Pyetja:

A lejohet që të falet namaz vullnetar në mes namazit të ikindisë dhe akshamit?

***

Përgjigjja:

Një prej kushteve të namazit është koha, gjegjësisht namaz mund të falësh kur të vijë koha e vet. Kjo vlen për namazet farze. Çdo namaz e ka kohën e vet kur fillon dhe kur mbaron. Ka disa kohë, kur namazet nuk mund të falen. Këto kohë i ka përshkruar i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithet e tij. Ukbe ibn Amirit ka thënë: ”I Dërguari i Allahut ﷺ na ka ndaluar të falemi dhe t’i varrosim të vdekurit në tri kohë. Kur të lind dielli e derisa të ngrihet, kur të jetë në gjysmë të qiellit derisa të anojë dhe kur të niset drejt perëndimit derisa të perëndojë.” [1]

Në këto kohë, është mekruhi tahrimen të falen namaze nafile. Poashtu, namazet nafile është mekruhi tahrimen të falen edhe pas ikindisë, gjegjësisht ndërmjet ikindisë dhe akshamit. I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar namazin pas sabahut deri të lind dielli dhe pas ikindisë deri në perëndimin e diellit.” [2]

Për atë, në këtë kohë mos fal namaz nafile, por namaz nafile fal kur nuk është kohë e ndaluar. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

————————

[1] Muslimi

[2] Buhariu