Bismilahi-Rrahmani-Rrahim
Ibn Ebi Shejbe ka thënë në “Musanefin” e tij:
Libri i Haxhit, çka i thuhet njeriut kur kthehet nga Umreja
16552 – Ibn Uleje na ka transmetuar nga Halidi, se Ebu Kilabe e takoi një njeri që ishte kthyer nga Umreja dhe i tha: “Tu pranoftë vepra! Tu pranoftë vepra!”
16553 – Abdullah ibn Idrisi na ka transmetuar nga Maliku se ka thënë: “Talha e takoi Hamadin dhe i tha: ’Tu pranoftë adhurimi!’”
Pastaj (Ibn Ebi Shejbe) tha: Kur njeriu kthehet nga Haxhi, çka i thuhet?
16554 – Vekiu na ka transmetuar nga Sufjani, nga Lejthi, nga ai që e ka dëgjuar Ibn Omerin, duke i thënë haxhiut kur u kthye nga Haxhi: ”Allahu ta pranoftë adhurimin, ta shtoftë shpërblimin dhe ta kompensoftë pasurinë!”
Ibn Esrami ka thënë: “E kam dëgjuar Ahmed ibn Hanbelit duke i thënë njërit: ’Allahu ta pranoftë Haxhin, t’i pastroftë veprat dhe na e mundësoftë neve dhe ty të kthehemi në shtëpinë e Tij të shenjtë!’”
(El-Furu’, 6/194-993)
Ibn Rexhebi ka thënë: ”Haxhi i pranuar është ai, në të cilin bashkohen punët e mira dhe lënia e mëkateve, andaj haxhiu nuk lutet për vete me lutje më të mirë, as dikush tjetër nuk lutet për të me lutje më të mirë, se lutja që ta ketë Haxhin e pranuar.
Për këtë është ligjësuar për haxhiun, që kur t’i mbarojë detyrat e Haxhit dhe të fillojë të lirohet nga ihrami me gjuajtjen e gurëve në Xhemrën e Akabesë në ditën e Kurban Bajramit, të thotë: ‘O Allah bëje Haxh të pranuar, përpjekje të falënderuar dhe gjynah të falur!’
Kjo transmetohet nga Ibn Mesudi dhe Ibn Omeri si fjalë të tyre, po edhe si hadithe të Pejgamberit ﷺ.
Poashtu, duhet lutur për atë që kthehet nga Haxhi që Allahu t’ia bëjë Haxh të pranuar.
Në një ether përmendet se Ademi alejhi selam pasi e bëri Haxhin dhe i mbaroi adhurimet, i erdhën melekët dhe i thanë: ‘O Adem tu pranoftë Haxhi! Ne e kemi bërë Haxhin te kjo shtëpi para teje qe dy mijë vjet.’
Poashtu, selefët luteshin për atë që kthehej nga Haxhi. Kur Halid el-Hadha u kthye nga Haxhi, Ebu Kilabe i tha: ‘T’u pranoftë vepra!’, në kuptimin: ‘Allahu ta bëftë veprën të pranuar!’”
(Letaif Mearif 1/115)
Allahu e sjell suksesin.
Përmblodhi: Abdulkadir Mahmud Arnauti
Përktheu: Fisnik Gërguri




