Përgjigje e shkurtër:
Po, lejohet të falesh me këpucë, nëse ato janë të pastra. Por në vende ku zakonisht hiqen këpucët (si xhamitë apo shtëpitë), më e drejtë është t’i heqësh.
Përgjigjja e plotë:
Për shkak se ekziston një botëkuptim i përhapur se nuk lejohet të falesh me këpucë, duhet sqaruar se e sakta është: kjo është e lejueshme.
Në kohën e Pejgamberit ﷺ, xhamitë nuk kanë pasur shtroja apo tepihë. Ato kanë qenë me dhe ose zall, dhe muslimanët faleshin me këpucë apo nalle, ashtu siç i kishin veshur.
Megjithatë, Pejgamberi ﷺ ka udhëzuar që para hyrjes në xhami të kontrollohen dhe të fërkohen këpucët, në mënyrë që të largohet çdo ndytësirë nga to.
Prandaj, nëse njeriu falet në vende si rrugë, në tokë, në bari, apo në ambiente të hapura (si p.sh. gjatë faljes së xhenazes), nuk ka nevojë t’i heqë këpucët lejohet të falet me to. Madje, kjo përputhet me praktikën e Pejgamberit ﷺ.
Ndërsa nëse falja bëhet në vende ku zakonisht hiqen këpucët, si në xhami, shtëpi apo ambiente me shtrojë, atëherë më e përshtatshme dhe më e drejtë është që këpucët të hiqen dhe të falet pa to.
/Hoxhë Alaudin Abazi/




