Pyetja:

Cilat janë situatat ku duhet dhënë zekatin sa u përket pronave të
paluajtshme?

***

Përgjigjja:

Lavdi Allahut.
Është e mirënjohur se prona e paluajtshme sot nuk është siç ka qenë më
herët, sa i përket popullaritetit dhe interesimit të njerëzve për të, si dhe
situatave të ndryshme sipas të cilave dallon vendimi i zekatit. Prona e paluajtshme nënkupton tokën dhe strukturat e ndërtuara në të, si: shtëpi, pallate, ndërtesa të larta, banesa për banim, dyqane, pika të karburanteve, hapësira argëtimi, e kështu me radhë.

Për çështjen e zekatit lidhur me pronat e paluajtshme mund të themi si në vijim:

1. Parimi i përgjithshëm është se prona e paluajtshme nuk përbën pasuri për të cilën duhet dhënë zekatin, prandaj udhëzimi parësor është se zekatin nuk duhet dhënë për të, përveç nëse mendohet të bëhet tregti me të.

2. Sa i përket pronës së paluajtshme që personi merr për të qëndruar në të apo për ndonjë përdorim tjetër personal, si për magazinim e punë të ngjashme, sipas konsensusit të dijetarëve, për të nuk jepet zekati. Kjo sepse në këtë rast prona e paluajtshme konsiderohet pronë private për të cilën, sipas konsensusit, nuk jepet zekati. Pavarësisht se a ka qenë i pranishëm qëllimi për ta mbajtur atë si pronë private në kohën e blerjes apo ky qëllim është bërë më vonë, thjesht pasja e qëllimit për ta mbajtur pronën e paluajtshme për përdorim personal e vendos atë në kategorinë e pasurisë për të cilën nuk jepet zekati, edhe nëse mbahet për vite të tëra, për sa kohë që qëllimi i pronarit nuk ndryshon.

3. Për tokën bujqësore nuk jepet zekati; zekati jepet vetëm për të lashtat dhe për frytet. Por, nëse personi blen tokë me qëllim që të bëjë tregti me të dhe po ashtu e kultivon derisa ta shesë, ndërsa të mbjellat japin frytet dhe të lashtat piqen, atëherë ai duhet të japë zekatin për frytet dhe të lashtat – një të dhjetën e tyre – dhe po ashtu të japë zekatin për vlerën e tokës, sepse këto janë dy lloje të ndryshme obligimesh, që dallojnë në arsyet për të cilat janë të obligueshme; domethënë kryerja e njërës prej tyre nuk të liron nga kryerja e tjetrës. Zekerijja el-Ensari tha: “Nëse personi kultivon të lashta për përdorim personal në tokën që blihet për qëllim tregtie, atëherë secila prej tyre merr vendimin e vet. Pra, ai duhet të japë zekatin edhe për të lashtat që kultivon, edhe dhe për tokën.” [1]

4. Sa i përket pronës së paluajtshme që personi merr me qëllim që ta përdorë – duke e dhënë me qira –, për vlerën e pronës nuk jepet zekati, por jepet për qiranë që mblidhet prej saj, pasi të kalojë një vit i plotë (hënor). Pra, sa u përket vendbanimeve, magazinave, apartamenteve të mobiluara, hoteleve dhe ndërtesave të larta, nëse këto janë përgatitur për t’u dhënë me qira, sipas shumicës së dijetarëve, për këto lloje pronash të paluajtshme nuk jepet zekati, kështu që pronari nuk ka nevojë ta llogarisë vlerën e saj për çdo vit dhe të japë zekatin për të.

5. Sa i përket pronës së paluajtshme që merret me qëllim tregtie, sipas
shumicës së dijetarëve, për këtë duhet dhënë zekatin. Ajo që mendohet me tregti apo shitblerje është që personi, nëpërmjet marrjes në pronësi të kësaj prone të paluajtshme, ta ketë si qëllim bërjen e parave apo fitimin nga kjo pronë. El-Mirdaawi tha: “Qëllimi i tregtisë apo i shitjes nënkupton që personi të synojë të bëjë para prej saj duke e shitur.” [2]

Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: “Nëse një person blen tokë me qëllim që të ndërtojë mbi të, pastaj ndërron mendjen dhe vendos ta shesë, për shkak se nuk ka më nevojë për të apo për shkak se ka troje të tjera, apo për shkak se i duhen paratë dhe vendos ta shesë njërën prej tyre që t’i plotësojë nevojat, atëherë ai s’ka nevojë të japë zekat për të apo për të
tjerat si kjo, meqë në këtë rast qëllimi i tij s’është për të bërë tregti me të. Domethënë, në rastin e parë ai s’ka më nevojë për vlerën e pronës, ndërsa në rastin e dytë ai vendos ta shesë atë, ngaqë ka nevojë për vlerën e saj. Kjo është ndryshe nga ai që tregton mallra dhe pret të fitojë prej tyre, duke dashur të përdorë artikullin për tregti që në fillim.” [3]

6. Nëse personi blen pronë të paluajtshme, por ende nuk është i sigurt nëse do të bëjë tregti me të dhe nuk ka ndonjë qëllim të caktuar, ai nuk jep zekatin. El-Karrafi tha: “Nëse personi blen pa ndonjë qëllim të caktuar, ajo pronë konsiderohet se është për përdorim personal, meqë zakonisht kështu është.” [4]

Shejh Ibn Uthejmin u pyet: “Një person ka një copë tokë dhe nuk është i sigurt çfarë do të bëjë me të. Ai nuk di nëse do ta shesë, do ta kultivojë, do ta japë me qira, apo do të jetojë në të. A duhet të paguajë zekat për të pasi të kalojë një vit (hënor)?”
Ai u përgjigj: “Për këtë tokë nuk jepet zekati për sa kohë që personi nuk vendos përfundimisht se do ta tregtojë atë. Pra, ai nuk jep zekat për të, sepse ngurron, dhe, kur ka ngurrim, qoftë dhe vetëm një për qind, zekati nuk jepet.” [5]

7. Nëse personi pronëson një pronë të paluajtshme për përdorim personal dhe për të jetuar aty, pastaj vendos ta tregtojë, për këtë rast ka dallime në mendime mes dijetarëve se a duhet dhënë zekatin. Në disa fetwa të mëhershme kemi përmendur se mendimi se duhet dhënë zekatin në këtë rast është më i saktë.

8. Nëse personi pronëson një pronë të paluajtshme me qëllim tregtimi, pastaj ndërron mendjen dhe vendos ta mbajë për përdorim personal apo për ta dhënë me qira, për të nuk duhet të japë zekatin, sepse kushti i pasjes së qëllimit dikton që personi duhet ta ketë tregtimin si qëllim, derisa të kalojë një vit i plotë (hënor). Pra, nëse ai ndërron qëllimin para së të përfundojë viti, lirohet nga dhënia e zekatit. Neveviu tha: “Nëse personi vendos të mbajë për përdorim personal mallin që gjendet në pronësinë e tij, sipas konsensusit të dijetarëve, malli bëhet pronë personale (andaj dhe nuk jepet zekat për të).” [6]

9. Nëse personi pronëson një pronë të paluajtshme për përdorim personal krahas tregtimit, apo për tregtim krahas përdorimit personal, atëherë me rëndësi është qëllimi i tij kur blen atë pronë. Kushdo që blen një mall me qëllim që ta përdorë dhe po ashtu me qëllim që ta shesë, nëse mund të përfitojë nga kjo, nuk duhet të japë zekatin. Kushdo që blen një mall me qëllim që ta tregtojë dhe njëherësh e shfrytëzon për nevoja personale ndërsa pret ta shesë, duhet të japë zekatin për çdo vit, derisa ta shesë. Ngjashëm, nëse personi vendos ta shfrytëzojë atë dhe të përfitojë nga ajo për një periudhë kohore para se ta shesë, atëherë duhet ta japë zekatin për mallrat e tregtuara, sepse qëllimi fillestar i tij për ta shfrytëzuar atë nuk bie në kundërshtim me përgatitjen e saj për ta tregtuar.

10. Nëse prona e paluajtshme është ende në fazën e ndërtimit – dhe mendohet të tregtohet – , atëherë duhet dhënë zekatin për të qoftë nëse qitet në shitje, qoftë nëse nuk shitet derisa të kryhen ndërtimet. Zekatin për të duhet dhënë sipas vlerës që ka prona atëherë kur bëhet e obligueshme të jepet zekati.

11. Në rastin kur pronari pret të ngrihet çmimi i pronës së paluajtshme, zekatin duhet dhënë për të çdo vit sipas vlerës përkatëse, edhe nëse kjo zgjat me vite. Të blesh pronë të paluajtshme me qëllim që të përfitosh para me të në një të ardhme të largët nuk do të thotë se lirohesh nga dhënia e zekatit për të. Kjo përfshin edhe blerjen e tokës larg nga qyteti në pritje të interesimit të njerëzve për të dhe rritjes së çmimeve. Qëllimi që ta shesësh tokën në të ardhmen e bën të obligueshëm zekatin, dhe qëllimi që ta shesësh më vonë nuk ndikon në vendim, për sa kohë që toka të mbahet për tregtim dhe qëllimi është rritja e pasurisë nëpërmjet saj. Tregtarin e këtillë dijetarët e quajnë “tregtari që pret një rast më të volitshëm”. Mendimi më i qëlluar në këtë rast është ai i shumicës së dijetarëve, pra që duhet dhënë zekatin për çdo vit.

12. Në rastin e pronës së paluajtshme që blihet me qëllim të mbrojtjes së pasurisë personale nuk jepet zekati, përveç nëse pronari mundohet t’i shmanget dhënies së zekatit nëpërmjet kësaj.

13. Nëse personi blen pronë të paluajtshme për qëllim tregtie, por ajo nuk kalon në pronësinë e tij, derisa të kalojë një vit pas marrjes së pasurisë me të cilën ai blen atë, ai duhet ta japë zekatin, sepse, pasi të bëhet marrëveshja, pronësia e pronës së paluajtshme kalon te blerësi dhe ai ka mundësi ta pronësojë atë.

Shejh Ibn Uthejmin u pyet: “Një person bleu tokë që për tregti; dhe ju lutem të kini parasysh se ky person nuk e ka pronësuar tokën deri tani dhe as nuk ka marrë dëshminë (dokumentin) e pronësisë. A duhet të japë zekatin ky?”
Ai u përgjigj: “Po, ky duhet të japë zekatin për këtë pronë, edhe nëse ende s’e ka marrë dëshminë e pronësisë, për sa kohë që shitja të jetë përmbyllur dhe të jetë bërë e respektueshme për dyja palët. Pra, ky duhet të japë zekatin për mallrat e tregtuara dhe duhet të llogarisë vlerën e saj në kohën kur duhet ta japë zekatin – çerekun e të dhjetës (2.5 %) të vlerës së saj.” [7]

14. Për sa i përket pronës së hipotekuar (të lënë peng), për të duhet dhënë
zekatin, nëse ajo është përgatitur për tregti.

Shejh Ibn Baz ka thënë: “Nëse e ke përgatitur pronën për tregti dhe ajo është hipotekuar, duhet të japësh zekatin për të. Nëse është hipotekuar dhe nuk është përgatitur për tregtim, domethënë është lënë peng derisa të paguhet borxhi ndaj personit për të cilin është lënë peng dhe, pasi të paguhet borxhi, ai ose jeton në të, ose e jep me qira, nuk duhet të japësh zekatin për të.” [8]

15. Në rastin e ortakërisë në një pronë të paluajtshme, sipas shumicës së dijetarëve, secili ortak duhet të japë hisen e vet të zekatit, nëse hisja mbërrin pragun minimal (nisaab) të dhënies së zekatit,. Shejh Bekr ebu Zejd tha: “Me qëllim që zekati të jetë i obligueshëm për secilin ortak që merr pjesë në pronësinë e të paluajtshmes, vlera e hises (aksioneve) së një ortaku duhet ta mbërrijë nisabin ose në vetvete, ose duke iu shtuar pasurisë tjetër të tij për të cilën jepet zekati, siç janë paratë e gatshme apo mallrat e tregtuara.” [9]

Në një përgjigje tjetër shpjeguam se pikëpamja e Shafive lidhur me këtë është se me rëndësi është vlera totale e pronës/pasurisë, jo pragu minimal i secilit individ veç e veç. Kështu, nëse vlera e të paluajtshmes arrin pragun minimal (nisaab), secili prej ortakëve duhet të japë zekatin, edhe nëse hisja e ndonjërit prej ortakëve nuk mbërrin pragun minimal të nisabit. Ky është mendimi i adoptuar nga Këshilli Islamik i Fikhut, dhe shejh Ibn Uthejmin, po ashtu, anoi nga ky qëndrim.

16. Për sa i përket pronës së paluajtshme të dhuruar për bamirësi (vakëf), si p.sh. për t’u bërë mirë të varfërve, atëherë për këtë nuk jepet zekati, sepse kjo nuk është më pronë e ndonjë individi.

17. Për sa i përket zekatit si një obligim, s’ka dallim mes pronës së paluajtshme që shitet lehtë dhe asaj për të cilën s’mund të gjendet blerës, për sa kohë që ende ka vlerë për të cilën ajo mund të shitet. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, meqë arsyetimi mbi të cilin bazohet obligimi i dhënies së zekatit është fakti se ajo është një pasuri që pritet të rritet, si p.sh. paraja, pavarësisht se a rritet në të vërtetë, apo jo; dhe pavarësisht se e ka fitim a humbje. Fakti se mallrat e tregtuara nuk shiten nuk ndikon në dhënien e zekatit, për sa kohë që mallrat të kenë vlerë tregu dhe të mund të shiten e të blihen.

Është obligim të jepet zekati për tokën që qitet në shitje, sa herë të kalojë një vit i plotë, sepse kjo hyn në kategorinë e mallrave të tregtuara. Vlera e saj duhet të llogaritet në fillim të secilit vit të ri dhe të jepet çereku i të dhjetës (2.5%), pavarësisht a shitet lehtë apo nuk shitet fare, për shkak të kuptimit të përgjithshëm të provave për të qenët e zekatit një obligim për diçka që është përgatitur për shitje apo tregtim.” (Ibn Baz, Aal esh-Shejh, el-Fewzan, el-Gudejaan) [10]

Shejh Abdu-Rrahmaan el-Berrak tha: “Fakti se prona e paluajtshme nuk shitet (për shkak të ndonjë rënie të tregut) nuk do të thotë që ti lirohesh nga dhënia e zekatit. Në këtë rast sasia e zekatit mund të zvogëlohet, meqë toka që nuk shitet, vlerësohet sipas çmimit për të cilin mund të shitet, pavarësisht sa i vogël mund të jetë.” Nëse prona e paluajtshme zor se shitet, aq sa pronari mundohet ta shesë, por nuk gjen dot ndokënd që e blen, atëherë disa dijetarë kanë thënë se ai duhet të japë zekatin për të për një vit, kur ta shesë.

18. Për sa u përket aksioneve në pasuri të paluajtshme, zekati duhet të jepet për to njësoj si për zekatin për mallrat e tregtuara, sepse kompanitë e pasurive të paluajtshme blejnë tokë me qëllim që ta tregtojnë. Kur të kalojë një vit nga koha e blerjes së hises aksioneve (hises) nga aksionari, ai duhet ta llogarisë vlerën e aksioneve të veta në kompani dhe ta japë zekatin në formën e një çereku të së dhjetës (2.5 %).

19. Për sa i përket pronës që është hipotekë, apo kompanive të pasurive të paluajtshme (ku ti ke aksione) që kalojnë nëpër një periudhë të paqëndrueshme (financiare), për to nuk jepet zekati. Këto prona a kompani marrin vendimin e pasurisë që është jashtë kontrollit të personit. Sa i përket tokës së caktuar për hapësira publike, shkollave, etj., të cilat pronari s’mund t’i shfrytëzojë, përveç nëse autoritetet s’kanë më nevojë për të, për këtë nuk jepet zekati, derisa pronari të jetë në gjendje t’i shfrytëzojë; atëherë ai duhet të presë ta japë zekatin për të deri të kalojë një vit nga koha kur iu dha mundësia ta shfrytëzojë. [11]

E njëjta vlen për aksionet në kompanitë e pasurive të paluajtshme, që kalojnë nëpër një periudhë të paqëndrueshme (financiare), gjë që mund të shkaktohet nga korrupsioni dhe mashtrimi nga ana e menaxhmentit të kompanisë, apo për shkak të pengesave që vijnë nga ligjet dhe rregullat shtetërore, apo nga mosmarrëveshjet, apo nga hipotekat në dëm të pronës. Sido që të jetë, nëse ke aksione në një pasuri të paluajtshme të cilën pronari s’mund ta shesë, për të nuk jepet zekati.

20. Vlera e pasurisë së paluajtshme duhet të llogaritet në fund të vitit duke u bazuar në vlerën që tregu ka në atë kohë, që mund të jetë më e lartë apo më e ulët se çmimi blerës.

21. Llogaritja nuk nis nga koha e blerjes së pasurisë së paluajtshme. Viti për të cilin po bëhet fjalë është një vit i plotë (hënor) nga marrja e pasurisë me të cilën blihet pasuria e paluajtshme.

Allahu e di më së miri

—————————-

[1] Esna el-Mutaalib [1/385]

[2] el-Insaaf [3/154]

[3] Fet’h Dhil-Xhelaal [6/173]

[4] edh-Dhekhira [3/18]

[5] Mexhmu Fetaawa el-Uthejmin [18/232]

[6] el-Mexhmu [6/49]

[7] Mexhmu Fetaawa ëe Resaa’il el-Uthejmin [18/234]

[8] Fetaawa Nur ala ed-Derb [15/43]

[9] Fetwa Xhaami’ah fi Zekaat el-Akaar [f.12]

[10] Fetaawa el-Lexhneh ed-Da’imeh (8/102)

[11] Mesaa’il el-Mustexhiddeh fi Zekaah, f.87