Pyetja:

A janë dërguar tek xhindet profetë apo të dërguar që kanë qenë prej sojit të tyre (xhindeve)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Fillimisht duhet ditur se juristët muslimanë janë të pajtimit se Profeti Muhamed ﷺ është dërguar tek xhindet dhe njerëzit së bashku; kurse në lidhje me faktin nëse Allahu ka dërguar ose jo para dërgimit të Profetit Muhamed ﷺ tek xhindet profetë apo të dërguar prej sojit të tyre (xhindeve), juristët muslimanë ndajnë dy mendimet kryesore në vijim:

Mendimi i parë: Tek xhindët s’janë dërguar profetë a të dërguar prej sojit të tyre

Mendimi më i fuqishëm (që përbën atë të shumicës së juristëve muslimanë) është se Allahu i Madhëruar ka dërguar tek xhindet profetë apo të dërguar prej sojit të njerëzve dhe jo prej sojit të xhindeve, edhe pse mund të ketë pasur xhinde që kanë transmetuar tek popujt e tyre këshillat që kanë marrë direkt nga profetët njerëz (të dërguar tek xhindet), bazuar në thënien kuranore: “Kur Ne dërguam te ty një grup xhindesh për të dëgjuar Kuranin, ata, kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues” ku (siç thotë Ibn Kethiri dhe shumica e interpretuesve të Kuranit) argumentohet se në mesin e xhindeve ka pasur këshillues por jo të dërguar apo profetë (prej vetë xhindeve), duke mos u lënë vend për dyshim mbi faktin se Allahu nuk ka dërguar asnjë profet apo të dërguar prej tyre (sojit të xhindeve).

Mendimi i dytë: Tek xhindet janë dërguar profetë apo të dërguar prej sojit të tyre

Një tjetër mendim i juristëve muslimanë (që përbën mendimin e Mukatilit, Ed-Dahakut, Ibn Hazmit etj.) është se tek xhindet janë dërguar profetë apo të dërguar prej sojit të tyre (prej xhindeve), bazuar në thënien kuranore: “O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë kundër vetes sonë”. Vërtet, jeta e kësaj bote i mashtroi ata, kështu që ata do të dëshmojnë kundër vetes se kanë qenë mohues”8; pra kjo thënie kuranore spikat se tek xhindet janë dërguar profetë prej tyre (xhindeve) dhe tek njerëzit prej tyre (njerëzve).

– Ndërkaq, mbështetësit e mendimit të parë i janë kundërpërgjigjur këtij mendimi si vijon:

a. Siç duket, ajeti (thënia kuranore): “O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj…?”,- nuk përbën argument se prej xhindeve ka pasur profetë apo të dërguar, ngaqë Allahu i Lartmadhëruar po iu drejtohet me këtë thënie kuranore edhe xhindeve edhe njerëzve, duke i bërë (konsideruar) një tog të vetëm dhe përderisa ata janë një tog i vetëm, të qenët e të dërguarve prej (togut të) tyre, nuk obligon që nga çdonjëri grup të ketë profetë; përndryshe, nëse Allahu i Madhëruar do synonte me këtë thënie kuranore se ka edhe profet xhind edhe profet njeri, Ai nuk do t’i bashkonte xhindet dhe njerëzit në “një tog të vetëm”

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi