Pyetja:
Cilat janë sprovat më të vështira që i godasin besimtarët këto ditë?
***
Përgjigjja:
Allahu i sprovon vazhdimisht njerëzit gjatë jetës së tyre sipas ligjeve të Tij hyjnorë. Kështu që, ashtu siç ndahet qymyri prej smeraldit, apo ari prej dheut dhe gurit, edhe Ai ndan prej tyre të pjekurit nga të papjekurit, e të pastrën nga jo e tilla. Njëkohësisht, çdo sprovë më vete është një përvojë ku ne mund të tregojmë veten. Domethënë, Allahu i Lartësuar, që e njeh vlerën tonë që në krye të herës, kërkon njëfarësoj që të na sprovojë se deri ku do të përballojmë, cili do të jetë reagimi ynë përballë fatkeqësive që mund t’ia behin, ku do të durojmë e ku do të devijojmë, ku do të shtrëngojmë dhëmbët për të duruar, e ku do të shfaqim sjellje të natyrës kritikuese ndaj kaderit. Kësisoj, sprovat që na dalin përballë, janë nga një fare “ja sheshi, ja mejdani! Tregoni gjithsecili vlerën tuaj.”
Vështirësia e sprovimit sipas madhësisë së synimeve
Allahu thotë: “Me të vërtetë që Ne ju sprovojmë juve me pak frikë, uri, pakësim të pasurisë, të njerëzve dhe të prodhimeve për t’ju provuar, (O Profet) jepu sihariq durimtarëve.” (Bekare: 155), duke u shprehur e vërteta se njeriu do të përballet me shumë sprova gjatë jetës së tij, por për t’u dhënë sihariq, janë ata që do të durojnë. Sipas kësaj, ashtu siç adhurimet ia ngrenë gradën njeriut, edhe sprovat që mund të quhen nga një lloj adhurimi i pësuar, e pastrojnë njeriun prej mëkateve, për ta ngritur mandej drejt majave më të larta dhe madhështore. Kësodore, detyra që i bie mbi supe çdo besimtari përballë sprovimeve të vazhdueshme nga ana e Allahut, është që të bëjë durim; përpos kësaj, duhet ta shohë këtë si një mundësi për t’u përballur me veten, në mënyrë që të bëjë përllogaritjet nëse ka treguar apo jo një gjendje të mirë.
Meqë edhe vështirësia apo vuajtja qenkan po aq të rëndësishme sa edhe shpërblimi dhe mirësitë, edhe sprovimi i një personi që kërkon të ngjitet majave më të larta, poaq i vështirë ka për të qenë, gjithnjë në raport me vlerën dhe madhështinë e synimit. Për shembull, të biesh dëshmor duke fluturuar drejt një tjetër horizonti jete, është një arritje shumë e madhe. Mirëpo, një arritje e tillë është e lidhur me luftimin, plagosjen, e nganjëherë edhe me sakrifikimin e jetës në rrugën e Allahut. Kështu që, një njeri që i ka vendosur vetes një synim të këtillë, duke u përpjekur që t’i realizojë një më një të gjitha kërkesat që të parashtron kjo lloj rruge, cilatdo qofshin fatkeqësitë apo vuajtjet që mund t’i dalin përballë, ai duhet të dijë si të durojë; të mund të jetojë pavarësisht vetvetes.
Ka edhe nga ata që ngelen në rrugë…
Njeriu që e ka të gjithë jetën të mbushur veç me sprova të vendosura në zinxhir njëra pas tjetrës, nuk sprovohet vetëm nëpërmjet problemeve apo fatkeqësive. Atij mund t’i ndodhë diç e atillë edhe duke iu falur vazhdimisht suksese apo mirësi, të cilat mund të jenë si materiale ashtu edhe shpirtërore. Po, njeriu gjatë jetës së tij, do të kalojë nëpër vende dhe hapësira të atilla, që disa syresh mund ta bëjnë që t’i vijë mendja vërdallë, disa poste apo pozicione, – Zot na ruaj – do ta bëjnë atë, që ndoshta t’i rrëshqasë këmba, e kësodore, të gjitha viruset apo mikrobet e këtilla, do të vihen në radhë që t’i sulmojnë botën shpirtërore. Kjo do të thotë, se njeriu andejpari, ndonjëherë do të sprovohet nëpërmjet rehatisë, ndonjëherë me famën, e diku me postin apo pozitën, apo edhe me veç duartrokitjet.
Gazaliu, i rrëfen me një shembull të gjitha këto lloje sprovash: Njeriu niset me një vendosmëri të pashoqe për të mbërritur në Xhenet. Kërkon të shkojë, sepse që më parë, atij i kanë folur për bukuritë marramendëse të atij vendi. Mirëpo, ndërsa gjatë rrugëtimit sheh ujërat që rrjedhin me atë zhurmërimën e tyre të ëmbël, e gjethet e pemëve duke shushuritur, cicërimat e zogjve dhe freskinë e mundshme, që është formuar gjithaq, ai vendos që të qëndrojë aty, duke e harruar fare vendin për ku ishte nisur. Saora, ndërton aty një kolibe të vogël, pasi ka vendosur që të jetojë aty.
Në fakt, ky shembull e shpreh në mënyrën më të qartë aventurën e rrugëtimit jetësor të qenies njerëzore. Ju mund t’i mendoni edhe me trajta të tjera ato bukuritë që mund të tërheqin vëmendjen e njeriut. Domethënë, njeriu, përveç egoizmit apo prirjes për të jetuar një jetë të zhytur veç në rehati, mund të mbërthehet edhe prej shumë gjërave të tjera tërheqëse. Mirëpo, pa u kapërcyer këto vende, nuk mund të mbërrihet në Xhenet, apo tek Allahu.
Ambicia për pasuri
Njëra prej sprovave më të rëndësishme, me të cilën mund të përballet njeriu është edhe dëshira për pasuri dhe zotërim. Madje, mund të thuhet, se kjo ka qenë edhe mashtrimi më i madh që mund të ketë rënë pre njeriu. I Dërguari i Allahut ﷺ, në një hadith shprehet: “Edhe sikur një luginë të tërë me flori të kishte i biri i Ademit, prapë do të kërkonte edhe një të dytë, pasi gojën e tij nuk mund ta ngopë asgjë tjetër veç dheut. Vetëm se e vërteta është se Allahu e pranon pendesën e atyre që pendohen.” [1]. Të kërkosh sa vjen e më shumë me një ambicie të pashtershme, duke u përpjekur për të zotëruar biznese dhe korporata të mëdha, madje edhe të marrësh edhe atë që i përket një tjetri është një çështje që përbën dobësi për shumë prej njerëzish. Madje, në shumicën e ngatërresave dhe problemeve që ngjasin mes njerëzve lindin prej një rivaliteti të tillë interesash.
Fatkeqësisht, që sot është një e vërtetë, shumë e shumë njerëz vdesin për hir të kësaj gjëje. Mund të gjeni pafund njerëz të dhënë pas parasë, e cila u nis me një “sa të ble një shtëpi”, e pastaj shkon drejt “t’i blej edhe djalit një shtëpi, pastaj edhe një për vajzën, por edhe nipi/mbesa duhet të ketë një vilë të bukur…” Madje mund të njihni edhe njerëz përkushtuar shërbimit, të cilat janë kapur mandej pas pasurisë deri në nivel përuljeje para saj. Asisoj prej këtyre, që edhe rrogën që u jepet nuk e shohin si të mjaftueshme, por lënë pas dore shërbime jetësore për të ardhmen e kombit dhe shtetit të tij, e sakaq largohen prej rrugës së të parëve të tyre, për të hyrë në rrugën e njerëzve të kësaj bote.
Varësia prej epshit
Një tjetër sprovë e vështirë e kohëve tona është edhe varësia prej epshit. Një bela si kjo, përveç se ka qenë një sprovë tejet e vështirë gjatë gjithë historisë, sot është kthyer një ndër problemet më serioze.
Mevlana tregon një rrëfenjë në lidhje me dobësinë e epshit, ku vendos djallin, i cili i drejtohet dhe i flet Allahut (xh.xh.) me një gjuhë që nuk i ka aspak hije. Në Kuran dhe Sunet jepen disa prej shprehjeve të pahijshme dhe demagogjike që përdor djalli. Mirëpo, ndryshe prej tyre, Mevlana këtu tregon diçka tjetër: Djalli, i drejtohet Allahut duke i thënë se Ai e ka poshtëruar, duke e çuar drejt humbjes së hidhur. Aty për aty i kërkon Atij që të paktën të mund ta përdorë kundër njerëzve, pasi ai do të mund t’i nxjerrë ata prej rrugës, nëse Ai do t’u jepte disa mundësi. Allahu i jep atij pasurinë, postin dhe famën. Mirëpo ai nuk kënaqet me asnjërën prej tyre. Atëherë Allahu i Madhëruar i thotë se mund t’i japë mundësinë që të përdorë mashkullin për femrën, e femrën për mashkullin, gjë e cila e kënaq jashtë mase djallin, duke e bërë që të fluturojë prej gëzimit.
- Megjithëse mund të mos gjendet në burimet kryesore, më e rëndësishmja për ne është e vërteta që shpreh kjo histori. Po, për disa natyra njerëzore, epshi është sprova më e vështirë. Kjo e vërtetë mund të lidhet edhe me një hadith: “Xhehenemi është i mbështjellë prej epshit, ndërsa Xheneti me vështirësi dhe gjëra që nuk i pëlqejnë egos së njeriut.” [2]. Po, përkundër Xhenetit, që për të shkuar tek ai ka rrugë të gjata, me fusha pa fund, ujëra të pakapërcyeshëm, rruga e Xhehenemit është e mbushur me të ngrëna, të pira dhe rehati prej dembelësh, duke plotësuar çdo kërkesë të egos. Njeriu që mbërthehet prej këtyre, pa e kuptuar asfare, fillon të zvarritet sa vjen e më poshtë.
Dëshira për famë
Të rendësh pas pozitave, posteve dhe gradave, duke i lidhur të gjitha punët e kryera me vlerësimin e tyre, janë disa prej sprovave që shumë prej njerëzve i kanë humbur. Është një prej dobësive ku mund të pengohet çdo person, ku nuk duhet harruar asnjëherë, se një njeri që mendon se do ta mbartë deri matanë budallallëkun e famës (atë të llojit në varrimin tim të ketë sa më shumë pjesëmarrës), mund të bëjë çdo gjë në këtë botë derisa t’ia arrijë dëshirës së tij për famë.
Zoti na mbrojttë prej rënies në një boshllëk të këtillë vrasës, e na bëftë të mundur që të ecim drejt botës tjetër me vizën e besimit dhe me një vetëdije të thellë besimi se cilido qoftë veprimi ynë, duhet kryer duke menduar se aty është edhe Allahu, e nëse nuk e shohim ne Allahun, Ai është duke na parë ne.
Përkthim
———————–
[1] Buhariu, rikak, 10; Muslimi, zekat, 116
[2] Buhariu, rikak, 8; Muslimi, xhenet, 1