Pyetja:

Më ndodh që të kollitem duke u falur me qëllim që t’ua bëj me dije tjerëve se jam në namaz, ngase ndodh që të më thirrin, ose të kërkojnë diçka prej në kuzhine, etj. A më prishet namazi?

***

Përgjigjja:

Së pari, muslimani duhet të jetë i kujdesshëm kur të fal namaz dhe duhet të jetë i koncentruar plotësisht në namaz, gjegjësisht mos të preokupohet me gjëra të cilat ia tërheqin vëmendjen prej namazit. Në këtë drejtim, duhet ditur se duhet të zgjidhet edhe vendi ku falesh, me qëllim që mos jesh dikund ku pengon ose ku gjërat tjera ta tërheqin vëmendjen. Normalisht kjo vlen për namazin në shtëpi.

Mirëpo, nëse ndodh që dikush nuk e di se falesh dhe të thërret, apo kërkon diçka prej teje, e ti sa ke filluar me namazin dhe derisa të japish selam do të zgjasë një kohë, nuk është e ndaluar që të kollitesh, me qëllim që t’ia bësh me dije thirrësit se je duke u falur.

Në këtë rast, kollitja bëhet me një shkak, apo për një arsye të pranuar fetarisht, për këtë edhe nuk ta prish namazin.

Dr. Bashkim Aliu