Pyetja:

A është e urryer të falesh përballë fytyrës së një personi?

***

Përgjigjja:

Ibn Kudame në el-Mugni (2/40) ka thënë: “Është e urryer (mekruh) të falesh përballë fytyrës së personit, sepse Umeri (radi Allahu anhu) qortonte për këtë. Dhe në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi ﷺ falej në nivel me mesin e shtratit ndërsa unë isha e shtrirë mes tij dhe kibles. Kur kisha nevojë për diçka, e urreja të kthehesha me fytyrë drejt tij, kështu që tërhiqesha rrëshqanas”. [1]
Neveviu ka thënë el-Mexhmu (3/230): “Është e urryer që personi të falet ndërsa para tij gjendet ndonjë burrë a grua e kthyer me fytyrë nga ai dhe e shikon atë. Këtë e konsideronin të urryer Umer bin el-Hatab dhe Uthman bin Afan (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Sepse kjo e shpërqendron personin. Po ashtu, është i urryer shikimi në atë që ta heq vëmendjen, siç është tesha me zbukurime, ngritja e shikimit nga qielli dhe të tjera veç këtyre nga ajo që
vërtetojnë hadithet e vërteta. Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e urrente të falej përballë personit me fytyrë të kthyer nga ai’. [2] Buhariu tha: ’Kjo vlen për rastin kur personi shpërqendrohet nga kjo. Kurse, sa i përket rastit kur nuk shpërqendrohet nga kjo, Zejd ibn Thabit tha: ’Nuk më prish punë. Burri nuk e prish namazin e burrit tjetër’”.

—————————–

[1] Mutefekun alejhi

[2] Buhariu