Pyetja:
Jam betuar rrejshëm n’Zot te një person, sepse, po ta tregoja të vërtetën, do të isha në rrezik prej tij. Ndoshta jo në rrezik për jetë, por do të kisha probleme shumë të mëdha nga ai. Pra kam qenë e detyruar të betohem rrejshëm që t’i mënjanoj pasojat e këqija. Tani jam penduar shumë dhe s’di ç’të bëj. A ka ndonjë mënyrë shpagimi?
***
Përgjigjja:
Motër e nderuar, betimi i rrejshëm është i ndaluar dhe është prej mëkateve të mëdha, madje shumica e dijetarëve mendojnë se betimi i rrejshëm nuk mund të shpaguhet. Por meqë ke qenë e detyruar ta bësh, siç po thua, atëherë të këshilloj të pendohesh sinqerisht, t’i kërkosh falje Allahut dhe të japësh shpagim për atë betim sikurse që jepet shpagim për thyerjen e betimeve. Kjo bëhet duke ushqyer dhjetë persona të varfër ose duke u dhënë rroba atyre. Nëse nuk ke mundësi ta bësh këtë, atëherë agjëro tri ditë, siç thotë Allahu në Kuran:
“Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës.” [Kurani, 5:89]
Jusuf Kastrati
Pergjigje.net