Pyetja:

Kam dëgjuar se dhikri i tesbiheve pas namazit bëhet edhe nga 10 herë ose 25 herë, përveç atij 33 herë që praktikohet në përgjithësi. A qëndron një gjë e tillë dhe nëse po a mund të na jepni një informacion më të zgjeruar rreth kësaj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Në lidhje me tesbihet që numërohen pas namazit të detyruar, në transmetimet e sakta profetike kanë ardhur katër trajtat në vijim:

Trajta e parë: 33 tesbihe, 33 tehmide, 33 tekbire dhe 1 herë dhikri me tehlil

Më konkretisht, kjo trajtë veprohet duke thënë “SubhanAllah / I Lavdishëm (e i Patëmetë) është Allahu” 33 herë; “Elhamdulilah / Falënderimi i takon Allahut” 33 herë, “Allahu Ekber / Allahu është më i madhi” 33 herë dhe duke e plotësuar njëqindëshen me thënien: “Lâ ilâhe il-Allâhu vahdehu lâşherîke leh, lehu’l mülkü ve lehu’l hamdü ve hüve alâ kül-li şhej’in kadîr. / Nuk ka të adhuruar të meritueshëm përveç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe i Pashoq. Atij i takojnë pushteti dhe lavdërimi dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë”.

Trajta e dytë: 33 tesbihe, 33 tehmide dhe 34 tekbire

Më konkretisht, kjo trajtë veprohet duke thënë “SubhanAllah” 33 herë, “Elhamdulilah” 33 herë dhe “Allahu Ekber” 34 herë.Lexoni më tepër

Trajta e tretë: 25 tesbihe, 25 tehmide, 25 tekbire dhe 25 tehlile

Më konkretisht, kjo trajtë veprohet duke thënë “SubhanAllah” 25 herë, “Elhamdulilah” 25 herë, “Allahu Ekber” 25 herë dhe “LAA ILAAHE IL-LALL-LLAAH” 25 herë.

Trajta në fjalë bazohet në transmetimin e Abdullah Ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Ata (shokët e Profetit) qenë urdhëruar, që pas çdo namazi, të bënin tesbih 33 herë, tehmid 33 herë dhe tekbir 34 herë. Ndërkaq, njërit prej ensarëve9 (muslimanëve medinas) i erdhën në ëndërr dhe i thanë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ju urdhëroi të bëni tesbih 33 herë, tehmid 33 herë dhe tekbir 34 herë. Ai tha: Po. Thënësi i tha: Bëjini 25 herë dhe bëni në to edhe tehlil [gjithashtu 25 herë]. Kur agoi, ai shkoi tek Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe ia përmendi këtë (ëndërr). Profeti tha: “Kështu bëjini!””

Trajta e katërt: 10 tesbihe, 10 tehmide dhe 10 tekbire

Më konkretisht, kjo trajtë veprohet duke thënë “SubhanAllah” 10 herë, “Elhamdulilah” 10 herë dhe “Allahu Ekber” 10 herë.

– Po në këtë kontekst, vlen të përmendet regulli juridik islam, lidhur me adhurimet që bëhen në shumë forma, se këto adhurime është mirë që të bëhen herë në një formë dhe herë në një formë tjetër.

Allahu e di më mirë.

Dr. Bashkim Aliu