Pyetja:

Cili është përkufizimi apo kuptimi i magjisë dhe cila është dispozita (gjykimi apo vendimi fetar) për magjinë dhe magjistarët?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Juristët muslimanë e përkufizojnë kështu magjinë: “Magjia qëndron (konsiston) në fjalë magjike, hajmali, yshtje dhe lidhje nyjesh, përmes të cilave magjistari arrin të përdor shejtanët që ata të ndikojnë në zemrat dhe trupat e njerëzve, ashtu që kjo bëhet shkak për sëmundje, vdekje, ndarje mes personit dhe familjarëve të tij etj.”

Nuk ka dyshim se vepra e magjisë është një prej gjynaheve më të mëdha rrënuese, në lidhje më të cilën Profeti ﷺ, ka thënë: “Shmangiuni shtatë rrënueseve!” I thanë: O i Dërguar i Allahut, cilat janë ato? Ai ﷺ, tha: “Shirku (idhujtaria / shokbërja) ndaj Allahut, magjia, vrasja e njeriut- të cilën Allahu e ka ndaluar, përveçse kur bëhet me të drejtë,- ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, arratisja në ditën e dyndjes (betejës me armikun) dhe shpifja ndaj besimtareve të ndershme që s’u shkon as mendja për paturpësitë (për të cilat përfolen).”

Imam En-Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Veprimi i magjisë është haram (i paligjshëm) dhe prej mëkateve të rënda (të mëdha), të cilin Profeti ﷺ faktikisht e ka konsideruar prej shtatë rrënueseve të islamit. Ka magji që janë kufër (mosbesim) dhe ka që nuk janë kufër (mosbesim) por janë mëkat i madh; pra nëse magjia përmban fjalë ose veprim që angazhojnë kufrin (mosbesimin), ajo është kufër (mosbesim), përndryshe jo.”

Gjithsesi, akuzimi i një personi se ai është magjistar nuk është aq i thjesht sa duket në pamje të parë. Më konkretisht dijetarët muslimanë thonë njëzëri se sheriati (ligji islam) e ndalon rreptësisht që të përgojohet, përfolet dhe akuzohet padrejtësisht tjetri. Akuzimi për magji hyn pikërisht tek akuzimi i personit në fenë dhe nderin e tij, prandaj ai nuk lejohet përveçse me fakte kategorike sheriatike (në përputhje me ligjet islame), kurse dyshimet dhe supozimet (pandehjet) nuk lejohet që të merren për bazë. Akuzimi i tjetrit për magji hyn tek fjalët mëkatare dhe akuzimi i padrejtë, vepruesi i të cilave ngarkohet me mëkat dhe meriton të ndëshkohet, teksa muslimanit i del si detyrë që ta ruaj gjuhën e tij, të jetë i vëmendshëm, të ruhet nga gabimi dhe të shmang dëmtimin e të tjerëve.

Gjykimi përfundimtar për dikë se ai është magjistar kërkon që: (së pari) personi i akuzuar ta pranojë vetë se i ka bërë magji një njeriu të caktuar, ose (së dyti) të dëshmojë kundër tij një njeri i drejtë dhe i beueshëm se e ka parë atë duke bërë magji; dhe nëse këto dy fakte nuk janë të pranishme çështja mbetet në rrethin e paragjykimit të dënueshëm dhe konsiderohet si shpifje dhe gënjeshtër, që mund t’i kthehet bumerang (njëlloj) akuzuesit nga të tjerë persona të cilët,- ashtu siç bëri ai,- mund ta akuzojnë atë më pas padrejtësisht, gjë që sjell një destabilizim shumë të fuqishëm familjar dhe shoqëror.

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu