Pyetja:

A duhet të bëhet dhikri edhe pas namazeve nafile? Si falen namazet nafile pas mesnate dhe namazi i duhasë?

***

Përgjigjja:

Së pari, për sa i përket dhikrit që bëhet pas namazeve farze, e që nënkupton thënien 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulilah dhe 33 herë Allahu Ekber, normalisht, ky dhikër nuk bëhet pas namazeve nafile. Por, ka mundësi të bësh dhikër të pa përcaktuar, gjegjësisht të thuash më tepër apo më pak thënie të këtilla, në kuptim të dhikrit të përgjithshëm. Allahu i Madhërishëm në Kur’an na porosit që sa ma tepër ta përmendim, dhe thotë: “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.” (Ahzab: 4142)

Për sa u përket namazeve nafile, ato janë namaze vullnetare, joobligative, që mund të falen në kohët kur nuk ka ndalesë për t’u falur, qoftë ditën apo natën. Në veçanti, namazi i natës është i vlefshëm, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ vetë është falur natën dhe i ka mësuar shokët e vet të falen. Gjeneratat e para të arta të muslimanëve, e kanë praktikuar mjaft namazin e natës, por në kohët më të vonshme, ky sunet është lënë pas dore në masë të madhe.

Namazi i natës falet si namazi sunet. Ke mundësi ta falish edhe nga dy reqate edhe nga katër reqate. Nuk dua të të lodhi me permendjen e qëndrimeve se a është më mirë të falish nga dy apo nga katër. Me rëndësi është të falish namaz nate, qoftë nga dy apo nga katër reqat bashk. I Dërguari i Allahut ﷺ në një hadith të tij ka thënë: ”Namazi i natës falet nga dy reqat, dy reqat, e kur të shihni se veç do të del drita (të hyj koha e sabahut), falnie vitrin tek”.

Edhe namazi i duhasë-paraditës, është nafile që falet ditën, dhe është mirë për besimtarin ta e fal. I Dërguari i Allahut ﷺ e ka falur namazin e duhasë, paraditës, por në disa transmetime qëndron se nuk e ka falur rregullisht. Megjithatë, është sunet i të Dërguarit të Allahut ﷺ, e edhe nëse e len ndonjë herë nuk ka problem.

Namazi u dahasë mund të falet katër, tetë ose dymbëdhjetë rekate, por mund të falet edhe vetëm dy rekate. Disa dijetarë preferojnë që të jetë katër ose tetë. Falet si çdo sunet tjetër.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu