Pyetja:
A është nevojë e patjetërsueshme përfshirja e mësim-besimit në kurrikulat e shkollave publike?
***
Përgjigjja:
Po bëhet një kohë e gjatë, që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare vuan simptomat e një degradimi psiqik e moral me rrjedhojë prezencën e dukurive të tilla, si zvetënimi moral, shkatërrimi i familjes si qeliza bazë e shoqërisë, rritja e kriminalitetit në përmasa të papara ndonjëherë në vendin tonë, deri tek krimi i organizuar, përhapja e prostitucionit, trafikimi i drogës dhe qenieve njerëzore, shtimi në përmasa të frikshme i hakmarrjes dhe gjakmarrjes, korrupsioni i përhapur gjerësisht në Administratën Publike, në sistemin arsimor, atë mjekësor, e sidomos në sistemin e drejtësisë etj.
Është e padyshimtë, se shkaku kryesor i një situate të tillë të shoqërisë shqiptare e ka fillesën në periudhën e diktaturës komuniste pothuaj gjysëmshekullore, kur dy brezni shqiptarësh u privuan nga besimi në Zotin (xh.sh.) e urdhëresat e Tij, dhe atyre iu imponua një edukim intensiv me idete e ateizmit e të një materializmi ekstrem.
Pas këtij procesi të imponuar nga një aparat shtetëror tejet represiv, shoqëria shqiptare në Agun e Demokracisë u ndodh në një situatë të ngjashme me trupin e një njeriu, të cilit i është shkatërruar sistemi imun. Kur bashkë me oksigjenin e vlerave të pamohueshme të Lirisë ajo thithi edhe plot mikrobe pa e patur fare mendjen për t’u kujdesur, ajo u sëmur keq.
Në emër të lirisë së shprehjes dhe qarkullimit të lirë të ideve shqiptarëve iu servirën me shumicë e pa u penguar, si modelet më të përparuara të “shoqërisë moderne” rendja drejt pasurimit të shpejtë dhe me çdo mjet, pornografia dhe liria seksuale e pafre, e përhapur masivisht e pa asnjë pengesë, deri madje edhe tek të miturit, duhanpirja, alkoolizmi, përdorimi i drogës etj.
Emigracioni i përmasave dramatike dhe mosrealizimi ekonomik i pritur prej tij, humbja masive e parave në skemat piramidale, si dhe problemi i pazgjidhur i pronës ka shkaktuar sipas ekspertëve trauma psiqike në një numër të konsiderueshëm individësh. Me këtë mund të shpjegohet edhe dukuria e panjohur më parë në shoqërinë shqiptare – krimi në familje. Nuk ka ndodhur më parë në këtë vend, që i biri të vrasë babanë, ose ky të vrasë gruan bashkë me fëmijët e vet.
Qytetet shqiptare nga Kryeqyteti e deri tek qendrat më të vogla të banuara gëlojne sot nga lokalet e lojrave të fatit, që nga kazinotë e deri tek ato të basteve sportive. Epidemia e bixhozit ushqehet edhe nga stacionet televizive, e lloj lloj reklamash duke nxitur njerëzit, që të humbin pasurinë, të hyjnë në borxhe dhe në jo pak raste të vrasin edhe veten.
Shfaqja e telenovelave të panumërta çdo ditë e disa herë në ditë nga të gjithë stacionet televizive, që mbërthen në audiencë një numër të madh grash shtëpiake, e ku tradhtia bashkëshortore serviret si gjëja më moderne ka patur efektin e një arme të shkatërrimit në masë për familjen shqiptare të pavaksinuar. Rrjedhojat janë të dukshme -rritja galopante e divorceve dhe një armatë fëmijësh, që mbeten rrugëve. Krimi për shkak të xhelozisë gjen rëndom pasqyrim në lajmet televizive.
Është e pamohueshme se Shqipëria në këto 22 vite të sistemit demokratik ka pësuar transformime të thella zhvillimore, sidomos në planin ekonomik. Gjendja ekonomike e njerëzve është përmirësuar ndjeshëm, ka marrë hov biznesi privat, është kryer një vepër e madhe për ndërtimin e një infrastrukture rrugore, ujësjellës kanalizime etj., është zhvilluar arsimi, shëndetësia etj., por megjithë këto suksese të arritura në aspektin material, nuk duhet injoruar simptoma e sëmundjeve shpirtërore e psiqike nga të cilat po lëngon sot shoqëria jonë. Pa shërimin e tyre nuk mund ta kemi të sigurt ardhmërinë e popullit tonë.
Ne i respektojmë përpjekjet e strukturave shtetërore për të luftuar krimin, korrupsionin e trafiqet, për edukimin arsimor të brezave etj., dhe i mbështesim ato që të mos ndalen në këtë rrugë, por sipas mendimit tonë do të ishte e domosdoshme dhe më me efekt, që krahas kësaj të përqendroheshin përpjekjet tek edukimi i njerëzve me moralin e shëndoshë njerëzor e qytetar.
Është tashmë e provuar, që këtë lloj edukimi e bën me sukses të plotë Feja. Është provuar gjithashtu se ata që besojnë në Zotin (xh.sh.), në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij e në Ditën e Gjykimit janë pothuajse të imunizuar nga veset negative e shthurja morale dhe pothuajse nuk kanë fare probleme me shëndetin mendor.
Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër kërkohet që në kurrikulat e Arsimit Parauniversitar të shtohet edhe lënda e Mësim-Besimit, si lëndë fakultative (jo e detyrueshme) për nxënësit shqiptarë sipas besimeve të ndryshme, të cilëve ata i përkasin. Jemi të ndërgjegjshëm, se përvetësimi i njohurive fetare nga nxënësit do të jetë një proces relativisht i gjatë, por jemi të sigurt se ndikimi i tij në shëndoshjen morale dhe psikologjike të shoqërisë sonë do të jetë vendimtar dhe në ngritje të vazhdueshme.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë