Pyetja:

Disa njerëz thonë që Islami dhe besimi nuk kufizohen vetëm me porosinë e Pejgamberit Muhamed ﷺ, por Islami dhe besimi mund të arrihen nga çdo person që adhuron Allahun në çfarëdo mënyre, para dhe pas misionit të bekuar të Muhamedit. Cili është komenti juaj?

***

Përgjigjja:

Sa u përket atyre para misionit të pejgamberit Muhamed ﷺ, gjithkush qe ka besuar në të Dërguarit e mëhershëm, është një nga banorët e xhenetit. Kushdo që ka besuar në Musën, Isën, Hudin, Salihin, pra, në të gjithë të Dërguarit, është një nga banorët e xhenetit, nëse ka vdekur duke besuar në këtë. Por, pas misionit të Pejgamberit ﷺ, askush s’bën pjesë në
banorët e xhenetit, përveç atyre që kanë ndjekur Muhamedin ﷺ.

Të gjithë banorët e Tokës, pas dërgimit të Muhamedit ﷺ, nuk kanë mënyrë tjetër të shpëtimit veç ndjekjes së Muhamedit ﷺ. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Krejt umeti im do të hyjnë xhenet, përveç atyre që refuzojnë” U tha: ”Kush refuzon, o i dërguar i Allahut?” “Ata që më binden, do të hyjnë në xhenet; ata që më kundërshtojnë, kanë refuzuar”, – u përgjigj ai ﷺ.
Kështu, pasuesit e Pejgamberit ﷺ janë ata, që do të hyjnë në xhenet, në përjashtim të të tjerëve. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasha Atë, në Dorë të të cilit është shpirti im, asnjë nga ky popull, qoftë çifut, qoftë i krishterë, nuk dëgjon për mua dhe vdes pa besuar në atë me çka jam dërguar veçse do të jetë banor i xhehenemit.”

Pra, pas dërgimit të Muhamedit ﷺ, askush s’mund të jetë nga banorët e xhenetit, përveç atyre që e pasojnë atë. Sa u përket atyre që dëgjojnë për të dhe e mohojnë e nuk i besojnë atij, ata do të jenë banorë të Zjarrit. Kurse, sa për ata që nuk kanë dëgjuar për Pejgamberin ﷺ, për ata vlen i njëjti vendim si për ata që kanë jetuar në kohën mes pejgamberëve. Rasti i tyre do t’i takojë Allahut në Ditën e Ringjalljes – Allahu do t’i sprovojë dhe, ata që e kalojnë testin, do të hyjnë në xhenet; ata që nuk e kalojnë testin, do të hyjnë në xhehenem. Allahu na ruajt.

Sa u përket atyre që dëgjojnë për porosinë e Pejgamberit ﷺ dhe dëgjojnë për Kuranin dhe nuk besojnë, ata do të jenë nga banorët e Zjarrit. Ai që nuk i konsideron mosbesimtarët si mosbesimtarë, është si ata. Është thelbësore që të konsiderohet mosbesimtar ai që nuk beson në Allahun. Prej këtu, është dëshmuar në hadithin sahih se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Ai që beson në njësinë e Allahut dhe mohon atë që adhurohet veç Allahut, pasuria e tij dhe gjaku i tij bëhet i ndaluar, dhe Allahu do ta llogarisë atë.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kushdo që mohon tagut (zotat e rremë etj) dhe beson në Allah, ai është kapur për vend-mbajtjen më të sigurt, që kurrë nuk thyhet. Dhe Allahu dëgjon gjithçka, di gjithçka. (Bekare: 256)

Është thelbësore të besohet në Allahun, në njësinë e Tij, dhe të jemi të sinqertë ndaj Tij e
të besojmë që besimtarët ndjekin besimin e vërtetë. Dhe është tepër e rëndësishme të
konsiderohen mosbesimtarë ata mosbesimtarë që kanë dëgjuar për sheriatin, por nuk
kanë besuar, si çifutët, të krishterët, mexhusët, komunistët dhe të tjerët që ekzistojnë sot
apo që kanë ekzistuar më herët. Kushdo që dëgjon për porosinë e Allahut dhe nuk
beson, është nga banorët e xhehenemit.

Shejh Ibn Baz, “Mexhmu Fetaua” 28/44

Përktheu: Suad Shabani