Pyetja:

A lejohet mbajtja e nuskave? Po kur ato përmbajnë ajete nga Kurani?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Përkufizimi i fjalës nuskë (ose hajmali) në fjalorin e gjuhës shqipe është: “Një copë letër e mbledhur zakonisht si trekëndësh, e mbushur me fjalë të shkruara nga një fetar, që mbahet në trup ose varet në qafë, me mendimin se ka fuqi për të mbrojtur nga një sëmundje ose nga të këqijat.” Përveçse prej letrës, nuska mund të jetë edhe prej çdo sendi tjetër tek i cili konkretizohet përkufizimi i mësipërm.

Dispozita e mbajtjes së nuskave varet nga trajtat e përmbajtjeve të tyre dhe konsideratës që ushqehet lidhur me to. Më konkretisht, trajtat dhe dispozitat e nuskave janë si vjon:

Trajta e parë: Nuska që përmban shirk (idhujtari) të qartë dhe dispozita për këtë lloj nuske është si vijon:

· Besimi se nuska ndikon vetvetiu, konsiderohet idhujtari madhore (blasfemi / felëshim).

· Besimi se nuska është shkak që ndikon vetëm me lejen e Zotit, konsiderohet idhujtari e vogël (mëkat madhor).

Trajta e dytë: Nuska që përmban ose dyshohet të përmbajë shirk (idhujtari) apo elemente të idhujtarisë:

Këtu hyjnë nuskat që përmbajnë fjalë të pakuptueshme, numra, figura apo forma të tjera të kësaj natyre.

Trajta e tretë: Nuska me lutje dhe përmendje të lejuara, të cilat nuk janë Kuran dhe lutje a përmendje profetike:

Në këtë trajtë bëhet fjalë për nuskën që përmban shkrime që s’janë Kuran dhe as hadith, por janë lutje të mira pa përmbajtje shirku. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve i kanë lejuar këto nuska, mendimi më parësor është se ato janë të ndaluara, bazuar në argumentet e përgjithshme të ardhura në trajtën e katërt në vijim.

Trajta e katërt: Nuska me Kuran dhe lutje a përmendje profetike:
Përsa i përket kategorisë së nuskave me Kuran dhe lutje profetike, shumica e juristëve muslimanë e kanë lejuar një gjë të tillë.

Gjithsesi, fjala më parësore është ajo e juristëve muslimanë që i ndalojnë nuskat e të gjitha formave, edhe në qofshin me Kuran dhe lutje a përmendje profetike, bazuar në argumentimet e tyre të konsiderueshme dhe për t’ia prerë rrugën abuzimit dhe devijimit, sidomos sot në kohët tona kur po abuzohet vërtet shumë me nuskat që qarkullojnë në masën e gjerë të njerëzve, të cilat dendur janë gjetur në kundërvajtje me dispozitat e fesë islame.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi