Pyetja:

1. Çka do të thotë fjala “Islam”?

***

Përgjigjja:

Fjala Islam do të thotë të bësh paqedhe dorëzim. “Të bësh paqe” do të thotë që besimtari të jetojë në paqe e qetësi me vetveten dhe me rrethin ku banon. “Dorëzimi” përdoret për ta theksuar pranimin e vullnetit të Zotit. Muslimani e fiton me Islamin paqen duke iu nënshtruar apo dorëzuar vullnetit dhe dëshirës së Zotit. Në Kur’an, në librin e shenjtë të muslimanëve, vetë Zoti thotë se Ai e ka zgjedhur Islamin si fe për njerëzimin: Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe.“ (Maide: 3)

Muslimanët e refuzojnë titullin “muhammedan” që atyre u jepet nga ana e perëndimorëve, sepse Muhammedi ﷺ si pajgamber ka qenë vetëm përcjellës i porosisë së Zotit dhe se i vetmi që meriton adhurimin është vetë Zoti.

2. Kush është Allahu?

All-llah është një fjalë arabe që shënon “Zotin një” dhe nuk është emër i një zoti privat të muslimanëve. All-llahu është i vetmi Krijues i gjithësisë që meriton të adhurohet e të respektohet; bile edhe të krishterët arabë Zotin e quajnë Allah. Ai i ka krijuar njerëzit dhe përmes shpalljeve të Tij ua ka treguar atyre rrugën më të mirë për në këtë botë, në mënyrë që në botën tjetër (Ahiret) të mos përjetojnë ndonjë dënim.

3. Çfarë do të thotë titulli “musliman”?

Sipas kuptimit të fjalës musliman është njeriu i cili në mënyrë vullnetare i nënshtrohet vullnetit të Zotit dhe i cili krijimin e paqes e ka si obligim të vetin. Njeriu bëhet musliman nëse deklaron se s’ka zot tjetër pos Atij Një dhe se Muhammedi ﷺ, është i dërguar (profet) i Tij. Në kuptimin më të gjerë musliman është personi i cili në mënyrë vullnetare dhe me vetëdije të plotë i nënshtrohet vullnetit dhe dëshirës së Zotit. Nisur nga kjo arsye, të gjithë pejgamberët që kanë qenë përpara Muhammedit ﷺ, po ashtu kanë qenë muslimanë. Kur’ani e përmend në veçanti Ibrahimin a.s., i cili ka jetuar shumë më herët se Musai (Mozes) dhe Isai (Jezus) dhe i cili nuk ka qenë as hebre e as krishter, porse “musliman” (Ali Imran: 67), ngase ai i është nënshtruar vullnetit të Zotit.

Nga ana tjetër ka njerëz që quhen dhe thirren se janë muslimanë, a në fakt nuk i nënshtrohen vullnetit të Zotit, ashtu siç ka edhe të tjerë që bëjnë çmos për të çuar një jetë islame. Nuk duhet gjykuar rreth Islamit vetëm duke i shikuar njerëzit që bartin emra muslimanësh a në të vërtetë me veprimet dhe jetën e tyre nuk sillen si muslimanë. Se sa një njeri është musliman, varet nga gatishmëria për t’iu dorëzuar dhe nënshtruar me besim e vepra vullnetit të Zotit.

4. Kush ka qenë Muhammedi?

Muhammedi a.s. ka lindur në vitin 570* në qytetin e Mekkes të Arabisë Saudite si anëtar i një fisi të njohur. Paraardhësit e tij mbërrijnë deri te pejgamberi Ismail a.s., djalë i Ibrahimit a.s. Babai i vdiq Muhammedit a.s. pak para se të lindte ky, kurse nëna kur ky ishte 6 vjeç. Ai nuk ka ndjekur ndonjë shkollë, porse – ashtu siç praktikohej në ato kohëra – është rritur nga një mëndeshë (dado) dhe më vonë është marrë nën kujdesin e gjyshit e të xhaxhai të vet. Që nga rinia ai është njohur si një njeri i drejtë dhe i besueshëm. Afërsisht kur ky kishte 40 vjet iu paraqit meleku Xhibril në shpellën në të cilën ky ishte veçuar për meditim dhe e njoftoi atë se ishte pejgamber i Zotit. Shpalljet e mëtutjeshme kanë zgjatur për një periudhë prej 23 vjetësh dhe më vonë janë përmbledhur në formë libri. Ky libër, pra Kurani, për muslimanët është shpallja e fundit dhe definitive e Zotit. Kur’ani nuk është ndryshuar dhe është ruajtur në formën origjinale; ai e vërteton Torën (Tevratin), Psalmet (Zeburin) si dhe Ungjillin (Inxhilin), të cilat me kalimin e kohës njerëzit i kanë ndryshuar.

5. A i luten muslimanët Muhammedit?

Jo. Muslimanët nuk i luten as Muhammedit ﷺ po as ndonjë pejgamberi tjetër.Muslimanët i njohin të gjithë pejgamberët e mëparshëm si Ademin, Nuhin, Ibrahimin, Davudin, Sulejmanin Musain, Isain si dhe të gjithë të tjerët (paqja e Zotit qoftë mbi ta!). Muslimanët besojnë se Muhammedi ﷺ ka qenë vula e pejgamberëve, d.m.th. i dërguari i fundit i Zotit. Ata besojnë se asnjë gjallesë tjetër përveç Zotit nuk guxon të adhurohet e të lutet.

6. Çfarë thonë muslimanët për Isain (Jezusin)?

Muslimanët e vlerësojnë dhe e respektojnë shumë lart Isain, Paqja qoftë mbi të, si dhe nënën e tij Merjemen (Marinë). Kur’ani na lajmëron se Jezusi (arab. Isa) është lindur pa baba si një mrekulli e Zotit. Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: “Bëhu!” e ai u bë.” (Ali Imran: 59) Me ndihmën e Zotit si pejgamber ai ka realizuar shumë mrekulli (arab. muxhize), ndër të tjera ai menjëherë sapo ka lindur ka mund të flasë, për ta mbrojtur nënën e vet dhe për ta vërtetuar drejtësinë dhe pafajësinë e saj. Zoti atij i ka dhënë edhe aftësi të tjera si p.sh. shërimin e të verbërve dhe të sëmurëve, rizgjimin (ringjalljen) e të vdekurve, formimin e një zogu të gjallë nga balta dhe më e rëndësishmja: Ai i ka dhënë atij një porosi e një mesazh për njerëzimin. Këto mrekulli, të cilat ia pati dhënë Zoti, e konfirmojnë pejgamberinë e tij. “Ai nuk është kryqëzuar, porse është ngritur në qiell” (Ali Imran: 54-55). Sureja Merjem (19) i përshkruan mrekullitë e Isait, Paqja qoftë mbi të, në ajetet 27-34.

7. A ka në Islam drejtime të ndryshme të besimit?

Në Islam dallojmë dy drejtime kryesore: shiitët dhe sunnitët. E përbashkët për të dyja drejtimet është se Kurani dhe shëmbëlltyra e Muhammedit ﷺ përbëjnë bazamentin e besimit të tyre. Të dyja falin pesë kohët e namazit në ditë, agjërojnë muajin e Ramazanit dhe shkojnë në haxhxh, vizitë Qaben në Mekke. Dallimin midis këtyre dy drejtimeve mund ta barazojmë me dy format e ndryshme të të menduarit të tyre. Muslimanët, të cilët fjalët dhe veprat e Muhammedit ﷺ i marrin për obligative, quhen sunnitë, kurse ata, të cilët si shtesë i marrin për të sakta dhe vendimtare edhe fjalët dhe mendimet e Aliut (dhëndërrit të Muhammedit ﷺ) dhe të cilët Aliun e konsiderojnë për pasardhës politik dhe shpirtëror të Muhammedit ﷺ, quhen shiitë. Termi “Shia” prej të cilit rrjedh edhe termi “Shiitë”, do të thotë “parti” – në këtë rast “parti e Aliut”. Realisht ajo ka filluar si parti politike, e cila ka dëshiruar t’i ndihmojë Aliut përballë kundërshtarëve të tij. Sot shiitët përbëjnë afërsisht 15 % të popullatës së përgjithshme të muslimanëve. Shumica prej tyre jetojnë në Iran dhe Irak, ndërkohë që muslimanët e vendeve të tjera janë kryesisht sunnitë.

8. Cilat janë detyrat kryesore të një muslimani?

Islami mbështetet mbi pesë shtylla, prej të cilave rrjedhin detyrat si vijojnë:

1) Dëshmia (shehade), se ka vetëm Një të adhuruar (me meritë) dhe se Muhammedi ﷺ është i dërguar i Tij,

2) Namazi (salah), i cili duhet të kryhet 5 herë në ditë,

3) Agjërimi (sijam), i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit,

4) Zekati, që është një lëmoshë e detyruar për qëllime të mira nga pasuria e pasanikëve,

5) Pelegrinazhi (haxhxhi) në Mekke, të cilin duhet ta kryejë së paku një herë në jetë secili musliman që ka mundësi fizike dhe financiare.

Të gjitha shtyllat e kësaj ndërtese të besimit duhet ta kenë të njëjtën rëndësi për një musliman, që të mund ndërtesës t’ia japin formën e saj të përshtatshme. Është kontradiktore që një person ta kryejë haxhxhin e nga ana tjetër të mos agjërojë ose të mos e falë namazin rregullisht. Le ta marrim një ndërtesë që është e ngritur vetëm mbi shtylla. Është vështirë që njeriu këtë ta quajë ndërtesë. Përveç kësaj ajo duhet të ketë edhe një kulm (çati), muret si dhe dyer e dritare. Këto pjesë të ndërtesës së besimit në Islam e përbëjnë sjelljet morale që shprehen përmes virtyteve si ndershmëria, sinqeriteti, durimi dhe shumë veti të tjera. Prandaj, nuk lypet që një musliman t’i kryejë vetëm shtyllat e Islamit, porse vazhdimisht duhet të përpiqet ta zhvillojë dhe përsosë gjithnjë e më tepër karakterin e tij sipas normave islame.

9. Çfarë roli luajnë adhurimet (ibadetet) në Islam?

Qëllimi i ibadeteve apo adhurimeve në Islam është vetëdijesimi për praninë dhe ekzistencën e Zotit. Adhurimi, qoftë të jetë ky namazi, agjërimi ose zekati, është një hap në rrugën drejt cakut: arritjes së kënaqësisë së Zotit.

Nëse dikush me idetë dhe sjelljet e tij jeton duke e pasur në vetëdije Zotin, atëherë ai mund të shpresojë në mirëqenien e tij në këtë dhe në botën tjetër.

10.  Çka e pret muslimanin pas vdekjes?

Zoti është i drejtë dhe për ta ushtruar drejtësinë e Tij, në Islam ekziston parimi i përgjegjësisë. Njerëzit që bëjnë punë të mira do të shpërblehen, kurse ata që bëjnë punë të këqija do të dënohen varësisht sipas dëmit që kanë bërë. Prandaj edhe Zoti ka krijuar parajsën (xhennetin) dhe ferrin (xhehennemin), të cilët arrihen me plotësimin e disa kushteve.

Muslimanët e dinë se kjo jetë e tanishme është afatshkurtër  dhe se vijon një jetë tjetër pas kësaj. Jeta e tanishme është një provim dhe nëse ne e kalojmë këtë provim, atëherë neve do të na dhurohet një jetë e pafund e lumturisë në xhennet në shoqëri me njerëzit e drejtë.

11. Çka ndodh me një “jobesimtar” pas vdekjes dhe a ka mëkate që nuk i fal Zoti?

Kurani thotë qartë: E kush e punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele: 78) Me këtë jepet të kuptohet se ata njerëz që nuk besojnë por që bëjnë punë të mira në këtë botë, për shkak të këtyre veprave të tyre të mira ata do të shpërblehen në këtë botë. Ndërkaq njerëzit që janë muslimanë dhe bëjnë punë të mira ata do të shpërblehen jo vetëm në këtë botë porse edhe në botën tjetër. Gjykimi përfundimtar për këtë i takon vetëm Zotit (Kurani, 2:62)*. Së këndejmi, mëkatin e politeizmit (besimit në shumë zota) Zoti nuk do t’ia falë atij që ka vdekur me atë besim (Kur’ani, 4:48, 116)*.

12. Përse duhet gratë muslimane të bartin shaminë?

Muslimani duhet t’i japë rëndësi edhe modestisë sa i takon veshmbathjes dhe njeriu nuk duhet të trajtohet si një objekt i thjeshtë i lakmisë. Prandaj edhe në Islam ka disa rregulla për veshjen si për mashkullin ashtu edhe për femrën. Veshja nuk guxon të jetë as shumë e hollë po as shumë e ngushtë sa të shihet forma e trupit. Veshja e mashkullit duhet ta mbulojë më së paku pjesën prej kërthizës e deri nën gjunjë, kurse ajo e femrës duhet ta mbulojë tërë trupin e saj përveç fytyrës dhe duarve. Sipas disa dijetarëve islam, mbulimi i fytyrës së gruas nuk është i obliguar. Mbështetje për këto rregulla përbën ajeti kuranor (24:31)**, të cilin e precizojnë pastaj hadithet e Muhammedit ﷺ Këto detyra, si edhe çdo detyrë tjetër në Islam, për muslimanët vlejnë detyrueshëm që nga mosha e pubertetit, ngase kjo periudhë shënon moshën madhore të njeriut.

13. A është në Islam vetëm mishi i derrit i ndaluar?

Me Kur’an muslimani urdhërohet të mos hajë mishin e derrit, të produkteve të derrit si dhe mishin e kafshës së ngordhur (Kurani, 5:3)*. Krahas këtyre nuk është i lejuar as edhe mishi i kafshëve grabitqare, ngase ato vetë ushqehen edhe me mish të kafshëve të ngordhura. Përveç kësaj muslimani nuk guxon të konsumojë as edhe pijet alkoolike, si verën ose birën, si dhe drogën dhe llojet e saj.

14. A ka “luftë të shenjtë” në Islam ose çfarë është “xhihadi”?

Shpesh nëpër medie përmenden dhe barazohen termat xhihad dhe luftë e shenjtë. Në Islam nuk ekziston termi “luftë e shenjtë”. Ajo që përmendet është fjala xhihad, e cila nënkupton “përpjekjen” ose edhe më saktë “të pëpiqesh në rrugë të Zotit”. Çdo përpjekje që ndërmerret në jetën e përditshme për ta arritur kënaqësinë e Zotit, mund të konsiderohet si xhihad. Njëra prej shkallëve më të larta të xhihadit është të ngrihesh kundër sundimit të një tirani dhe atij t’ia thuash të vërtetën. Të luftosh kundër egos tënde dhe ta ruash veten nga sjelljet e këqija, po ashtu është një përpjekje e madhe në rrugën e Zotit. Xhihad është edhe kapja e armëve në dorë për ta mbrojtur Islamin ose një vend musliman. Ky lloj i xhihadit duhet të thirret nga një lider fetar ose nga një kryetar shteti i cili e ndjek Kur’anin dhe sunnetin (shembullin e pejgamberit Muhammed ﷺ).

15. Cilat ditë feste i njeh Islami?

Me Idul-Fitrin (festa, bajrami i Ramazanit) mbaron koha e agjërimit të muajit Ramazan. Këtë festë muslimanët e kremtojnë me një namaz publik (me xhemat), me ushqime të posaçme për atë ditë si dhe me vizita e dhurata të ndërsjella. Idul-Ed’ha (festa, bajrami i Kurbanit) ndodh aty kah mbarimi i haxhxhit, pra të pelegrinazhit vjetor në Mekke. Pas faljes së namazit me xhemat, ata që kanë mundësi financiare, presin nga një dele, dash apo ndonjë kafshë tjetër, për ta theksuar e për ta përkujtuar dëgjueshmërinë e Ibrahimit a.s. ndaj Zotit, kur ky ishte i gatshëm ta bënte kurban madje edhe djalin e vet për Zotin (Kurani, 37:101-107)*.

16. Ç’është sheriati (e drejta islame)?

Sheriatiështë ligji i përgjithshëm i muslimanëve, i cili burimin e ka në a) Kur’an dhe b) Sunnet (veprimet dhe sjelljet e Muhammedit a.s.). Ai përfshinë të gjitha fushat e jetës së përditshme private dhe shoqërore. Synimi i së drejtës islame është ruajtja e të drejtave elementare të njeriut si individ. Kjo përfshinë të drejtën e jetës dhe të pronës, të lirisë politike dhe fetare si dhe mbrojtjen e të drejtave të gruas e të pakicave. Shkalla e ulët e krimeve në shoqëritë muslimane i atribuohet zbatimit të së drejtës islame.

17. A është përhapur Islami me “zjarr e shpatë”?

Në Kuran thuhet: Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota…” (Bekare: 256), andaj edhe askush nuk mund të detyrohet të kalojë në Islam. Është e vërtetë se ushtritë muslimane, për ta çliruar një popull ose një vend, shpesh kanë ngjeshur shpatat. Mirëpo Islami nuk është përhapur me shpatë, sepse në shumë vende, ku sot jetojnë muslimanët, si p.sh. në Lindjen e Largët, në disa vise të Kinës ose në shumë regjione të Afrikës, nuk gjejmë dot raportime që flasin se atje kanë marshuar ndonjëherë ushtritë muslimane. Nëse thuhet se Islami është përhapur me shpatë, atëherë duhet thënë se edhe Krishterimi është përhapur me pushkë, me bombardues F16 dhe me bomba atomike, çka realisht nuk është e vërtetë. Krishterimi është përhapur përmes veprimtarisë së misionarëve, ndërkaq Islami përmes tregtarëve dhe udhëtarëve. 10 % e numrit të përgjithshëm të arabëve akoma janë të krishterë. Gjithashtu edhe në vendet e tjera muslimane toleranca e muslimanëve ka siguruar mbijetesën e pakicave jomuslimane. Madje edhe sot e kësaj dite thuajse në të gjitha vendet muslimane ka pakica jomuslimane.

Edhe në Gjermani (e gjetiu në Perëndim) jomuslimanët po e pranojnë Islamin në mënyrë vullnetare dhe si pasojë e bindjeve të tyre. Ata dhe të gjithë muslimanët e tjerë duan të jetojnë në paqe me të tjerët dhe nuk kanë shpata për t’i kthyer të tjerët në Islam.

18. Ç’është qëndrimi i Islamit kundrejt dhunës dhe terrorizmit?

Islami është fe e paqes dhe e nënshtrimit ndaj Zotit dhe i jep një vlerë të veçantë paprekshmërisë dhe shenjtërisë së jetës njerëzore. Një ajet kur’anor thotë: Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligjin) beni israilve (çifutëve) se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit…” (Maide: 32) Islami e gjykon çdo formë të dhunës si p.sh. atë të kryqëzatave, atë në Spanjë gjatë inkuizicionit, atë të Luftës II-të Botërore, mizoritë e kryera nga serbët mbi popullatën boshnjake etj. Ai që ushtron dhunë nuk mund njëkohësisht ta ushtrojë edhe fenë e vet. Ndonjëherë përdorimi i dhunës është reaksion njerëzor i një populli të shtypur. Terrorizëm apo dhunë ka apo ka pasur edhe atje nuk ka fare ose ku ka shumë pak muslimanë, si p.sh. në Irlandën e Veriut, në Afrikën Jugore, në Amerikën Latine ose edhe në Sri Lankë. Ndonjëherë dhuna ndodh edhe në luftën midis të pasurve dhe të varfërve ose midis shtypësve dhe të shtypurve. Duhet të hulumtohet e të sqarohet se përse njerëzit bëhen terroristë.

Terrorizmi si mjet për zbatimin e synimeve të caktuara bie ndesh me parimet e fesë Islame. Madje edhe në luftë Muhammedi ﷺ e ka ndaluar të luftohen njerëzit të cilët nuk kanë marrë pjesë në aktivitetet luftarake. Ai ka shkuar edhe më tej, saqë ka thënë se në luftë është e ndaluar edhe prishja e të lashtave (korrave) të kundërshtarit.

19. Ç’është “fundamentalizmi islam”?

“Fundamentalizmi islam”, që në sytë e perëndimorëve ka filluar me Revolucionin e Iranit (në vitin 1979), barazohet me terrorin dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, atë e shohin si rrezikun më të madh për vetveten. Mirëpo për shumicën dërmuese të muslimanëve të mbarë botës termi “fundamentalizëm islam” është një term i rremë. Ata në fakt pranojnë se qëndrojnë mbi bazat (fundamentet) e besimit të tyre, mirëpo jo se edhe ata janë ekstremistë.

Sulmet terroriste, që njerëzit i arsyetojnë me Islamin, mediat i paraqesin si akte të “fundamentalizmit islam”. Mirëpo terrorizmi bie ndesh me fundamentet e fesë islame dhe atentatet me bomba nuk mund të jenë islame, përderisa mundësia për diskutim paqësor është akoma e hapur. Islami nuk e favorizon luftën. Sepse besimi islam dhe kultura e tij kanë lulëzuar në kohë paqeje e jo në kohë lufte. Prandaj kjo duhet që në mënyrë të ndershme të dallohet e të sqarohet dhe të mos gjykohet Islami dhe shumica dërmuese e muslimanëve për shpërdorimin e Islamit nga ana e atyre që janë shumë-shumë më pak në numër.

20. A ka Islami një llogaritje të veçantë të kohës?

Kalendari islam fillon me shpërnguljen (hixhretin) e Muhammedit ﷺ nga Meka për në Medine në vitin 622. Viti islam llogaritet sipas hënës dhe ka 354 ose 355 ditë. Muaji i parë quhet Muharram. Viti 2009 i përgjigjet vitit islam 1430-1431 pas Hixhretit.

21. Pse meshkujt muslimanë guxojnë të martohen me më shumë gra?

Transmetimet fetare tregojnë se, përveç Isait a.s. (Jezusit) i cili nuk ka qenë i martuar, shumë pejgamberë të tjerë kanë pasur më shumë se një grua. Sipas Kur’anit për burrat muslimanë ekziston leja që njëkohësisht të jenë të martuar me më shumë gra, mirëpo jo për ta kënaqur epshin e vet, porse para së gjithash për ta siguruar përkujdesjen ndaj të vejave e jetimëve pas një lufte. Martesa me shumë gra nuk është obligim dhe ndër muslimanë kjo është një përjashtim (rast i veçantë). Në kohën para-islame burrat kishin si zakonisht më shumë gra, dikush prej tyre kishte p.sh. 11 gra. Pasi ky kaloi në Islam e pyeti Muhammedin ﷺ: “Ç’të bëj me kaq shumë gra?” Muhammedi ﷺ iu përgjigj: “Shkurorëzoji të gjitha, përveç katër prej tyre!”. Kurani fisnik thotë: “Në qoftë se frikoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, me tri e me katër. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni.” (Nisa: 3). Meqë në praktikë është shumë vështirë t’i trajtosh njësoj të gjitha gratë, shumica e burrave muslimanë nuk kanë më shumë se një grua. Vetë Muhammedi ﷺ nga mosha 25 deri në 50 vjeçare ka qenë i martuar vetëm me gruan e tij të parë, Hadixhen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Në shoqërinë perëndimore disa meshkuj, që janë të martuar me një grua, kanë edhe marrëdhënie jashtëmartesore. Kështu në gazetën “USA Today” (4 prill 1988, seksioni D) është publikuar një hulumtim, sipas të cilit 4700 dashnore janë pyetur se cilin status donin ta kishin ato në jetën e tyre. Ato janë përgjigjur se më mirë preferojnë të jenë një grua e dytë e dikujt sesa “një grua tjetër”, sepse me këtë ato nuk kanë as të drejtat po as edhe statusin e barabartë financiar, që me ligj u takojnë grave të martuara. Ato konsiderojnë se thjeshtë po përdoren nga ana e meshkujve.

22. A janë gratë të shtypura në Islam?

Jo, përkundrazi. Islami pikërisht para 1430 vitesh e ka ngritur pozitën e gruas në atë shkallë, saqë asaj ia ka garantuar të drejtën për shkurorëzim, të drejtën për pavarësi financiare dhe për mirëmbajtje, si dhe të drejtën për t’u njohur si grua e ndershme dhe e respektueshme (Hixhab) në një kohë kur në pjesët tjera të botës, përfshirë edhe Evropën, gruaja nuk i kishte këto të drejta. Sa u takon detyrave fetare gruaja është e barabartë me burrin (Kurani, 33:35)*. Kjo shprehet në Kur’an edhe në ajetin 124 të sures 4 (en-Nisa’) si vijon: “Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në Xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie”. Islami ia lejon gruas që pas martësës ajo ta ruajë mbiemrin vajzëror të saj, t’i menaxhojë paratë që i ka fituar vetë dhe t’i shpenzojë ato si të dojë. Islami e ngarkon burrin që në jetën publike ta ruajë gruan nga ngacmimet e bezdisjet. Muhammedi ﷺ u ka thënë burrave muslimanë: “Më i miri ndër ju është ai që më së miri sillet me familjen e tij”.

Jo Islami, porse disa burra muslimanë janë ata që sot e kësaj dite i shtypin gratë e tyre. Kjo ndodh për shkak të zakoneve të tyre kulturore dhe / ose për shkak të mungesës së njohurive rreth fesë së vet.

23. A është Islami jotolerant ndaj pakicave fetare?

Islami i njeh të drejtat dhe liritë fetare të pakicave. Kjo vjen në shprehje ndër të tjera edhe në këtë ajet kur’anor: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota…” (Bekare: 256). Për ta garantuar mirëqenien dhe sigurinë e tyre, pakicat i nënshtrohen një tatimi të quajtur xhizje. Përveç kësaj ata janë të liruar edhe nga shërbimi ushtarak. Pejgamberi Muhammed ﷺ ua ka ndaluar ushtrive muslimane që të prishin e demolojnë kisha e sinagoga. Halifi Omer jo një herë ua ka lejuar çliruesve muslimanë që namazet e tyre t’i falin në një kishë, që të mos i lëndojnë ndjenjat e të krishterëve të atij vendi. Çifutët (jehudinjtë) kanë bashkëjetuar me muslimanët në paqe në Spanjën muslimane dhe atje lulëzoi jeta e tyre shoqërore, ndërkohë që ata në pjesët tjera të Evropës ishin të përndjekur. Këtë pjesë të historisë së tyre ata e konsiderojnë si epokë të artë të veten. Nëpër vendet muslimane të krishterët jetojnë në rehati e mirëqenie, kanë poste ministrore dhe nuk pengohen të hyjnë në kishë. Misionarëve krishterë u është lejuar të ndërtojnë shkolla e shtëpi shëndeti si dhe t’i mirëmbajnë ato. Përkundër kësaj, pakicat muslimane nuk e gëzojnë gjithnjë të njëjtën tolerancë fetare, siç mund të shihej më parë gjatë inkuizicionit spanjoll dhe gjatë kryqëzatave ose siç është rasti sot në ish Jugosllavi, në Izrael dhe në Indi. Ndërkaq muslimanët e dinë edhe atë se një mbret apo udhëheqës nuk u përmbahet gjithnjë mësimeve të fesë së vetë gjatë ushtrimit të postit e të pushtetit që ka.

24.  Ç’është qëndrimi i Islamit rreth këtyre pyetjeve:

a. Dashuria dhe marrëdhëniet intime jashtë martesës

Islami nuk i pranon dhe nuk i lejon marrëdhëniet intime jashtëmartesore midis dy gjinive. Ai kërkon martesën, e cila shërben si mbrojtje nga tentimet e tilla dhe si mjet për arritjen e dashurisë, mëshirës dhe paqes së ndërsjellë.

b.Homoseksualiteti

Islami në mënyrë kategorike e refuzon përjetimin e prirjeve homoseksuale dhe atë e trajton si mëkat (Kurani, 7:80; 26:165)*. Pavarësisht nga kjo, mjekët muslimanë duhet të tregojnë të njëjtën përkujdesje për të sëmurët nga AIDS-i ashtu si për pacientët tjerë, madje qoftë që këta të jenë infekuar nga kjo sëmundje përmes kontakteve homoseksuale.

c.Kontraceptimi dhe aborti

Edhe pse Islami e lejon pengimin e shtatzënisë në raste të arsyetueshme, ai nga ana tjetër nuk e lejon dhunën ndaj jetës (fëmijës) së palindur. Abortin e konsideron si mbytje, ngase ai është sulm kundër një njeriu të gjallë, dhe e lejon atë vetëm në rastin kur duhet të shpëtohet jeta e nënës së foshnjës së palindur.

ç.Ndihma për vdekje (eutanazia) dhe vetëvrasja

Nga njëra anë Islami është si kundër vetëvrasjes ashtu edhe kundër eutanazisë (ndihmës për të vdekur që e kërkon i sëmuri rëndë ose të afërmit e tij). Nga ana tjetër, po ashtu, muslimanët e refuzojnë përdorimin e çdo lloj mjeti që shërben për “zgjatjen” artificiale të jetës së një pacienti të sëmurë për vdekje.

d.Transplantimi i organeve

Shpëtimi i jetës në Islam zë një vend të çmuar lartë (Kurani, 5:32)*. Andaj edhe transplantimi i organeve marrë në përgjithësi konsiderohet i lejueshëm, me kusht që të merret në konsideratë pajtueshmëria i dhuruesit të organeve. Ndërkaq, shitja e organeve nuk është e lejuar.

25. Si duhet të sillen muslimanët kundrejt çifutëve dhe krishterëve?

Kur’ani çifutët si dhe të krishterët i quan “popull të librit”, që do të thotë ata të cilët kanë pranuar shpallje nga Zoti para kohës së pejgamberisë së Muhammedit a.s. Muslimanët e kanë për detyrë ndaj tyre të sillen me respekt e drejtësi dhe të mos i luftojnë ata, përderisa ata nuk shkaktojnë armiqësi dhe nuk tallen me Islamin. Ky respekt dhe kjo tolerancë ndërkaq nuk kufizohet vetëm me çifutët dhe të krishterët. Mbase ata për shkak të traditës monoteiste dhe ibrahimiane (abrahamiste) zënë një vlerë të veçantë te muslimanët. Muslimanët bartin shpresën se një ditë çifutët dhe të krishterët do t’u bashkëngjiten atyre për ta adhuruar Një të Vetmin Zot dhe për t’iu nënshtruar vullnetit të Tij. (Kurani, 3: 64)*.

 

Gjermania dhe Evropa me karakterin e tyre pluralist gjithnjë e më shumë po zhvillohen në një shoqëri multikulturore. Kështu në Gjermani sot jetojnë afërsisht 3.5 milionë muslimanë, në Evropë 35 milionë kurse në mbarë botën mbi 1 miliardë. Përskaj krejt kësaj akoma në Gjermani dhe gjetiu mbisundojnë shumë keqkuptime dhe paragjykime rreth Islamit dhe muslimanëve. Mediat vendore, përjashtuar disa prej tyre, kontribuojnë shumë pak për ndreqjen dhe korrigjimin e informacioneve të rreme rreth Islamit. Tani, një bashkëjetesë e qetë dhe e patrazuar është e mundur vetëm nëse shemben paragjykimet ekzistuese dhe nëse vazhdimisht nuk shtohen të reja; ngase nga paragjykimet nuk qëndron shumë larg as edhe gjykimi.

Për ta neutralizuar këtë zhvillim, ne e shohim si obligim tonin që të informojmë drejtë dhe realisht rreth Islamit dhe muslimanëve. Kjo më së miri mund të arrihet përmes një vetëprezantimi. Nisur nga kjo arsye ne e publikojmë këtë broshurë duke shpresuar që sadopak të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të lartpërmendura. Në të jepen informacione të drejta dhe të shkurtra rreth pyetjeve që për çdo ditë i parashtrohen një muslimani rreth fesë islame. “25 pyetje rreth Islamit” bazohet në një broshurë në gjuhën angleze**, përmbajtjen e së cilës ne ia kemi përshtatur rrethanave tona vendore.

Në botimin e pestë të kësaj broshure ne kemi bërë edhe disa përmirësime shtesë. Ne gëzohemi që kjo broshurë e vogël ka gjetur një jehonë aq të madhe dhe shpresojmë në sugjerimet e mëtutjeshme të lexuesve tanë.

———————————————-

**Titulli origjinal i broshurës: 25 Most Frequently Asked Questions About Islam, Dr. Shahid Athar, Indianapolis 1993.

*Muslimanët e shprehin këtë fjalë përshëndetëse kur përmendet emri i Muhammedit ose i pejgamberëve të tjerë.

*“Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.” (Kur’ani, 3:67)

**Në disa vepra viti i lindjes së Muhammedit a.s. shënohet të jetë 571.

*“E, ata (jehuditë) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), Allahu iu kundërvu dredhisë së tyre, Allahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi. (Përkujto, o i dërguar) Kur Allahu tha: ‘O Isa, Unë po të marr ty, po të ngre tek Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngre lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e Kiametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, Unë gjykoj mes jush për atë që kundërshtoheshit.” (Bekare: 54-55).

*Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, krishterë e sabejë, kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen.“ (Bekare 2:62)

*S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa: 4:48)

**“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre. të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat ose fëmijët nuk i kanë të pjekur për gra.” (Nur: 31).

*“Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj…” (Maide: 3)

*“Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djalli) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djalli im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!” E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm.” (Saf: 101-107)

 

*Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakdhënësit dhe sadakdhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.(Ahzab: 35)

*“Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush? Vërtet  ju, të shtyrë nga epshet, u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar.”(Araf: 80-81);
“(Të mjerët ju) A shkoni pas meshkujve të kësaj bote? E gratë tuaja i leni anash, të cilat Zoti juaj i krijoi për ju! Por ju jeni një popull që kaloni çdo kufij!” (Shuara: 165-166)

 

*E kush e ngjall një njeri (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit”(Maide: 32)

*“Thuaju (o i dërguar): ‘O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë askë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotë pos Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)! (Ali Imran: 64)