Pyetja:
Lexova artikullin mbi komentimin e ajetit “dhe rrini në shtëpitë tuaja…” që thoshte që gratë duhet të rrinë në shtëpi. Po ne gratë që jemi në punë, pra që punojmë për arsye ekonomike, ngaqë jemi me qera e paga e burrit me zor i mbulon shpenzimet e jetesës e jo më që të ngelet gjë për haxh, blerje shtëpie a ndonjë gjë tjetër, a marrim gjynahe duke qenë që puna është punë hallall?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nëse puna jote është hallall, në këtë rast kjo hyn në nevojat e femrës dhe familjes së saj e nuk është haram, siç ka thënë Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë: “Thënia e Allahut: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja.” (Ahzab: 33), do të thotë që femrat të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe të mos dalin nga shtëpia përveç për ndonjë nevojë.” Dhe prej nevojave është edhe puna, nëse ajo punë është hallall.
Po ashtu argument për lejimin e daljes së gruas jashtë shtëpisë për nevojat e saj (në rast se nuk ka mundësi tjetërkush t’i kryejë këto nevoja) është hadithi që transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: “Ka dalë Sevdeja pasi ka zbritur urdhri i mbulesës për nevojat e saj dhe ajo ishte një grua me shtatë të lartë dhe posa dilte ajo nga shtëpia, njihej nga ata persona të cilët e njihnin atë para se të bëhej obligim mbulesa. Dhe kur ajo doli për nevoja të saj, e takoi atë Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “O Sevde, vallahi nuk ke mundësi të fshihesh nga ne! Për këtë shkak, ki kujdes se si del.” Thotë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pastaj ajo u kthye dhe Pejgamberi ﷺ ishte tek unë duke ngrënë drekë dhe në dorën e tij kishte një kockë me mish dhe Sevde hyri brenda dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, unë dola nga shtëpia për disa nevoja të mia dhe më takoi Omeri dhe më tha këto fjalë.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Pastaj Allahu e inspiroi Pejgamberin ﷺ duke qenë kocka me mish ende në dorën e Pejgamberit ﷺ dhe tha: “Me të vërtetë ju është lejuar juve (femrave) të dilni (nga shtëpia) për nevojat tuaja.” [1]
Dhe kjo që keni përmendur ju, pra të punosh për nevojat familjare, është prej nevojave që i lejohet gruas të dalë nga shtëpia, mirëpo me kusht që puna të jetë hallall dhe dalja e saj të jetë me mbulesë, e paparfumuar, kokulur dhe në pajtim me rregullat e tjera që ka vendosur Islami.
Redaksia e albislam
——————————-
[1] Buhariu dhe Muslimi 1/249