Pyetja:

Cili është kuptimi i thënies “Ja Dhel Xhelaali Uel Ikraam” dhe a është në rregull që kjo thënie të thuhet shpesh?

***

Përgjigja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Thënia “Ja Dhel Xhelaali Uel Ikraam / O Zotëruesi (Merituesi) i Madhështisë dhe Fisnikërisë (plot Madhëri dhe Nderim je Ti)”, është prej emrave të Allahut të Madhëruar, i cili ka ardhur në Kuranin fisnik në suren (kaptinën kuranore) Er-Rahman, si vijon: “Qoftë i lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim.

Në lidhje me interpretimin e kësaj thënie kuranore, dijetarët e shquar muslimanë interpretues të Kuranit theksojnë se me të nënkuptohet madhërimi i Allahut të Lartësuar dhe nderimi i Tij nga ana e krijesës së Tij, pra se “Allahu i Lartësuar është i denjë (merituar) të madhërohet e të mos i bëhet mëkat (kundërshti), të nderohet e adhurohet, të falënderohet me fjalë e vepra dhe të mos mohohet, të përmendet dhe mos harrohet.”

Ndërsa i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, në lidhje me këtë emër të Allahut të Madhëruar, na këshillon që me të ta thërrasim / lusim Allahun e Madhëruar sa më shumë, siç vjen në thënien e tij profetike: “Ngulmoni (Angazhohuni) me Ja Dheel Xhelaali Uel Ikraam / O Zotëruesi (Merituesi) i Madhështisë dhe Fisnikërisë (plot Madhëri dhe Nderim je Ti).

Në lidhje me interpretimin e kësaj thënie profetike, dijetarët e shquar muslimanë interpretues të veprës profetike theksojnë se me të nënkuptohet që “të lidhemi e angazhohemi me këtë emër hyjnor dhe ta themi atë vazhdimisht, duke e bërë nismë tonën në lutjet tona, me qëllim që mbështetjen e prehjen ta gjejmë vetëm tek Allahu i Madhëruar dhe askush/gjë përveç Atij.”

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi