Pyetja:

Jam një grua 20 vjeçare, jam e martuar dhe i kam dy fëmijë. Njërin e kam 18 muajsh e tjetrin 6 muajsh dhe prapë jam shtatzënë (6 javësh). Tash jam në dilemë të madhe: a ta mbaj fëmijën tim apo ta abortoj? Sepse po kam frikë se mos është keq për mua që brenda dy viteve t’i kem 3 lindje, ose do të kem pasoja me shëndet më vonë.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar! Allahu t’i ruajttë fëmijët dhe i bëftë të bereqetshëm e të hairit! Po ashtu e lus Allahun që t’ju shpërblejë për lindjet dhe sakrificat tuaja! Pa dyshim se për barrën, lindjen, gjidhënien, rritjen dhe edukimin e fëmijëve nëna ka shpërblime shumë të mëdha, për ç’gjë Allahu thotë:

Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. (Lukman: 14)

Në anën tjetër, aborti, motër e nderuar, është i ndaluar, e sidomos kur fryti ka kaluar 40 ditë mëkati është edhe më i madh. Nuk është zgjidhje aborti për të ikur nga obligimet dhe detyrat që i kemi ndaj fëmijëve. Kjo mënyrë e të menduarit është shumë gabim. Andaj ju bëni durim dhe pranojeni këtë caktim të Allahut me zemërgjerësi dhe bindje të plotë. Dije se Allahu e di gjendjen e robërve të Tij dhe ju ndihmon pa dyshim, nëse nijetin e kanë të pastër.

Mund të parandaloni shtatzëninë përmes mjeteve kontraceptive dhe ruajtjes gjatë ditëve kur bëhet fekondimi i qelizave.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku