Pyetja:

A është mëkat nëse nuk e pranoj kërkimin e faljes nga ai që ka bërë gabim ndaj meje?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahu të madhëruar, lavdia dhe bekimi i Tij qofshin mbi të Dërguarin ﷺ

Pjesë e moralit të lartë të besimtarit është të pranojë kërkimin e faljes në rast kur bëhet ndonjë gabim ndaj tij, mirëpo ky nuk është detyrim i prerë mbi të, por morali i lartë siç e përmend Allahu në këto ajete:

E të falni (gabimin) është më afër devotshmërisë.” (Bekare: 237)

po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë ju? Allahu falë dhe mëshiron shumë.” (Nur: 22)

e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët.” (Shura: 40)

Ai që bën ndonjë gabim ndaj vëllait të tij e ka për obligim të shpejtojë për t’i kërkuar falje sepse me këtë realizon qëllimin e sheriatit e që është afrimi me njëri tjetrin, lidhja, dashuria, largimi i urrejtjes e mllefit. Po ashtu dijetarët theksojnë se me kërkim të faljes njeriu shëron veten nga sëmundja e mendjemadhësisë dhe vetëpëlqimit. Këtë e potencon Ibën Hibbani në librin e tij Reudatul Ukala (Kopshti i të mençurve). Aty po ashtu theksohet se mirë është të pranohet kërkimi për faljes edhe nëse e dimë se kërkuesi nuk është i sinqertë.

Të kërkosh falje prej atij të cilit i ke bërë ndonjë gabim është detyrim nëse gabimi bëhet qëllimisht që do të thotë se nëse gabimi bëhet pa dashja kërkimi i faljes bëhët vetëm për t’i treguar se është bërë pa qëllim dhe nëse ai nuk e pranon kërkimin e faljes, nuk ka rrëndësi. Mirëpo duhet ditur se kur bëhet ndonjë gabim pa dashje, dëmi duhet kthyer palës së dëmtuar në rast kur bëhet fjalë për ndonjë pasuri.

Imam dr. Ahmed Kalaja