. për dhuratat e shokëve të vet, të cilët mund t’i dhurojnë dhuratë edhe kur nuk është në post, atëherë bie në një pozitë të dyshimtë dhe i preferohet që të mos e pranojë dhuratën e tyre.” [3]
Përfundim:
Nga argumentet e mësipërme mund të përfundojmë se “bakshishi” në vend të punës është i ndaluar. Si në rastet kur klienti i jep punëtorit për shkak të shërbimit (punës) që punëtori kryen (punë për të cilën ai është i paguar me rrogë nga punëdhënësi), është e ndaluar të mirret, dhe në qoftëse mirret nga punëtori atëherë ajo duhet t’i dorëzohet punëdhënësit! Arsyetimi se dhurata nga klienti i është dhënë punëtorit, i takon punëtorit është e pavlefshme, dhe këtë mund ta vërtetojmë nga fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Nëse ke të drejtë, a do të të arrinin këto dhurata sikur të qëndroje në shtëpinë e babait tënd dhe të nënës tënde! “dhe nga fjalet e Gazaliut “Në qoftë se mendon se nuk mund ta pranojë në shtëpinë e prindërve të vet por i dhurohet vetëm për shkak të postit, atëherë nuk duhet ta pranojë.”
Dr. Jusuf Kardavi, “Hallalli dhe Harami”
——————————–
[1] Ebu Davudi
[2] Transmetim unanim.
[3] Ihjau ulûmid-dîn, libri El-halâlu vel-harâm, fq. 137