Pyetja:

Kam afër një familje muslimane që janë fillestarë në faljen e namazit. Falet djali dhe e ëma, ndërsa vajza kish pas qenë falur por e ka lënë pasi e ka parë dikush duke u falur. Unë mendova t’i këndoj suren El-Fatiha, 5 ajetet e para te sures El-Bekare, Ajetin Kursij, Suren El-Kafirun, El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas. Këto sure a mjaftojnë dhe si është më e mira që t’i këndoj, 3, 5 apo 7 herë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhamedin ﷺ!

Së pari: Kush e bën rukjen sheriatike dhe kujt i bëhet ajo

Bërja e rukjes sheriatike (sipas normave islame) konsiderohet një vepër fetarisht e pëlqyeshme dhe rrjedhimisht e dobishme. Atë lejohet ta bëjë muslimani që bart një bindje të saktë islame dhe mund të bëhet për çdo lloj sëmundje5. Rukja mund t’i bëhet edhe jomuslimanit, si dhe mund t’i bëhet edhe një personi që është shëndosh e mirë (i paprekur nga magjia, mësyshi dhe ngjashëm). Ajo përbën një kurim në përputhje me normat islame, të cilin robi e përdor si mbrojtje nga problemet dhe të këqijat fizike, shpirtërore dhe ato djallëzore.

Tekstet sheriatike islame lënë të kuptohet se nuk është kusht që hollësirat e rukjes së lejuar sipas islamit, të referohen njëpërnjë në transmetime të posaçme hyjnore islame, porse që rukja të jetë e lejuar mjafton që ajo të mos bjerë në kundështim me normat ligjore islame. Shumë dijetarë muslimanë janë të mendimit se nuk ka asnjë problem të lexohen ajete kuranore të veçanta që është provuar se sjellin sukses në rukje (kurimin me Kuran dhe lutje islame) dhe që këto ajete t’u mësohen njerëzve për t’i përdorur; bazuar kjo në transmetimin autentik profetik miratues të bërjes së rukjes përmes leximit të sures (kaptinës kuranore) El-Fatiha. Së këtejmi, çdo musliman/e me bindje të saktë islame, që di t’i lexojë (sidomos është mirë edhe t’i kuptojë) në arabisht Kuranin dhe Lutjet Profetike, mund t’i bëjë rukje sheriatike me to (Kuran dhe Lutjet Profetike) ose edhe me lutje me përmbajte të lejuar islame vetes së tij/saj dhe çdo personi të prekur nga magjia, mësyshi dhe ngjashëm. Kurse rukja në gjuhë tjetër veç arabishtes është e papëlqyeshme (dhe sipas disa mendimeve të tjera është e ndaluar), teksa mendimi më i fuqishëm është se ajo (rukja jo në arabisht) lejohet të bëhet nëse bërësi i saj: (së pari) është musliman me bindje të saktë islame, (së dyti) nuk di arabisht, (së treti) lutet me lutje në përputhje me normat islame dhe (së katërti) lutjet e bëra janë të kuptueshme për të pranishmit.

Edhe pse si rregull rukja mund të bëhet nga çdo musliman/e, në rastin kur bërësi i rukjes bie në situata ku gjendja e kujt po i bën rukje komplikohet dhe i mungon përvoja për këtë situatë, (në këtë rast) rukja ndërpritet dhe vijohet pasi personi të cilit i bëhet rukje të jetë qetësuar; por nëse situata e komplikuar përsëritet apo ndërlikohet më tej, rukja duhet vijuar nga persona me eksperiencë në lëmin e saj.

Së dyti: Kur bëhet rukja

Në realitet rukja është lutje dhe aspirim i të mirës prej Allahut të Madhëruar dhe lejohet të bëhet në çdo kohë, teksa nëse ajo bëhet në kohët e ditura të pranimit të duasë (lutjes) kjo është sërish shumë mirë.

Po kështu, bazuar në normat islame, nuk është se ka ndonjë kohë të caktuar në të cilën rukja ka sukses, por, nëse është e nevojshme, rukja, pirja e ujit të kënduar me Kuran dhe larja me këtë ujë mund të bëhet një, dy apo më shumë herë/ditë.

Së treti: Sa herë lexohet rukja

Sa i përket faktit se sa herë lexohen suret apo ajetet kuranore, nuk është se ka ndonjë përzgjedhje suresh / ajetesh apo numër fiks të leximit të tyre, por ajo që thuhet në përgjithësi është se rukjet (lutjet) që bëhen bazuar në transmetimet profetike përkatëse lipset t’i përmbahen formës së ardhur në këto transmetime, kurse rukjet e përgjithshme nuk është se duhen bërë në një formë strikte të caktuar, porse bëhen nga muslimani/ja kompetent në lëmin e rukjeve, ose nga çdo musliman/e që ndjek forma të rukjes të bazuara kryesisht në eksperiencën e suksesshme të kompetentëve në lëmin e rukjes, qoftë edhe në numrin në të cilin këta kompetentë i lexojnë suret dhe ajetet e rukjes.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi