Pyetja:
A ka namaz vullnetar gjatë ditës apo është vetëm namazi i natës?
***
Përgjigjja:
Po ka namaze nafile (vullnetare) gjatë ditës, e prej tyre veçojmë:
1- Dy ose katër rekate para ikindisë: Transmeton Ibn Omeri se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Allahu e mëshiroftë njeriun, që i falë para ikindisë katër rekate“. [1]
2- Dy rekate para akshamit: Transmeton Abdullah ibn Magfeli se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Faluni para akshamit, faluni para akshamit”, pastaj në të tretën herë ka thënë:“kush dëshiron.“ [2]
3- Dy rekate para jacisë: Transmeton Abdullah ibn Mafel se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Mes çdo dy ezanave ka namaz, mes çdo dy ezanave ka namaz“, pastaj në të tretën herë ka thënë: “për atë që dëshiron”.
4- Dy rekate namaz të duhasë: Transmetohet nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Kur zgjoheni secili prej jush ka për të dhënë sadaka për nyjet e trupit, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe ilallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, urdhërimi në të mirë është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka, e për të gjitha këto mjafon t’i falësh dy rekate namaz të duhasë“. [3]
5- Kur kthehesh nga udhëtimi: Transmetohet nga Ka’b ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ, kur u kthente prej udhëtimit, gjëja e parë që bënte ishte shkuarja në xhami dhe falja e dy rekateve namaz.” [4]
6- Namazi i istihares: Transmetohet nga Xhabir Ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të), se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ, na mësonte duanë e istihares për çdo çështje, sikurse na mësonte suret e Kur’anit dhe thoshte: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendos për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë:
“All-llahume inní estehíruke bi ‘ilmike ve estakdiruke bi kudretike ve es`eluke min fadlikel-’adhim, fe inneke takdiru ve la akdiru, ve ta’lemu ve la a’ëlemu ve ente al-lámul gujúb. All-llahume in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru – (e emërton nevojën e tij) – hajrun lí fi diní ve me’áshí ve ‘ákibeti emrí ve ‘áxhilihi ve áxhilihi fakdirhu lí ve jessirhu lí thumme barik lí fihi. Ve in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru – (e emërton nevojën e tij) – sherrun lí fi diní ve me’áshi ve ‘ákibeti emri ve ‘áxhilihi ve áxhilihi, fasrifhu anní vesrifní anhu vakdir lí el-hajre hajthu kane thumme erdiní bihi.”
(“O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj prej të mirave Tua të shumta; sepse Ti ke mundësi, kurse unë s’kam mundësi; Ti di çdo gjë kurse unë nuk di; Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (e emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet kjo, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time për kohën e tashme dhe të ardhmen largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”)
————————————————————-
[1] Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, i cili ka thënë se hadithi është i mirë.
[2] Buhariu
[3] Imam Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi
[4] Buhariu, 3088 dhe Muslimi, 2769