Pyetja:

A lejohet duartrokitja në rast kremtimesh dhe në raste të tjera?

***

Përgjigjja:

Duartrokitja s’është islame, por zakon dhe vepër e injorancës (xhahilijeti). Më së paku që mund të themi është se duartrokitja është mekruh, mirëpo të gjitha argumentet tregojnë për ndalesën e kësaj vepre. Është e ndaluar për muslimanët t’i imitojnë jomuslimanët. Allahu, duke i përshkruar mosbesimtarët, thotë: “Lutja e tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm me fërshëllima dhe rrahje duarsh.” (Enfal, 35)
Fjala “mukaun” dmth fërshëllimë, ndërsa fjala “tasdije” dmth rrahje duarsh. Kur besimtari mallëngjehet/gëzohet me diçka që sheh apo dëgjon, prej Sunnetit është të thotë
“Subhanallah” apo “Allahu ekber”, ashtu siç transmetohet në shumë hadithe nga i
Dërguari i Allahut, ﷺ. Rrahja e duarve lejohet vetëm atëherë kur femrat falen me meshkujt dhe kur imami gabon. Në atë rast, është e ligjëruar që femra t’i rrahë duart, do të thotë me shuplakën e dorës së djathtë t’i bie shpinës së dorës së majtë. Meshkujt këtë e veprojnë duke thënë me zë “subhanallah”, ashtu siç transmetohet nga i Dërguari i Allahut, ﷺ. Nga kjo shohim se nëse meshkujt do të duartrokitnin, do të përngjanin me jobesimtarët dhe me femrat, gjë që në çfarëdo rasti do të ishte e ndaluar.

Shejh Ibn Baz, ”Fetvat nga ulemat e dy haremeve”

Shejh Ibn Uthejmin (v. 1421) mendon ndryshe, ai në Lika el-Bab el-Maftuh (121) shkruan: ”Është e lejuar duartrokitja për të inkurajuar dikë që ka bërë diçka të mirë. Kjo nuk është përngjasim me kufarët.”