Pyetje:

A lejohet agjërimi i plotë i muajit Muharrem?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Teksti profetik referent mbi këtë çështje është: “Më i miri agjërim (vullnetar) pas (agjërimit të obliguar të) Ramazanit është muaji i Allahut, Muharremi; dhe namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës.” [1]

Të gjithë juristët muslimanë janë të një mendimi mbi pëlqyeshmërinë e agjërimit sa më të shumtë gjatë muajit Muharrem, ndërsa sa i përket agjërmit të plotë të tij ata ndajnë dy mendimet kryesore në vijim:

Mendimi i parë: Pëlqehet agjërimi i plotë i Muharremit

Mendimi i shumicës së dijetarëve muslimanë (përfshirë të katër medh’hebet) që përbën mendimin parësor në këtë çështje, është se bazuar në kuptimin e drejtpërdrejtë të thënies së mësipërme profetike, agjërimi në muajin Muharrem është një vepër e mirë dhe sa më shumë që të agjërojë robi në këtë muaj, aq më shumë shpërblehet. Po kështu, me lejen e Zotit, mirë vepron edhe kushdo që e agjëron këtë muaj plotësisht.

Mbështetësit e këtij mendimi kanë theksuar se transmetimi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ku ajo përmend se nuk di që Profeti ﷺ ta ketë agjëruar ndonjëherë një muaj të plotë përveç Ramazanit (shih më poshtë), tregon në mënyrë të kufizuar atë çfarë ajo (Aishja) personalisht ka parë; teksa transmetimi referent (Më i miri agjërim pas Ramazanit është muaji i Allahut, Muharremi) tregon qartazi mbi faktin se bëhet fjalë për agjërimin e komplet muajit të Muharremit.

Mendimi i dytë: Pëlqehet agjërimi sa më i shumtë i Muharremit, por jo plotësisht

Mbështëtësit e këtij mendimi, transmetimin referent profetik (të lartpërmendur) e interpretojnë në konturin e transmetimit tjetër profetik ku Aishja përmend se ajo nuk di që Profeti ﷺ ta ketë agjëruar ndonjëherë një muaj të plotë përveç Ramazanit (shih më poshtë); së këtejmi ata e mbartin atë (transmetimin profetik referent në fjalë) në kuptimin e pëlqyeshmërisë të agjërimit vullnetar sa më të shumtë në muajin Muharrem dhe jo në kuptimin se Muharremi pëlqehet të agjërohet plotësisht.

– Në përfundim mbetet të themi se mendimi më i fuqishëm lidhur me çështjen në fjalë, është se agjërimi gjatë muajit Muharrem konsiderohet një vepër e mirë dhe sa më shumë që të agjërojë personi prej këtij muaji, aq më shumë shpërblim merr; ndërkaq, kush e agjëron muajin Muharrem plotësisht, ka bërë një vepër të mirë dhe të pëlqyeshme.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi

—————————–

[1] Muslimi