Pyetja:

Jam falur me papastërti në rroba, a duhet ta përsërisë namazin?

***

Përgjigjja:

Dijetarët në këtë rast përmendin se nuk është e nevojshme përsëritja e namazit. Pra, nëse njeriu pasi e kryen namazin sheh se ka pasur papastërti në rroba, ose në trup, ose në vendin ku është falur, nuk e përsërit namazin. Për këtë kemi hadith. Pejgamberi ﷺ ka qenë duke u falur me sahabët dhe i ka zbathur këpucët. Edhe sahabët e kanë bërë të njëjtën gjë. Pasi përfundimit të namazit i ka pyetur: “Pse vepruat kështu?” I thanë: “Të pamë ty duke vepruar kështu dhe vepruam edhe ne.” Kjo njëherësh tregon se sa shumë sahabët janë përpjekur në pasimin e sunetit, në çdo detaj. Atëherë Pejgamberi ﷺ u thotë: “Më erdhi Xhibrili e më tha se në këpucët e mia ka papastërti dhe hiqi ato.” Nga kjo tregohet se nëse njeriu hyn në namaz dhe nuk e di se në rroba ka papastërti dhe pasi e kryen e sheh atë, atëherë namazi nuk ka nevojë të përsëritet sepse këtu Pejgamberi ﷺ nuk e ka nisur namazin nga fillimi, pjesën e namazit që e ka falur me papastërti në këpucë e ka llogaritur të saktë.

Po ashtu, njëjtë është çështja dhe kur njeriu e di se ka papastërti në rroba dhe thotë se para se të hyjë në namaz do ta pastrojë, porse harron ta bëjë këtë, e pastaj kur është duke u falur i kujtohet, pra edhe në këtë rast nuk ka nevojë ta përsërisë namazin.

Nëse papastërtia është me një rrobë të cilën personi ka mundësi ta heqë gjatë namazit, pasi i kujtohet duke qenë në namaz se ka papastërti në të, atëherë e largon dhe nuk ka nevojë ta ndërpresë namazin, siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ me largimin e këpucëve, apo nëse është në çorapë, apo në setër, i largon dhe vazhdon namazin. Ndërsa, nëse është rrobë të cilën nëse e heqë zbulohet aureti (pjesët e ndaluara të shihen), sepse kur të zbulohet aureti prishet namazi, atëherë në këtë rast e ndërpret namazin, e pastron rrobën ose e ndërron dhe e fillon namazin nga fillimi.

*Aureti i mashkullit është pjesa në mes të kërthizës dhe gjurit. Ndërsa femra para meshkujve të huaj e gjitha është auret përveç duarve (deri në nyje) dhe fytyrës, ndërsa para mahremëve dhe grave i lejohet të zbulojë pjesët e abdesit.

Hoxhë Lulzim Perçuku