Pyetja:

Pasi punoj në terren si të veprojë me namazin si udhëtar? Unë jam nga komuna e Fushë Kosovës dhe në një ditë e kam terrenin Ferizaj – Viti, pastaj arrijmë në Gjilan, ku edhe përfundoj punën dhe këtu më intereson se a plotësohet kushti që të shkurtoj namazet dhe t’i bashkoj ato.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Përcaktimi i distancës në të cilën muslimani konsiderohet udhëtar është i diskutueshëm mes fukahave; disa kanë përcaktuar distancën konkretisht me 80 kilometra, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se e drejta është që mos të bëhet përcaktimi me kilometra të definuara, pasi kjo dallon prej kohës, rrethanave dhe traditës (urfit) se çfarë konsiderohet udhëtim e çfarë jo.

Sido që të jetë, pa hyrë në shtjellimin e mendimeve, themi se në bazë të udhëtimit që ju bëni nga Fushë Kosova për në Ferizaj, pastaj në Viti e Gjilan, i tërë ky udhëtim arrin sasinë që ju të konsideroheni udhëtar edhe sipas mendimit të atyre fukahave që e përcaktojnë udhëtimin me kilometra edhe sipas të tjerëve. Kjo për faktin se distanca e kësaj rruge tejkalon tetëdhjetë kilometra. Prandaj mendojmë se juve ju lejohet ta konsideroni vetën udhëtar dhe ta shkurtoni e bashkoni namazet. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi