Pyetja:
Çfarë thonë disa njerëz për lëshimin e mjekrës, për t’u dalluar nga mexhusët dhe nga të krishterët, siç përmendet në hadith, dhe se kjo arsye më nuk vlen, sepse edhe ata i lëshojnë mjekrat.
***
Përgjigjja:
Mosekzistimi i njërës nga arsyet për lëshimin e mjekrës
Në këtë mund të përgjigjemi në disa mënyra:
1- Lëshimi i mjekrës nuk bëhet vetëm me qëllim të të qenit i ndryshëm, por kjo, po
ashtu, është pjesë e natyrës së pastër (fitreh), siç provohet në Sahih Muslim, ku qëndron
se lëshimi i mjekrës është pjesë e fitres, me të cilën Allahu e ka krijuar njerëzimin.
Kështu, ata e konsiderojnë të mirë e të bukur atë që është në përputhje me të dhe e
konsiderojnë të shëmtuar atë që është në kundërshtim me të.
2- Çifutët, të krishterët dhe mexhusët sot nuk i lëshojnë mjekrat, madje këtë nuk e bëjnë
as çereku i tyre, por shumica e tyre i rruajnë mjekrat, siç është e dukshme.
3- Nëse një vendim është vendos në Sheriat për një arsye e cila nuk ekziston më, dhe ky
vendim është në pajtim me fitren apo është një nga simbolet e Islamit, atëherë kjo
mbetet, edhe nëse arsyeja nuk ekziston më. A nuk sheh që reml (ecja me hap të shpejtë)
në tawaf, fillimisht, është menduar që Pejgamberi ﷺ dhe shoqëruesit e tij të demonstrojnë
forcën fizike para idhujtarëve, të cilët thanë: “Ju kanë ardhur njerëz të lodhur nga ethet e
Jethribit (Medinës)”. Kjo arsye më nuk ekziston, por vendimi mbetet në fuqi sepse
Pejgamberi ﷺ e ka bërë këtë ecje të shpejtë në haxhin lamtumirës.
Në fund, ajo që kërkohet nga një besimtar, nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ kanë
urdhëruar për diçka, është të thotë: Dëgjojmë dhe bindemi, siç thotë Allahu:
“E vetmja gjë që e thonë besimtarët, kur ata thirren për tek Allahu dhe i dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është:’Dëgjojmë dhe bindemi’. Të këtillë janë të suksesshmit (që do të jetojnë në parajsë)” (Nur: 51).
Pra, ata s’duhet të jenë si ata që thonë:’Dëgjojmë dhe kundërshtojmë’, apo si ai që
arsyetohet rrejshëm. Kjo është gjendja e atij që nuk i nënshtrohet urdhrit të Allahut dhe
të të dërguarit të Tij. Allahu thotë: “Nuk i takon një besimtari, qoftë mashkull apo femër, që, kur Allahu dhe i dërguari i Tij të kenë caktuar ndonjë çështje, ai të bëjë zgjedhje tjetër. Dhe, kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, ai vërtet ka rënë në një gabim të hapët” (Ahzab, 36);
“Por jo, për Zotin tënd, ata s’mund të besojnë, derisa të bëjnë ty (O Muhamed)
gjykatës në të gjitha mospajtimet e tyre, të mos kundërshtojnë vendimin tënd dhe të pranojnë me një nënshtrim të plotë”. (Nisa, 65)
Nuk di se si do të përballet me Allahun, në Ditën e Gjykimit, ai që flet të tilla gjëra. Ne
duhet të dëgjojmë e të bindemi, si dhe të mbajmë parasysh urdhrin e Allahut dhe të
Dërguari të Tij ﷺ në të gjitha rastet”.
[Mexhmu Fetaua ibn Uthejmin (11/129-130)]
Shejh ibn Uthejmin, po ashtu, ka thënë: “Lëshimi i mjekrës është mënyrë e të dërguarve.
Allahu tregon për Harunin se ai i tha vëllait të vet, Musës:
“O biri i nënës sime! Mos më kap për mjekre e as për koke! Vërtet, pata frikë se mos po thua përçave bijtë e Israilit dhe nuk respektove fjalën time!” (Ta-Ha, 94)
Pejgamberi i fundit dhe më i miri, Muhamedi ﷺ e ka lëshuar mjekrën, siç kanë vepruar edhe halifet që erdhën pas tij si edhe shoqëruesit, udhëheqësit e populli i thjeshtë muslimanë, në të gjitha kohët, përveç kohëve të fundit, kur shumë prej tyre po kundërshtojnë mënyrën/rrugën e pejgamberit të tyre dhe të paraardhësve të devotshëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
Pra, kjo është mënyra e pejgamberëve dhe e të dërguarve si edhe ndjekësve të tyre, dhe është pjesë e natyrës së pastër, në të cilën i ka krijuar Allahu, siç provohet në Sahi Muslim. Prej këtu, pikëpamja e saktë është se rruajtja e mjekrës është haram, siç është parapëlqyer nga shejh el-Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë), për shkak të urdhrit të Pejgamberit ﷺ për ta lëshuar atë.
Për sa i përket thënies se arsyeja për lëshimin e saj është të dallojmë nga çifutët dhe se
kjo më nuk vlen, kjo s’është e pranueshme, sepse dallimi nga çifutët nuk është e vetmja
arsye. Çfarë është provuar në dy Sahi-të është: “Dallohuni nga idhujtarët”, dhe në Sahih
Muslim, po ashtu, thuhet:”Dallohuni nga adhuruesit e zjarrit (mexhusët)”. Për më
shumë, dallimi nga këta njerëz nuk është e vetmja arsye, por ka edhe një tjetër më të
madhe, që do të thotë ndjekja e udhëzimit të të Dërguarit ﷺ duke mbajtur mjekrën.
Pastaj, detyrimi për të zbatuar natyrën e pastër të njeriut [fitreh], dhe të mos ndryshohet
krijesa e Allahut në mënyrat që Ai ka ndaluar. Të gjitha këto janë arsye përse është e detyrueshme mbajtja e mjekrës dhe lëshimi i saj, si edhe të qenit i ndryshëm nga armiqtë e Allahut, si idhujtarët, adhuruesit e zjarrit dhe çifutët.
Për më shumë, pohimi se arsyeja për lëshimin e mjekrës nuk vlen më, s’është i vërtetë,
sepse shumica e armiqve të Allahut nga çifutët dhe të tjerët sot i rruajnë mjekrat, siç është e ditur për secilin që ka njohuri rreth popujve të tjerë dhe veprimeve të tyre. Edhe
nëse supozojmë që shumica e tyre sot i lëshojnë mjekrat, kjo nuk e ndryshon faktin se në
Islam është e urdhëruar lëshimi i mjekrës. Sepse fakti që armiqtë e Islamit imitojnë diçka
që u është urdhëruar muslimanëve, nuk do të thotë që kjo s’është e urdhëruar më. Pra,
ne duhet t’i përmbahemi asaj, se ata na imitojnë dhe na ndjekin, dhe e konsiderojnë atë si
diçka të mirë dhe kthim në natyrën e pastër”.
[Mexhmu Fetaua ibn Uthejmin(16/46-47)].