Pyetja:
Si është raporti i sunetit (traditës profetike) kundrejt Kuranit; pra cili është pushteti / fuqia që ka Suneti mbi Kuranin, sa i përket bërjes së sqarimeve, specifikimeve apo anulimeve (shfuqizimeve) të teksteve apo dispozitave të caktuara kuranore?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Kurani dhe Suneti (tradita profetike) gëzojnë të njëjtën pozitë, nën konsideratën se përbëjnë burimet kryesore kategorike të ligjit islam.
Kurse lidhur me sqarimin, fiksimin (veçimin) ose anulimin që Suneti u bën teksteve kuranore, dijetarët muslimanë kanë përmendur sa vijon:
Së pari: Suneti është shtjellues dhe interpretues i Kuranit Lexoni më tepër
Bazuar në mendimin e një sërë dijetarësh muslimanë (prej të cilëve është edhe Ibn El-Kajimi) shtjellimi që Suneti i bën Kuranit paraqitet në tre kategori:
Kategoria e parë: Suneti miratues dhe dëshmues i po asaj që miraton dhe dëshmon Kurani;
Kategoria e dytë: Suneti interpretues i Kuranit, shtjellues i synimit hyjnor të ardhur në të (Kuran) dhe kufizues i asaj çfarë ka ardhur e pakufizuar në të;
Kategoria e tretë: Suneti që përmban një dispozitë për të cilën nuk ka bërë fjalë Kurani, të cilën e sqaron me një shpjegim nismëtar.
Së dyti: Fiksimi apo veçimi që i bën Suneti përgjithësimeve kuranore
Shumica e juristëve normativë (usulijunë) muslimanë (përfshirë medh’hebin maliki, shafi’i dhe hanbeli) pranojnë / lejojnë që përgjithësimet (rrjedhimet e përgjithshme) kuranore të fiksohen (veçohen/specifikohen) me traditën profetike autentike; madje kjo vlen jo vetëm në rastin e traditës profetike autentike muteuatir (transmetuar nga një shumësi transmetuesish për çdo hallkë transmetimi), por edhe asaj autentike ehad (transmetuar nga një transmetues i vetmuar në ndonjë hallkë të transmetimit).Lexoni më tepër
Së treti: Shfuqizimi i teksteve kuranore me Sunetin autentik.
Mendimi i parë: Është e papranueshme që tekstet kuranore të anulohen nga Suneti autentik ehad (nga një transmetues i vetmuar në ndonjë hallkë)
Ky është mendimi i shumicës së juristëve normativë (usulijun) muslimanë, pra se nuk është e lejueshme / pranueshme që tekstet kuranore të anulohen nga Suneti autentik ehad (transmetuar nga një transmetues i vetmuar në ndonjë hallkë të transmetimit); madje medh’hebi shafi’i, hanbeli etj., nuk pranojnë që tekstet kuranore të anulohen qoftë edhe nga Suneti autentik muteuatir (transmetuar nga shumësi transmetuesish për çdo hallkë transmetimi).
Mendimi i dytë: Pranohet anulimi i teksteve kuranore nga Suneti autentik muteuatir (me shumësi transmetuesish) ose ai ehad (transmetues të vetmuar).
Mendimi i disa juristëve normativë (usulijunë) të medh’hebit hanefi është se anulimi i teksteve kuranore me Sunetin autentik muteuatir është një realitet, ndërkaq lejohet / pranohet gjithashtu që tekstet kuranore të anulohen edhe me Sunetin autentik ehad… Ky mendim (pra lejimi i anulimit të teksteve kuranore me Sunetin autentik ehad) përbën në fakt një mendim të fuqishëm.
Allahu e di më mirë.
Bashkim Aliu