Pyetja:

Kush janë Ehlu Bejti (familjarët e Profetit), cila është pozita e tyre dhe a i quan feja jonë ata të shenjtë, apo ajo që duhet është që ne t’i duam ata dhe t’i ndjekim në veprat e tyre të devotshme, jo t’i shenjtërojmë (hyjnizojmë)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Shenjtërimi në kuptimin e madhërimit kategorik, kulminant dhe të kompletuar, i përket vetëm Allahut, pasi vetëm Atij i takojnë në vetvete cilësitë dhe atributet e madhështisë, lartmadhërisë dhe kompletimit.

Sa më sipër vlen për engjëjt dhe profetët, e për më tepër edhe për Ehlu Bejtin (familjarët e Profetit ﷺ), kurse më tej në lidhje me këtë çështje thuhet:

Së pari: Përkufizimi i Ehlu (Alu) Bejti / Familjarëve të Profetit

Ehlu / Alu Bejti, quhen familjarët e Profetit ﷺ të cilëve nuk u lejohet të marrin prej sadakasë (sidomos lëmoshës së obliguar), porse ata si farefis i Profetit ﷺ përfitojnë prej pjesës së 1/5-stës së Plaçkës së Luftës (të zënë me ose pa luftime), ku më konkretisht hyjnë:

(a) bashkëshortet e Profetit ﷺ;

(b) pasardhësit e Profetit ﷺ, ku hyjnë:

(së pari) shtatë fëmijët e Profetit ﷺ;

së dyti) fëmijët e bijave të Profetit ﷺ;

(c) çdo musliman dhe muslimane nga breznitë (pasardhësit) e bijve të dy fiseve Benu Hashim dhe Benu El-Mutalib (pasi pasardhësit e bijave siç dihet përcaktohen tek etërit e këtyre pasardhësve);

(d) meulatë6 (të çliruarit nga vetë pronari ose etërit e pronarit) e dy fiseve Benu Hashim dhe Benu El-Mutalib.

Së dyti: Pozita e Ehlu (Alu) Bejtit / Familjarëve të Profetit në Islam

Ehlu Bejti gëzojnë pozitën dhe madhërimin e veçantë që u ka dhënë atyre Allahu i Lartësuar, përmes teksteve kuranore dhe atyre profetike. Dashuria e tyre përbën një prej adhurimeve me të cilat muslimani afrohet tek Allahu i Madhëruar. Në një sërë transmetimesh profetike porositemi që t’i duam, garantojmë dhe mbrojmë Ehlu Bejtin, të mos i lëndojmë ata a bëjmë keq atyre, si dhe t’u japim madhërimin që u takon brenda kufijve të lejuar sheriatik (ligjor islam), pa shpërfillje por edhe pa teprim.

Së treti: Shenjtërimi/Hyjnizimi i Ehlu (Alu) Bejti / Familjarëve të Profetit

Ehlu Bejti janë veç njerëz që s’kanë në dorë të sjellin dobi a të largojnë dëm, madje vetë të Dërguarin e Allahut ﷺ, Zoti i tij e urdhëron që këtë fakt ta deklaroj qartë ndër njerëz, duke thënë: “Thuaj: ‘Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi’” dhe: “ Thuaj: “Unë nuk kam fuqi t’i bëj vetes as dëm, as dobi, përveç asaj që dëshiron Allahu”; kësisoj kjo përfshin për më tepër këdo tjetër veç Profetit ﷺ.

Edhe pse dashuria për Ehlu Bejtin është një adhurim i ligjëruar, teprimi në të përbën një sjellje të devijuar e të pabazë, prandaj muslimani duhet të tregohet i vëmendshëm që të mos bjerë në dashurinë e tepruar të tyre, ku kanë rënë disa të devijuar që i ngritën Ehlu Bejtin mbi pozitën ku i vendosi Allahu dhe madje arritën deri aty sa i adhuruan ata krahas Allahut.

Së këtejmi nuk është e udhës (nuk lipset) që Ehlu Bejti të cilësohen me epitetin “i shenjtë”, gjithmonë nëse me këtë nënkuptohet kuptimi “i dëlirë / i bekuar / i madhëruar”, kurse cilësimi i tyre me epitetin “i shenjtë” nën pretendimin se ata zotërojnë ndonjë cilësi hyjnore që është e veçantë për Allahun e Madhëruar, përbën padyshim rënie në idhujtari dhe mosbesim.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi