Pyetja:

E kam dëgjuar dhe lexuar një hadith ku tregohet se e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ,  për një grua që është falur, por i ka shqetësuar fqinjët me fjalë. Ai ka thënë se ajo është në xhehenem. Po ashtu, e kanë pyetur për një grua që nuk është falur shumë, por nuk i ka shqetësuar fqinjët me fjalë, e ai ka thënë se është në Xhenet. Si mund të kuptohet ky hadith kur i kemi parasyshë hadithet që flasin për rëndësinë e namazit?

***

Përgjigjja:

Ky hadith është si vijon: Ebu Hurejre ka rrëfyer se një burrë, të Dërguarit të Allahut ﷺ, i ka thënë: ”O i dërguar i Allahut, filan gruaja falë shumë namaz, jep shumë sadaka, agjëron shumë, por fqinjët i mundon me gjuhën e saj?” I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Ajo është në zjarr”.

I njëjti person, përsëri të dërguarin e Allahut ﷺ e ka pyetur: ”O i Dërguar i Allahut, filan gruaja është përmendur se agjëron shumë pak dhe fal shumë pak namaz, jep shumë pak sadaka, por ajo nuk i shqetëson fqinjët?” I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Ajo është në Xhenet”. [1]

Hadithi në fjalë tregon se dikush e ka pyetur të Dërguarin e Allahut ﷺ për sjellje të caktuara të këtyre grave. Në këtë rast, i dërguari i Allahut ﷺ i është përgjigjur atij. Përgjigjja e dhënë, nuk përmban vërejtje dhe urdhëra për të falur namaz, për të agjëruar e për të dhënë lëmoshë, edhe pse namazi dhe agjërimi janë farze. Kjo argumenton se pyetja nuk është parashtruar për lënien e namazit farz, të agjërimit farz apo të ndonjë farzi tjetër. Sikur kjo grua të mos e kishte falur namazin farz, apo sikur të mos e kishte agjëruar agjërimin farz, para se të fliste për fyerjen e fqinjve, i Dërguari i Allahut ﷺ do të bënte vërejtje për lënien e këtyre obligimeve, ngase është absurde që në prezencë të tij të flitet për dikë që i len pas dore farzet, e ai të mos bëjë vërejtje, apo të flasë për çështje tjera e t’i lërë farzet.

Namazi dhe agjërimi farz, nuk mund të lihen nga një person dhe i njejti të cilësohet që në këtë botë si xhenetli. Kjo do të ishte nxitje për lënie të farzeve, do të krijonte përshtypje se farzet edhe nëse lihen nuk do të thotë gjë, si dhe do të ishte në kundërshtim me hadithet tjera të cilat e theksojnë në veçanti vlerën e namazit.

Së këndejmi, në këtë hadith është për qëllim namazi nafile e jo namazi farz. Pra, kur ka thënë se ajo falet shumë pak, e ka për qëllim se ajo fal shumë pak namaz nafile e jo fal shumë pak namaz farz.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

—————————-

[1] Ahmedi