Pyetja:
Si kompensohet namazi i vitrit ditën e nesërme, nëse e personin e kaplon gjumi?
***
Përgjigjja:
Është sunet që të kompensosh vitrin. Kurdo që Pejgamberi ﷺ e humbte vitrin për shkak të ndonjë sëmundjeje apo gjumit, ai e falte në ditën e radhës. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë: “Kurdo që Pejgamberi ﷺ e humbte vitrin për shkak të sëmundjes, ai falte dymbëdhjetë rekate ditën tjetër”. Shumicën e kohës, Pejgamberi ﷺ falte njëmbëdhjetë rekate, prandaj, nëse diçka bën që personi të humbasë njëmbëdhjetë rekate të vitrit, ai duhet të shtojë një rekat. Kështu është suneti. Pra, ai e kompenson gjatë ditës, por me numër çift të rekateve e jo me numër tek. Me këtë, ai ndjek sunetin e Pejgamberit ﷺ. Prej këtu, nëse personi e ka zakon që të falë tri rekate vitr me një selam, ditën tjetër ai do t’i falë ato me dy selame. Po ashtu, nëse personi e ka zakon të falë pesë rekate vitr natën, ditën tjetër ai duhet t’i falë gjashtë me tri selame. Për më shumë, nëse personi e ka zakon të falë shtatë rekate vitr, ditën tjetër ai duhet t’i falë tetë me katër selame. Ky veprim është i vullnetshëm, jo një obligim.
Shejh AbdulAziz Ibn Baz, “Mexhmu Fetaua”