1052391612

Pyetja:

Kam djalin 1 vjeç dhe shpeshherë urinon në dyshek dhe lëviz në atë gjendje. Është bërë e mundimshme, pasi unë laj çdo gjë duke menduar se mund të jetë bërë pis dhe s’jam e pastër për namaz. Jam bërë me vesvese. A mjafton vetëm larja e djalit dhe dyshekut?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Është shumë e natyrshme që nënat të përballen me probleme të kësaj natyre, andaj nuk ka vend për vesvese ngase njëra prej parimeve të fesë është se ajo është e lehtë, e, rrjedhimisht, nëse besimtari vëren se në fenë e tij ka diçka që po i duket shumë e vështirë, atëherë me gjasë vetë ai ia ka vështirësuar vetes ose nuk ka qenë i kujdesshëm për të pyetur rreth asaj çështje njerëzit e dijes. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Pyetini njerëzit e dijes nëse nuk dini.”

Gjërat që e prishin abdesin janë të përcaktuara. Dijetarët i kanë përmbledhur ato në tetë gjëra:

1 – Çdo gjë që del nga organet gjenitale dhe nga anusi.

2 – Çdo gjë e papastër që del nga pjesët e tjera të trupit.

3 – Humbja e vetëdijes.

4 – Prekja e gruas me epsh.

5 – Prekja e organit gjenital ose anusit.

6 – Ngrënia i mishit të devesë.

7 – Pastrimi i kufomës (sipas njërit mendim).

8 – Dalja nga Islami.

Sa i përket problemit që cekët, mjafton të lahet djali dhe dysheku në përgjithësi, derisa të zhduken gjurmët e urinës, rrjedhimisht edhe duart, por nuk ka nevojë të frikësohesh se “mos kam stërpikur këndej apo andej”, “mos kam harruar ndonjë vend”, “mos ka kërcyer ndonjë stërpikë në tepih e nuk e kam vënë re unë”, e shumë e shumë vesvese që mund të të shfaqen, e që shpeshherë mund të jenë nga shejtani i mallkuar, ngase qëllimi i tij është që besimtarëve t’ua bëjë të vështira adhurimet, gjegjësisht abdesin i cili është çelësi i hyrjes në adhurimin më të madh, namazin.

Po ashtu, kujto se Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuran: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta.”

Nëse dëshironi, kthejuni edhe përgjigjes në vijim:

https://pergjigje.net/a-prishet-abdesi-kur-pastron-nje-femije/

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen dhe shokët e tij!

Hekuran Helshani

Përgjigje.net