Pyetja:
Çka është khula dhe si është procedura e saj? Nëse bashkëshorti nuk do që ta shkurorëzojë bashkëshorten, a mund të ndodhë shkurorëzimi pavarësisht kësaj? Si t’ia bëjmë në shoqëritë si ajo e Amerikës, ku gratë të cilave nuk u pëlqejnë burrat e tyre (në disa raste ngaqë burrat janë fetarë)? Gratë mendojnë që, nëse s’u pëlqejnë burrat, ato mund t’i shkurorëzojnë ata.
***
Përgjigjja:
Khula do të thotë ndarje nga bashkëshortja për një shumë parash; bashkëshorti merr paratë dhe e lëshon bashkëshorten, qoftë kjo pagesë nga mehri (prika) të cilin ai ia jep asaj, qoftë më pak a më shumë se kjo (mehri). Parimi themelor lidhur me këtë është në ajetin ku Allahu thotë: “Nuk është e lejueshme për ju (burra) të merrni nga mehri që ua dhatë atyre (bashkëshorteve tuaja), përveç kur të dy palët druajnë se s’do të jenë në gjendje t’i ruajnë kufijtë e caktuar nga Allahu (dmth të sillen si duhet me njëri-tjetrin). Atëherë, nëse druheni se s’do të mund t’i ruani kufijtë e caktuar nga Allahu, s’ka gjynah për cilindo prej tyre, nëse ajo e kthen (metrin, apo një pjesë të tij) për Khula-n e saj… (shkurorëzimin)”. (Bekare, 229)
Prova për këtë në Sunet është se bashkëshortja e Thãbit bin Kajs ibn Shemmãs erdhi të Pejgamberi ﷺ dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, nuk shoh ndonjë të metë te Thãbit ibn Kajs sa i përket karakterit të tij apo përkushtimit të tij fetar, por unë s’dua ta bëjë ndonjë punë kufri (mosbesimi) pasi që jam bërë muslimane.” Pejgamberi ﷺ i tha asaj: “A do ta kthesh kopshtin e tij?” Meqë ai i kishte dhënë asaj një kopsht si mehr. Ajo tha: “Po.” Pejgamberi ﷺ i tha Thãbitit: “Merre kopshtin tënd dhe shkurorëzoje atë.” [1]
Nga ky rast dijetarët kuptuan që, nëse një grua s’mund të rrijë me bashkëshortin e saj, gjykatësi duhet të kërkojë nga bashkëshorti që ta shkurorëzojë bashkëshorten nëpërmjet khula-s, bile duhet ta urdhërojë atë për ta bërë këtë.
Sa i përket mënyrës se si bëhet kjo, bashkëshorti duhet të marrë pagesën e tij apo ata duhet të pajtohen për këtë, pastaj ai duhet t’i thotë asaj: “fãrektuki/Po ndahem nga ti”, apo “khãlektuki/Po të lëshoj”, apo shprehje tjera. Talak (shkurorëzimi) është e drejtë e burrit dhe nuk ndodh, nëse nuk vjen nga ana e bashkëshortit, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Talaku është e drejtë e atij që kap këmbën (dmth e atij që konsumon martesën)”, domethënë, e drejtë e burrit. [2]
Prej këtu, dijetarët kanë thënë që, kush detyrohet që padrejtësisht ta shkurorëzojë bashkëshorten e tij me talak dhe e bën këtë nën presion, shkurorëzimi i tij s’është i vlefshëm. [3] Sa i përket asaj që ju përmendet se gruaja në vendin tuaj mund të ndërmarrë shkurorëzim për veten e saj nëpërmjet ligjeve të bëra nga njeriu, nëse kjo bëhet për shkaqe që lejojnë kërkimin e shkurorëzimit, siç është rasti që ajo të mos e pëlqej bashkëshortin e saj, pamundësia për të mos qëndruar me të, mospëlqimi që ajo ka ndaj tij për shkak të sjelljeve të tija imorale dhe shthurjes në veprime haram, etj., s’ka gjë të keqe që ajo të kërkojë shkurorëzim, por në këtë rast ajo duhet ta shkurorëzojë atë nëpërmjet khula-s dhe t’ia kthejë atij mehrin që ai i jepi asaj. Nëse ajo kërkon shkurorëzim pa arsye, kjo s’është e lejueshme dhe vendimi i gjykatës mbi shkurorëzimin në këtë rast nuk është i vlefshëm nga aspekti sheriatik. Gruaja, megjithëkëtë, mbetet bashkëshorte e atij burri. Mirëpo, kjo e shkakton një problem tjetër, që është se kjo grua konsiderohet si e shkurorëzuar nga këndvështrimi i ligjit njerëzor dhe, pasi të përfundojë periudha e pritjes (iddeh), ajo mund të martohet përsëri, kurse, në fakt, ajo ende është bashkëshorte dhe s’është e shkurorëzuar. Shejhu u pyet dhe për një çështje tjetër të ngjashme dhe tha: Tash kemi një problem. Fakti që ajo ende është e martuar do të thotë që ajo s’mund të martohet me tjetërkënd, por, sipas vendimit të gjykatës, ajo u shkurorëzua prej tij … dhe, kur t’i përfundojë iddeti, ajo mund të martohet përsëri. Mendoj që mënyra e vetme për të dalë nga ky problem është që të përfshihen persona të mirë e të drejtë për të bërë pajtim mes bashkëshortit dhe bashkëshortes, përndryshe ajo duhet t’i japë atij pagesën, në mënyrë që kjo të jetë një khula e vërtetë sheriatike.
———————————–
[1] Buhari, 5273
[2] Ibn Maxhe, 2081